Mon, Jan 13, 2025

U qëllua nga një distancë e afërt, detaje nga vrasja e biznesmenit! 56-vjeçari u ekzekutua brenda në makinë me dy plumba

  • PublishedJanuary 13, 2025

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me atentatin e një natë më parë në zonën e “Pallatit me Shigjeta”, ku i vrarë mbeti Bujar Nasufi 56 vjeç.

Gazetari Igli Çelmeta raporton se 56-vjeçari ka qenë i vetëm në makinë në momentin kur u qëllua, ndërsa autorët janë afruar dhe e kanë qëlluar nga një distancë e afërt, duke marrë dy plumba.

Krimi ka qenë i mirëmenduar, pasi dyshohet se autori e ka pritur 56-vjeçarin.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme (12 janar), ku autori ende i paidentifikuar qelloi ne drejtim te Nasufit, i cili ishte duke shkuar në shtëpinë e tij, shume prane vendit te ngjarjes.

Në vendngjarje janë gjetur 6 gëzhoja, të cilat besohet se i përkasin armës me të cilën është vrarë Nasufi.

Autori, që dyshohet se ka qenë vetëm një, ka qenë i maskuar me një kapuç dhe është larguar me motor drejt zonës së Selitës. 56-vjeçari ka humbur jetën teksa po transportohej drejt Spitalit të Traumës, pasi nuk u ka mbijetuar plagëve të marra në pjesën e sipërme të trupit.

Sipas informacioneve paraprake dhënë mbrëmë nga policia e Tiranës, mësohet se viktima ka një mobilieri së bashku me vëllain e tij, ndërsa mësohet se nuk ka asnjë precedent penal.

“Më datë 12.01.2025, rreth orës 20:40, tek ‘Pallati me Shigjeta’ në rrugën ‘Myrte Zeneli’, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti me drejtues shtetasin Bujar Nasufi rreth 56 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën”, – informoi policia e kryeqytetit.

Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë për kapjen e autorit. Informacion më të detajuar mbi këtë ngjarje do të japim në vijim pas veprimeve hetimore paraprake.