Fëmija 1 vjeç nga Gaza evakuohet në Shqipëri! I mituri merr ndihmë mjekësore në QSUT, familja e tij akomodohet në qendrën e refugjatëve në Babrru
Një fëmijë i moshës 1 vjeç është evakuuar nga Gaza në Shqipëri mbrëmjen e kaluar, për ofrimin e kujdesit kritik.
Fëmija aktualisht po merr kujdesin mjekësor në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, ndërsa babai, vëllai dhe motra janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në Babrru të Tiranës.
“Një falenderim i madh për Kryeministrin Edi Rama dhe Qeverinë e Shqipërisë për lehtësimin e kësaj përpjekjeje humanitare. Mirënjohje Albana Koçiut, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Skënder Bratajt, kreu i Qendra Kombëtare Urgjencës Mjekësore Haki Çako, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, dhe zyrtarëve nga Ministria e Brendshme, për kontributet e tyre thelbësore. OBSH së bashku me partnerët mbështet koordinimin dhe fuqizimin e një mekanizmi standard, transparent të evakuimeve mjekësore”, thuhet në njoftimin e OBSH.
Gjithashtu OBSH shprehet se “angazhimi i Shqipërisë për të mbështetur ata në nevojë është një shembull i rëndësishëm solidariteti. Meqë shumë pacientë nga Gaza ende kërkojnë kujdes urgjent mjekësor, përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare mbeten vendimtare”.