Wed, Jan 15, 2025

“Pako dhe paradhënie” për ekstremizmin!

  • PublishedJanuary 15, 2025

“Pako dhe paradhënie” për ekstremizmin!

DR. JORGJI KOTE

Po, dhe për këto pako me dhurata politike u gjet momenti më i favorshëm, Krishtlindja dhe Viti i Ri 2025. Pikërisht më 28 dhjetor 2024 bëri bujë në të përditshmen prestigjioze gjermane “Welt am Sonntag” opinioni i shprehur nga supermiliarderi Elon Musk, këshilltar i jashtëm i Presidentit Trump se, “Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) është e vetmja shpresë dhe alternativë për Gjermaninë”. Ndërkohë, më parë e kishte fyer Kancelarin Scholz, ndërsa Presidentin Steienmeiere quajti “tiran antidemokratik”. Musk vijoi më tej me “peshqeshe” për AfD-në, me një takim virtual më 8 janar në platformën “X” me lideren e saj, Alice Weidel. Vështirë që ajo të kishte menduar dhuratë më të vyer. Më tej, Musk e shoqëroi gjeopolitikën e “dhuratave dhe paradhënieve” ekstremiste me tirada sulmesh të paprincipta dhe ndaj laburistëve britanikë. Kështu, ai kërkoi edhe dorëheqjen e Kryeministrit britanik, Starmer, lidhur me rolin e tij si ish-prokuror në ndjekjen e disa krimeve me natyrë seksuale vite më parë. Madje, i bëri thirrje Mbretit Charles për shkarkimin e tij, non-sens i vërtetë. Ndërkohë, i ka kërkuar partisë ekstremiste “Reform UK” të sfidojë laburistët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke i premtuar dhe një ndihmë 100 milionë dollarë.

Nisur nga roli i jashtëzakonshëm, pasuritë marramendëse dhe pozicioni i tij në administratën “Trump”, këto ndërhyrje janë vërtet dhurata dhe paradhënie të mëdha politike për forcat e ekstremit të djathtë në Europë, duke krijuar ndërkohë indinjatë në kancelaritë europiane me reagime të njohura dhe me thirrje për Komisionin e BEsë, për të shqyrtuar pajtueshmërinë e akteve dhe qëndrimeve të Elon Musk me ligjet e shërbimit digjital europian. Në fakt, kur sheh pasojat e tyre të mundshme negative dhe në proceset zgjedhore në Gjermani, Britani dhe gjetkë, del se ato janë shumë më tepër se “pako dhe dhurata” për Krishtlindje apo Vitin e Ri. Sepse këto akte dhe veprime të tjera të ngjashme “shpien ujë në mullirin” e ekstremizmit, sidomos atij të djathtë. Ato janë bonuse të mëdha materiale, morale dhe politike që i shërbejnë përshkallëzimit të mëtejshëm të ekstremizmit të djathtë në Europë, në Amerikë dhe kudo, në dëm të vlerave themelore perëndimore dhe demokracisë liberale. Faktet flasin më shumë se fjalët. Vitet e fundit partitë e ekstremit të djathtë kanë ardhur në pushtet dhe në disa vende anëtare të BE-së, si Austri, Finlandë, Suedi, Sllovaki, madje dhe në vende bashkëthemeluese të saj si në Itali dhe Holandë. Të nxitur nga këto arritje, tani objektivi i tyre është akoma më i madh, as më pak dhe as më shumë të “pushtojnë” boshtin/motorin e BE-së, Francën dhe Gjermaninë. Nëse në Berlin kanë ende disa pengesa dhe kryesisht CDU-në legjendare, në Francë duket se ardhja e Le Penit në pushtet është vetëm çështje kohe, ndoshta muajsh. Gjithsesi, vlen të theksohet që përpara se të dilte Musk me shokë, ekstremizmin e djathtë e kemi “peshqesh” kryesisht nga gabimet dhe naiviteti i klasave politike tradicionale dhe konkretisht nga e djathta dhe e majta e qendrës.

Megjithatë, paralajmërimet e kahershme për t’i marrë seriozisht e për të mos u mjaftuar me distancime dhe thirrjet “ujku, ujku”, por për të qenë më konkretë dhe më pranë halleve dhe telasheve të përditshme të popullit e jo thjesht me gjuhën e tyre politikisht korrekte dhe shpesh “as mish, as peshk”, partitë tradicionale kanë vazhduar me avazin e “Mukës” ose “business as usual”. Me mendimin e gabuar, se sido që të ndodhë, ekstremet do të mbeten pakicë, miniaturë, duke e trajtuar demokracinë si të mirëqenë” dhe duke krijuar “kordonë sanitarë” me ekstremin. Nga ana tjetër, krizat e shumta dhe të rënda të viteve të fundit, ku logosi me sens negativ është “rritja”: rritje papunësie, rritje çmimesh, rritje e azilit të paligjshëm, rritje krimi dhe korrupsioni dhe shumë rritje të tjera të ngjashme kanë krijuar një terren shumë pjellor për mbarëvajtjen dhe lulëzimin e ekstremizmit, sidomos atij të djathtë që po uzurpon dhe territoret e dikurshme të së majtës. Kjo po ndodh në Gjermani tash 35 vjet, ku rajonet ish-lindore që deri vonë sundoheshin nga e majta komuniste, tani janë kthyer në bastione të Alternativës për Gjermaninë (AfD).

Pikërisht falë këtyre “pakove dhe paradhënieve politike”, forcat dhe sidomos liderët e ekstremit të djathtë përfitojnë dhe nga përdorimi i gjuhës populiste, açik, troç, me premtime të bujshme, me rrahje gjoksi për arritjet dhe duke fajësuar armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm për dështimet. Ato janë pothuajse pa alternativa dhe rrugëzgjidhje të provuara, por mjafton që ato të shajnë, të mohojnë, të demonizjnë gjithçka dhe bëhen tërheqëse. Madje, edhe një pjesë e elektoratit thonë se e dinë që as ata nuk do të bëjnë gjë, por të paktën kënaqen kur i dëgjojmë që flasin aq bukur. Dhe tani, le të ndalemi më konkretisht e të shohim “pakot me dhurata dhe paradhëniet” për rastet më tipike të ekstremizmit të djathtë në Europë. Le ta fillojmë me Francën. Qershorin e kaluar Partia e Presidentit Macron humbi keq në zgjedhjet europiane, duke siguruar 2 herë më pak vota se Tubimi Kombëtar i Lë Penit. Çuditërisht, Macron, në vend që të reflektonte dhe të konsultohej me aktorët dhe faktorët më të rëndësishëm politikë dhe ekonomikë të vendit e të priste qoftë edhe disa ditë, u ngut qysh atë natë dhe shpalli zgjedhjet e reja të parakohshme! Për pasojë, tani Franca ka një peizazh politik parlamentar, ku asnjë parti nuk ka shumicën, por edhe nuk bashkohet dot me forca të tjera, për shkak të papajtueshmërive ideologjike, me qëllim që të krijohet një koalicion me shumicë të qëndrueshme.

Gjatë vitit 2024 Macron emëroi 4 kryeministra, shifër rekord kjo e paparë në historinë e sotme franceze, madje askush nuk vë dot dorën në zjarr e të thotë nëse dhe qeveria e Kryeministrit të ri, Bayrou, do të qeverisë të paktën deri në maj/qershor, kur nga e keqja Presidenti Macron do të detyrohet të thërrasë sërish zgjedhje të parakohshme në korrik; një dhuratë e vërtetë politike për Tubimin Kombëtar të Lë Penit, e cila është e bindur se i ka ardhur koha të marrë edhe Elizenë. Me logjikën popullore se kemi 25 vite që presim nga të tjerët, por asgjë, dhe gjërat po shkojnë keq e mos më keq, atëherë pse të mos e provojmë njëherë me Lë Penin? Pak a shumë e njëjta situatë është në Gjermani, ku Kancelari Scholz, i ardhur me bujë dhe premtime të mëdha para 4 vitesh, në vend të realizimit të premtimeve, u zhyt në grindje dhe “gërvëre” me liberalët e Lindnerit. Derisa koalicioni u shpërbë nëntorin e kaluar dhe më 23 shkurt, priten me shumë vëmendje rezultatet e tyre. Pas CDU-së, fituesja më e madhe e këtyre situatave është padyshim AfD-ja, e cila si në sondazhe dhe në disa lande ka dalë forca e dytë më e madhe politike. Ndërsa liderja e saj, Alice Weidel, renditet e para si kandidate për kancelare me 21 për qind. Ashtu si Lë Pen, edhe ajo ka një të drejtë të thotë me zë të lartë se ju keni kohë që votoni për të dyja partitë e mëdha dhe ja rezultati. Ne bërtisnim kujdes nga migrimi se është burim krimi, nuk na besuat.

Deri sa vetëm gjatë vitit 2024 pati tre atentate me thikë me shumë viktima, me autorë pîkërisht azilantë kriminelë. Sepse SPD-ja nuk bëri pothuajse asgjë për dëbimin e emigrantëve me dosje kriminale, edhe pse policia i ka pasur të dhënat e duhura. Madje, në rastin e sulmit me makinë në tregun e Krishtlindjes të Magdeburgut, Arabia Saudite u kishte kërkuar 2 vitet e fundit autoriteteve gjermane 3 herë ta ekstradonin sulmuesin terrorist, që më 20 dhjetor 2024 vrau 5 gra dhe një fëmijë të pafajshëm në Magdeburg! Ja, shihni, vitin e kaluar ajo ktheu vetëm 3 nga 12.000 emigrantë! Në Itali, këtë “dhuratë” Kryeministres Meloni dhe “Vëllezërve të Italisë” ia bënë social-demokratët italianë me Matteo Renzin në krye. Fitoren e tyre të bujshme 11 vjet më parë, mbas sundimit të gjatë të Berluskonit, ata e kthyen përmbys, duke krijuar zhgënjim të madh gjithandej, jo vetëm nuk arritën të bashkonin Italinë, por u ndanë dhe vetë në 2–3 copa, ndonëse në rritje tani, por prapë prapa Melonit. Dhurata më e fundit e çmuar politike e Vitit të Ri për Melonin ishte pritja e saj nga Presidenti i zgjedhur Trump në rezidencën e vet në Mar – A – Lago më 5 janar, me vlerësime superlative siç pohoi ai për “gruan që ka robëruar Europën”. Pak a shumë e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Austri, edhe pse atje Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë (FPO) ka qenë aktive dhe agresive, madje edhe në pushtet qysh 25 vite më parë. Në fillimin e viteve 2000, ajo doli e dyta duke u futur në koalicion për herë të parë me të djathtën austriake. Në atë kohë bëri shumë bujë dhe BE-ja vendosi sanksione. Vazhdoi kjo histori deri tani vonë.

FPO-ja vazhdoi të forcohej falë gafave dhe gabimeve trashanike të konservatorëve dhe social-demokratëve, të cilët kanë qeverisur historikisht vendin. Këta të fundit po qortohen ashpër se në 25 vitet e fundit nuk hartuan asnjë Plan A, B dhe C për të mbajtur larg FPO-në, edhe pse kambanat e alarmit kishin kohë që binin fort për ta. Më 2014 bënë eksperimentin e parë të dëmshëm, duke zgjedhur kancelar një djalosh 27-vjeçar, Sebastian Kurz, i cili e futi vendin dhe më keq në krizë dhe vetë përfundoi keq duke u dënuar dhe për mashtrime zgjedhore. Dhe prapë, në vend të merreshin vesh me njëri-tjetrin duke kapërcyer sinorët e ideologjikë dhe ekonomikë, me lëshimet dhe kompromiset e rastit u futën dhe ato në “gërvëre”, jo “kush je ti dhe kush jam unë” dhe “majë më majë”. Derisa në shtator 2024 ekstremi i djathtë doli i pari me 29 për qind të votave, por duke ia lënë stafetën e krijimit të qeverisë konservatorëve të Karl Nehamer. Ky i fundit dështoi dhe më 5 janar 2025 dha dorëheqjen. Për ironi të fatit, konservatorët austriakë, duke mos pasur lider tjetër, synuan të rikthenin sërish Kurzin, por natyrisht pa shans. Për pasojë, “u dorëzuan” dhe ia lanë radhën detyrimisht liderit të FPOsë, Herbert Kickl, ndonëse pa asnjë përvojë qeverisëse. Kësisoj, tani është Vjena që do ta na dhurojë kancelarin e saj të parë të ekstremit të djathtë.

Disa nga premtimet e tij kryesore janë të thjeshta, por tejet shqetësuese: dëbim të emigrantëve, jo sanksione ndaj Rusisë dhe jo ndihma ndaj Ukrainës. Gjithsesi, për ta mbyllur me nota pozitive dhe shprese, në shumë vende të tjera, forcat tradicionale të moderuara, të majta dhe të djathta kanë mbajtur të paprekur rolin e tyre udhëheqës, duke bërë korrigjimet e duhura dhe duke e mbajtur larg pushtetit ekstremin e djathtë. Shquhet Polonia, ku ish-Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, e “nxori jashtë” loje në zgjedhjet e vitit 2023 “PIS”, parti tipike e ekstremit të djathtë në një vend me peshë; në Greqi, Kryeministri Mitsotakis e mposhti bindshëm SYRIZEN, si përfaqësuesja më e fortë e ekstremit të majtë: në Brazil, social-demokrati Lula e përzuri shpejt nga zyra ekstremistin e djathtë Bolsanero. Në Britani, laburistët e Starmerit në korrik 2024 korrën një fitore plebishitare dhe ndaj “Reform UK” të ekstremistit Nigel Farage. Po kështu, në Spanjë partitë tradicionale kanë lënë “prapa porte” ekstremistët e VOX ashtu si dhe Danimarkë, Norvegji, vendet baltike etj../Gazeta Panorama