FOTO/ Një Bologna super ndal Inter, feston…Conte, “ndizet” gara për titull (VIDEO)
Inter pëson një “frenim” të fortë në garën për titull, me zikaltërit që ngecin në “San Siro” në një barazim 2-2 përballë Bologna-s, një X” i hidhur, pasi kjo ishte një tjetër sfidë ku ekipi i Inzaghi-t tregoi shumë limite. Feston Napoli, me ekipin e Contes që qëndron i qetë në krye, në kuotën e 47 pikëve, plus 3 nga Inter. Kristjan Asllani zbriti sërish si titullar, në vend të Calhanoglu-s, por sërish Inzaghi e zëvendësoi në pjesën e dytë duke i dhënë disa minuta Davide Frattesi-t.
Bologna tregoi “dhëmbët” që në start, teksa goditën shtyllën në minutën e 8-të. Ekipi i Italiano-s zhvilloi një presion të lartë në zonën e Sommer dhe në minutën e 15-të gjetën golin e avantazhit, ku Castro devijoi mjaftueshëm sa për të kapur portierin e Inter në kundra kohë.
Festa e Bologna-s nuk zgjati shumë pasi katër minuta më vonë, Inter i kapi “mat” me një kundërsulm të shpejtë, me Dumfries që i pa shqetësuar në zonë e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë. Inter nuk u mjaftuan me kaq, por sërish me një kundërsulm të shpejtë në limite e pjesës së parë gjeti dhe golin e dytë, me Dimarco-m që dhuroi një assist të pastër për Martinez, kapiteni nuk fali duke sjellë festë në “San Siro”.
Në fraksionin e dytë, në minutën e 64-ët, Bologna barazoi shifrat në 2-2, me Holm që gjeti një devijim të lehtë në zonë për të mposhtur për herë të dytë Sommer. Inter kishte shansin të dilte me tre pikë nga ky takim, por Taremi në fund shpërdoroi një rast të pastër, duke bërë që dy ekipet të ndalin nga një pikë pas barazimit 2-2.
“Inter, çfarë telashi”, shkruan La Gazzetta në faqen e parë. “Feston Conte, Bologna super”, ishte titulli kryesor i Corriere dello Sport.
()