Sekuestrohen 670 000 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia! Arrestohen tre persona, shqiptarë e të huaj
Një sasi prej 670 000 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia është sekuestruar në Durrës.
Policia thotë gjithashtu se ne kuader te operacionit “Ari i zi” është sekuestruar anija me të cilën ishte kontrabanduar nafta, 14 dokumente identifikimi dhe dokumente për lundrim, 10 celularë dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit për rastin.
Në pranga u vunë 3 shtetas dhe u proceduan në gjendje të lirë 5 të tjerë (shqiptarë dhe të huaj), pjesëtarë të ekuipazhit të anijes.
Njoftimi i policisë
Sekuestrohen 670 000 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia.
Gjithashtu, sekuestrohen anija me të cilën ishte kontrabanduar nafta, 14 dokumente identifikimi dhe dokumente për lundrim, 10 celularë dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit për rastin.
Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 5 shtetas (shqiptarë dhe të huaj), pjesëtarë të ekuipazhit të anijes.
Hetimet profesionale dhe të shpejta identifikojnë 2 organizatorët e këtij rasti. Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Si rezultat i punës së inteligjencës policore dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Durrës, Antikontrabandës dhe Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Durrës, Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DPPSh-së, Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Durrës, Guardia di Finanza Durrës, Degës së Doganës Durrës, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Ari i zi”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasi sirian M. K., 45 vjeç, me detyrë kapiten i anijes, shtetasi shqiptar E. C., 43 vjeç, me detyrë marinar i anijes, si dhe shtetasi indian S. V., 42 vjeç, me detyrë oficer i parë i anijes. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim organizatorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit E. S., 59 vjeç, banues në Durrës, dhe F. B., 29 vjeç, banues në Zvicër.
Më tej, gjatë këtij operacioni, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 5 pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit të anijes, përgjegjës për mirëmbajtjen e mjetit.
Nga kontrolle në anije, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit, u gjetën përkatësisht 670 000 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.