ZYRTARE/ Portieri i Kombëtares vesh fanellën e 4 herë kampionëve të Gjermanisë, zbulohen të gjitha detajet
Simon Simoni është zyrtarisht i huazuar te Kajserslautern në Gjermani. Katër herë kampionët e vendit siguruan shërbimet e portierit të Kombëtares shqiptare, deri në verën e vitit 2026.
“Panorama Sport” ka mësuar detajet e plota të marrëveshjes mes Frankfurt, që zotëron kartonin, dhe Kajserslautern. Para kësaj lëvizje, Simoni rinovoi kontratën me Frankfurtin deri në vitin 2029.
Kajserslautern e ka huazuar me të drejtë blerje për shifrën 1.8 milionë euro. Frankfurt ndërkohë ruan të drejtën për ta rikthyer, ndërsa shifra e vendosur në kontratë është 4.8 milionë euro.
Te Kajserlautern, 20-vjeçari do të rivalizojë për vendin e titullarit me Julian Krahl. Këtij të fundit i përfundon kontrata në fundin e këtij sezoni. Kështu mundësitë e Simonit për të luajtur në Bundesliga 2, janë të mëdha.