“Rama bën biznes vetëm me arabët”- Kryeministri u përgjigjet komentuesve: Qeveria amerikane ka përzgjedhur Shqipërinë në një financim të madh në fushën e energjisë
Pas vizitës së tij në Abu Dhabi për samitin global, Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur komentuesve në rrjetet e tij sociale lidhur me marrëveshjen e tij me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara për kabllot nënujore.
Në rubrikën e tij “Sy m’Sy”, Rama u përgjigjet dy komenteve ku njëri shprehet se qeveria bën biznes vetëm me vendet arabe, ndërsa një tjetër komenton se Europa dhe SHBA nuk kanë interes për investime në Shqipëri.
Rama shprehet se kjo nuk është e vërtetë sepse shumica e investimeve të huaja në vendin tonë janë nga SHBA dhe Amerika, ndërsa shton se edhe projektet e qeverisë shqiptare financohen nga Perëndimi.
Ndër të tjera ai shprehet se qeveria amerikane së fundmi ka njoftuar se Shqipëria është përzgjedhur për një investim të madh në fushën e energjisë.
“Siç kemi çuar në një tjetër nivel marrëdhëniet me Europën dh Amerikën, i kemi forcuar shumë marrëdhënie me vendet Arabe, sidomos me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Po afrohemi ndjeshëm edhe me Katarin. Është një marrëdhënie pozitive një potencial të jashtëzakonshëm dhe krejt të pashfrytëzuar në të kaluarën. Ndërkohë që përparimet e këtyre vendeve janë kolosale në çdo aspekt”, shprehet Rama, pas vizitës në Emiratet e Bashkuara Arabe ku nënshkrua një marrëveshje për kabllot nënujore.
Rama: Sa u ktheva dhe po lexoja komentet tuaja. “Rama ka mbetur veç me arabë, pse nuk bën biznes me Europën dhe Amerikën’- thotë Simoni. ‘Ta kthej unë përgjigjen- i thotë Fatosi, se nuk duan vëlla, se nuk kanë interes’. Nuk e di për kë e ka Fatosi, për ne apo për Amerikën, siç pyet Simoni. Por për këdo ta ketë nuk ka diçka përtej të vërtetës, ku ishim mes arabëve dhe italianeve, dhe Italia është në Europë, apo jo Simon? Apo jo Fatos?
E dini sa biznes bëjnë investitorët e huaj në Shqipëri në vit?, Mbi 1 miliardë euro dhe shumica dërmuese vijnë nga Europa dhe Amerika. Po ne qeveria, sa e sa projekte bëjmë me? Me financime të huaja. E dini se nga vijnë? Nga Europa thuajse të gjitha dhe para pak ditësh qeveria amerikane na njoftoi se ka përzgjedhur Shqipërinë në një financim të madh në fushën e energjisë. Kjo është e vërteta. Po është ashtu e vërtetë, i dashur Simon, se siç kemi çuar në një tjetër nivel marrëdhëniet me Europën dh Amerikën, i kemi forcuar shumë marrëdhënie me vendet Arabe, sidomos me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Po afrohemi ndjeshëm edhe me Katarin. Është një marrëdhënie pozitive një potencial të jashtëzakonshëm dhe krejt të pashfrytëzuar në të kaluarën. Ndërkohë që përparimet e këtyre vendeve janë kolosale në çdo aspekt. Prandaj, faleminderit që u bëtë sebep në këtë shkëmbim në Sy m’sy për këtë temë dhe vazhdoni të më ndiqni.