Wed, Jan 15, 2025

Deputetja Jorida Tabaku nga PE: Opozita, e vendosur për të siguruar që procesi i integrimit të Shqipërisë në BE të mos mbetet vetëm një premtim

  • PublishedJanuary 14, 2025

Deputetja Jorida Tabaku nga PE: Opozita, e vendosur për të siguruar që procesi i integrimit të Shqipërisë në BE të mos mbetet vetëm një premtim

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit të Çështjeve Europiane, ishte pjesë e mbledhjes së Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), ku zhvilloi gjithashtu një bisedë të rëndësishëm me Komisioneren e re për Zgjerimin, Marta Kos.

Gjatë bisedës me Komisioneren Kos, Tabaku theksoi nevojën për përfshirjen e opozitës në procesin e integrimit europian dhe angazhimin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Shqipëria ka potencial për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, por ky proces kërkon reforma të ndershme, reale dhe zgjedhje të lira që pasqyrojnë aspiratat e qytetarëve shqiptarë për një të ardhme europian”,  shkruan Tabaku në postimin në rrjetet sociale që shoqëron foton e takimit  pas mbledhjes së AFET në prani të kryetarit të AFET David McAllister dhe deputetes tjetër të PD, Albana Vokshi.

Gjatë vizitës në Parlamentin Europian, Tabaku dhe përfaqësuesit e opozitës nënvizuan angazhimin e tyre për të qenë një zë i fortë i përgjegjësisë dhe ndryshimit.

Opozita mbetet e vendosur për të siguruar që procesi i integrimit të mos mbetet vetëm një premtim, por të shndërrohet në një realitet që pasqyron vullnetin e popullit shqiptar.

Kjo vizitë në Bruksel vjen në një moment të rëndësishëm, ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet e ardhshme dhe për të avancuar në rrugën drejt Bashkimit Europian.