Anketa/ Drejtori i IRI-t për Shqipërinë: Sondazhi nuk i sheh zgjedhjet si ‘garë kuajsh’ kokë më kokë, shqiptarët kanë shqetësim…
Në anketën e Institutit Ndërkombëtar Republikan shumica e të qytetarëve presin më shumë hetime dhe ndëshkime të politikanëve të korruptuar, për shkak se korrupsioni është për ta një ndër shqetësimet kryesore.
Ata pohuan se nuk do të mbështesin në zgjedhje ato parti, që përkrahin ligje për të kufizuar punën e SPAK-ut.
Drejtori i IRI-t për Shqipërinë, John Fluharty, tha për Zërin e Amerikës se qytetarët mbështesin përpjekjet kundër korrupsionit për të përmirësuar jetën e tyre. Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit rikthen besimin e njerëzve tek demokracia.
“Për të tretën herë në anketat tona SPAK-u është institucioni më i besuar në Shqipëri”, tha Fluharty, drejtori i IRI-t për Shqipërinë.
“Një numër i madh i qytetarëve pohuan që nëse SPAK-u do të hetonte një kandidat apo parti, që ata kanë mbështetur më parë, kjo do të rriste mbështetjen e tyre për SPAK-un. Akoma më domethënëse është gjetja që nëse njerëzit zbulojnë se kandidati ose partia mbështet kufizimin e SPAK-ut për të bërë detyrën e tij, ata do të kenë më pak gjasa të mbështesin atë parti apo kandidat. Kjo do të thotë se qytetarët kanë shpresë. Ata shohin shpresë në punën e SPAK-ut, shohin shpresë në luftimin e korrupsionit, që më parë nuk e kishin. Kjo është vërtet domethënëse”, tha zoti Fluharty.
“Korrupsioni nuk është vetëm një çështje paligjshmërie, por është një çështje ekonomike, sepse ai ndikon në aftësinë e njerëzve për të pasur punë, në koston e jetesës, si dhe në meritokraci, -thotë zoti Fluharty i IRI-t. – Njerëzit e cilësojnë korrupsionin si çështje parësore, por nuk mund ta shkëputin nga çështjet e SPAK-ut, sepse ata po dëmtohen ekonomikisht, dhe e shohin korrupsionin si një nga shkaktarët e dhimbjeve të tyre, rritjes së kostos së jetesës, çmimeve të larta të ushqimeve. Njerëzit pohuan në sondazh që gjërat do të përmirësohen, pasi korrupsioni po trajtohet. Fokusimi kundër korrupsionit është si një Reset Button për vendin, një mundësi për të rivendosur në një kurs të ri gjërat e vendit drejt anëtarësimit në BE, ndryshe sa ndodhën në tridhjetë vitet e fundit”, theksoi drejtori i IRI-t.
“Gjetjet kryesore të sondazhit, – thotë drejtuesi i IRI-t, John Fluharty, – janë se qytetarët shqiptarë vazhdojnë të kenë shqetësime për ecurinë e demokracisë shqiptare, por ata e duan idenë e demokracisë dhe duan të shohin që të hidhen hapa gjigantë përpara. Ata e shohin SPAK-un si një mënyrë për të ndihmuar, që kjo të ndodhë. Qytetarët mbështesin përpjekjet kundër korrupsionit, sepse ata e kuptojnë që e gjithë kjo lidhet me përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre. Lufta kundër korrupsionit është një mënyrë e mirë për të rikthyer besimin e njerëzve tek demokracia, sepse ligji dhe barazia para ligjit është shtylla e demokracisë”, – tha zoti Fluharty.
Drejtori i IRI-it, Fluharty, thekson që partitë politike janë në fund të tabelës së besimit nga qytetarët dhe ky është një mesazh për to.
“Sondazhi, – thotë zoti Fluharty, – nuk i sheh zgjedhjet si një garë kuajsh kokë më kokë; se kush fiton ato, nuk është aq e rëndësishme, sa biseda se kujt i përkasin partitë politike: A i përkasin ato një grupi njerëzish, që kanë të njëjtat pikëpamje, apo që besojnë tek një individ. Ka një hendek midis në të kuptuarit thelbësor për qytetarët se cilës parti i përkasin, çfarë përfaqësojnë ato, çfarë ideologjie dhe programesh kanë, sepse kur njerëzit qëndrojnë të lidhur me individë të veçantë, gjithmonë ka një pyetje për motivin e kësaj”, shtoi drejtori i IRI-t për Shqipërinë.
AlbaniaWeb.net