Si t’i mbijetosh histerisë kolektive
NGA JONILA GODOLE
Gjyqet publike dhe propaganda shkatërruan lidhjet shoqërore dhe mbollën një klimë dyshimi, ku vëllai kthehej kundër vëllait, fqinjët spiunonin njëri-tjetrin dhe çdo formë solidariteti u zhduk. Në këtë mënyrë, regjimi konsolidoi pushtetin dhe garantoi që heshtja dhe nënshtrimi të bëheshin norma të përhershme. Sot, këto modele shtypjeje marrin forma të reja. Nëse në diktaturë, histeria kolektive orkestrohej nga pushteti, ajo sot përhapet në mënyrë spontane përmes hapësirave virtuale, ku emocionet e turmave dhe algoritmet amplifikojnë zemërimin dhe uniformitetin. Platformat digjitale, të cilat menduam se do të demokratizonin komunikimin, shpesh shndërrohen në hapësira ku polarizimi shpërblehet dhe mendimi kritik margjinalizohet. Në vend të dialogut dhe reflektimit, hasim linçime publike dhe përndjekje virtuale ndaj atyre që guxojnë të shprehin një mendim ndryshe. Personalisht, jam përfshirë disa herë në këto dinamika.
Rasti më i fundit ishte kur shpreha mendimin tim për një nga këngëtaret më të njohura të viteve 1980. Ndonëse pranova talentin e saj, ngrita një pyetje që për mua ishte legjitime: A mund të admirojmë artin e prodhuar gjatë diktaturës pa një reflektim kritik mbi kontekstin dhe rolin që artistët kishin në atë regjim? Ndërhyrja ime ishte më shumë një ftesë për dialog, por reagimi i menjëhershëm që pasoi ishte i ashpër dhe i pamëshirshëm. Mesazhet plot urrejtje dhe kërcënime me vdekje më detyruan të mbyllja funksionin e komenteve në “Facebook”, duke humbur mundësinë për një debat të shëndetshëm. Këto përvoja më kujtojnë se, edhe pse nuk ka më një regjim që kontrollon histerinë kolektive, presioni i grupit në rrjetet sociale mund të jetë po aq paralizues. Në teori, sot jemi të lirë të flasim. Por në praktikë, frika se mund të turpërohesh publikisht apo të përballesh me linçim masiv shpesh mjafton për ta bërë individin të hesht. Heshtja është po aq e rrezikshme sa linçimi. Ajo mban gjallë një kulturë frike që nuk i shërben shoqërisë.
E megjithatë, sot kemi një mundësi që nuk ekzistonte në diktaturë: të mos i nënshtrohemi kësaj frike. Platformat digjitale, pavarësisht rreziqeve të tyre, mund të shndërrohen në hapësira të dialogut të vërtetë, nëse përdoren me përgjegjësi dhe kurajë. Por kjo kurajë është jetike: kurajë për të folur kur të tjerët heshtin; kurajë për të menduar ndryshe, edhe kur është më e lehtë të përshtatesh; kurajë për të parë përtej zemërimit të momentit dhe për të kuptuar thelbin e asaj që na bashkon. Nuk është e lehtë – as në diktaturë nuk ishte, as sot nuk është. Por besoj se nëse gjithnjë e më shumë të rinj, gazetarë, analistë dhe qytetarë aktivë e ndërmarrin këtë hap, gjërat mund të ndryshojnë. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një shoqëri që jo vetëm nuk ngec vendnumëro, por ecën përpara. Sepse, tekefundit, heshtja nuk është zgjidhje. /Gazeta Panorama