Wed, Jan 15, 2025

“Avancim për të gjithë”/ Komisionerja e BE për Zgjerimin: Shqipëria dhe Mali i Zi më mirë, nga Kosova presim lëvizje

  • PublishedJanuary 14, 2025

“Avancim për të gjithë”/ Komisionerja e BE për Zgjerimin: Shqipëria dhe Mali i Zi më mirë, nga Kosova presim lëvizje

Në fjalën e mbajtur përpara ligjvënësve në Komisionin e politikës së jashtme të Parlamentit Europian, Komisionerja e BE-së për zgjerimin, Marta Kos përmendi edhe Kosovën.

Zyrtarja e lartë e bllokut tha se shtrirja e unionit është ndryshe sot nga sa ishte përpara 4 apo 5 vitesh. Tani “kemi një moment të ri pozitiv në BE”, ishte komenti i saj.

“Për herë të parë në dhjetë vitet e fundit kemi mundësinë që gjatë mandatit tonë të anëtarësojmë në BE një, dy apo tri vende të reja anëtare. Por unë ua kam bërë të qartë partnerëve javëve të fundit se nuk do të ketë lëshime kur janë në pyetje kriteret themelore dhe vlerat e BE-së”, thotë Marta Kos.

Kos ka paralajmëruar se së shpejti do të vizitojë Malin e Zi por edhe Shqipërinë, të cilat i konsideron si më të avancuarat në procesin e zgjerimit.

“Mali i Zi ka vizion të mbarojë negociatat deri më 2026 dhe Shqipëria deri në vitin 2027. Ne do t`i mbështesim ato, edhe pse duhet një punë shumë e madhe. Parimi i procesit të bazuar në merita duhet të jetë i vlefshëm edhe për vendet kandidate por edhe për vendet anëtare të BE-së. Pra kur kandidatët të përmbushin kriteret atëherë vendet e BE-së duhet të mundësojnë ecjen përpara”, shtoi ajo.

Për Kosovën, komisionerja foli fund kur u pyet nga një deputet i Parlamentit Europian se çfarë pret nga zgjedhjet atje.

“Atje do të ketë zgjedhje. Nuk pres që të mund të lëvizim përpara zgjedhjeve, por mund të them se shumë shpejt pas tyre do të ketë lëvizje. Sepse nuk mund të flasim për rajonin e Ballkanit Perëndimor nëse nuk flasim për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, ose se çfarë është bërë më vete Kosova e çfarë është duke bërë Serbia”, përfundoi Kos.

Komisionerja e theksoi se këtë vit pret zhvillime pozitive në procesin e zgjerimit ku parashikon një sukses më të madh nga sa është shënuar në dekadën e fundit. Gjatë presidencës polake mund të kemi shumë më tepër përparim nga sa kemi pasur në këto 10 vjet. Mund të realizojmë deri në dhjetë konferenca ndër qeveritare, nënvizoi ajo.



AlbaniaWeb.net