Wed, Jan 15, 2025

Atentati ndaj Bujar Nasufit, policia jep detajet lidhur me hetimet e vrasjes: Janë mbledhur prova që do i shërbejnë zbardhjes së krimit, por…

  • PublishedJanuary 15, 2025

Atentati ndaj Bujar Nasufit, policia jep detajet lidhur me hetimet e vrasjes: Janë mbledhur prova që do i shërbejnë zbardhjes së krimit, por…

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elton Alushi, përveçse vrasjes të së moshuarit Xhelal Meta, foli edhe për ecurinë e hetimeve lidhur me zbardhjen e ekzekutimit të biznesmenit, Bujar Nasufi, i cili u vra mbrëmjen e së dielës me breshëri plumbash.

Në një konferencë për mediat, ai tha se Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është angazhuar maksimalisht për zbardhjen sa më shpejt të kësaj ngjarje kriminale.

Drejtori i policisë Tiranë njoftoi se janë mbledhur dhe administruar prova shkencore dhe kompjuterike që do t’i shërbejnë hetimit për zbardhjen e ngjarjes.

Sakaq ai tha se hetimet janë në dinamikë dhe komplekse dhe për këtë arsye nuk mund të bëjmë më dije të dhëna më shumë për këtë rast.

“Në lidhje me ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur ditët e fundit në Tiranë ku u vra me armë zjarri shtetasi Bujar Nasufi, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është e angazhuar maksimalisht për zbardhjen sa më shpejt të kësaj ngjarje kriminale. Nën drejtimin e Prokurorisë po punohet intensivisht, duke përdorur metodat speciale të hetimit dhe shfrytëzuar Inteligjencën policore në fuksion të zbardhjes dhe dokumentimit ligjor të kësaj ngjarje.
Gjithashtu janë mbledhur dhe administruar prova shkencore dhe kompjuterike që do ti sherbejnë hetimit për zbardhjen e ngjarjes.
Hetimet janë në dinamikë dhe komplekse dhe për këtë arsye nuk mund të bëjmë më dije të dhëna më shumë për këtë rast”, tha Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë Drejtues Elton Alushi.

NGJARJA

Pritë ku mbeti i vrarë Bujar Nasufi, 56-vjeçari banor i Selitës, rezulton të ketë qenë e mirorganizuar. Nga sa është mësuar nga dëshmia e gruas së tij, autori ka qenë i ndaluar në anë të rrugës, pak para se sa mjeti me të cilin udhëtonin burrë e grua t’i afrohej banesës së tyre. Gruaja ka zbritur nga mjeti, ndërkohë që Bujari ka nisur të lëvizë, por me shpejtësi të ulët, ndërkohë që motori me kosh picash drejtohej nga një person me skafandër, që në dukje dukej si transportues picash. Edhe bashkëshortja e viktimës, e cila e ka parë me sytë e saj ekzekutimin e bashkëshortit, ka dëshmuar se nuk kanë pasur asnjë dyshim te personi që ishte në motor, duke menduar se mund të kishte sjellë ndonjë porosinë lagje.

Autori thuhet se ka qenë me maskë në fytyrë dhe i kamufluar si shpërndarës picash, autori ende i paidentifikuar nga policia e Tiranës, e priti Bujar Nasufin në hyrjen e pallatit që 56-vjeçari kishte ndërtuar vite më parë me të atin e vëllain, për të jetuar afër me njëri-tjetrin.

Mbrëmjen e së dielës së 12 janarit, i pari me automjet, për rastësi, iu afrua pallatit në zonën e Selitës në kryeqytet, vëllai i Bujar Nasufit, por autori, të cilin kamerat e sigurisë e kanë kapur në afërsi të banesës, qëndron në pritje, derisa pak çaste më vonë afrohet me makinë edhe 56-vjeçari me bashkëshorten e tij.

Sapo 56-vjeçari ka dashur të parkojë, autori është afruar dhe e qëlloi me armë pa zbritur nga makina, në sy të gruas, duke e lënë të vdekur në vend. Në vendngjarje kanë mbetur copat e xhamit të makinës. Pas vrasjes, autori mendohet se largua me motoçikletë të zezë drejt Selitës. Motori u gjend i djegur ditën e djeshme dhe po e djegur u gjet edhe arma e krimit, ndonëse jo e dëmtuar plotësisht.