Lumi i Vlorës, ky det pasurish kombëtare
ZENO JAHAJ
Vlora, kryeqyteti i parë i shtetit modern shqiptar, ia dedikon këtë po aq nyjës që lidh detin Adriatik me detin Jon, fortifikuar nga natyra, sa edhe Detit të Madh Kombëtar, që vërshoi në atë qytet të bekuar më 28 Nëntor 1912, fortifikuar më së shumti nga halli se mos Shqipëria Kombëtare do të mbetej si një provincë otomane, e kështu, jashtë Evropës. I Urti i Madh, Ismail Qemal Vlora, apostulli i shqiptarizmës, nuk pati dot as kohën, as financat, as ushtrinë, as mbështetjen e duhur për të shkuar në të gjitha trojet shqiptare, ku do të mund të kumtonte atë ditë të madhe. Madje, i vunë gurë në rrota dhe i ngritën kurthe që të mos shkonte. Gjithsesi, i urti i madh do të gjente fuqi për të kumtuar ditën e madhe në krahinën e Lumit të Vlorës, e kështu në tërë Labërinë, mburojën dhe mbështetjen e afërt e të çeliktë të Pavarësisë: shkoi vetë në Mesaplik, më se dy herë, si për ta ngjizur bekimin e këtyre anëve. Thonë, madje, se u kishte bërë një pyetje disi të çuditshme kapedanëve të Lumit: “Sa larg është deti nga Lumi i Vlorës? Sa i gjerë është këmbëmali Vranisht-Himarë”? – “Dymijë manxerë” – i qenë përgjigjur kapedanët e asaj ane. Domethënë 2.500 metra, se ashtu flitej në atë kohë: ishin kohë të nxehta lufte dhe pushka gjermane ‘Mauser’ ishte aq masive si ‘Kallashnikov’i rus i kohëve më të vona. Çfarë do ketë pasur parasysh i Urti i Madh me këtë pyetje? Ai e dinte se bregdeti dhe Lumi i Vlorës, thellë-thellë, këndojnë njësoj, qajnë njësoj e ndjejnë njësoj.
“NË DRASHOVICË E LARTË, HIMARË I THONË ÇDO FSHAT”
Pra, a nuk ishte një lloj mallkimi, që krahina e Lumit të Vlorës të ishte kaq afër me simotrën e saj, bregdetin dhe të mbetej e dënuar të mos e shihte detin dhe as deti të mos e shihte krahinën? I Urti i Madh kishte parë botë e ku nuk kishte shkuar, me anije a mjet tjetër ishte nisur nga Vlora dhe kishte parë Selanikun, Konjën e Stambollin, Janinën e Athinën, Varnën e Danubin, Bejrutin e Gjiritin, Napolin e Romën, Lozanën dhe Brukselin, Bukureshtin, Budapestin e Vjenën, Beratin dhe Durrësin. Ndërsa këtu, në Vlorë e në Mesaplik, e prunë me kalë. Kishte shërbyer në Egjipt, bash kur sapo ishte hapur Kanali i Suezit – arteria gjigante vertikale mu në zemër të kontinenteve e të tregtisë botërore dhe ka përfytyruar se edhe Shqipëria Kombëtare nuk do të zhvillohej pa një infrastrukturë vertikale nëpër arteriet qendrore “kontinentale” të saj. Ai e dinte, për shembull, dhe çdo kohë e di, se krahina e Mesaplikut, apo shprehur figurativisht “thellësia kontinentale” e Vlorës, ka kapacitet për të mbajtur mbi 100.000 kokë bagëti të imta – një burim gjigant mirëqenie e tregtie. Për ironi, sot, pra 100 e ca vjet më pas, ky burim është “tharë” për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore dhe për mëkat të atyre që nuk e kuptojnë e ca më shumë për mëkat të atyre që nuk duan ta kuptojnë: e tërë krahina mbarështon vetëm 9.000 kokë bagëti të imta, dhjetë herë më pak nga kapaciteti natyror i saj! E harkuar nga male 1.500-2.000 metra të larta, krahina ka një kapacitet akoma më të madh natyror, ndoshta unik në shkallë kombëtare e më gjerë: të gjitha ujërat që rrjedhin nëpër Luginë e që mbushin dy lumenjtë e njohur malorë, Shushicën dhe Lumin e Smokthinës janë të pijshëm. Ndërkohë, tri janë korridoret e tjera që i shumëfishojnë vlerën Lumit të Vlorës: Njëri kalon nga Qafa e Shëngjergjit dhe lidh Luginën e Lumit të Vlorës me kompleksin unik gjeografik Dukat–Tragjas– Radhimë–Llogora–Orikum–Karbaurun. Tjetri kalon nga Gryka e Vërmikut dhe lidh këtë Luginë me zemrën e Kurveleshit të sipërm – një kështjellë natyrore grykash që i bëjnë roje Vjosës, domethënë Parkut të parë Kombëtar të një lumi të egër në Evropë. I treti, që lidh Grykën e Kuçit me kompleksin po aq unik gjeografik Pilur, Çorraj–Fterrë–Kudhës–Borsh, unik edhe ai, teksa përbën nyjën që bashkon bregdetin me “thellësinë kontinentale”, domethënë me Lumin e Vlorës! Të pesta zonat, në fakt një bllok i tërë së bashku, ndoshta do t’ia kalonin edhe Zvicrës, e cila shumë-shumë iu gëzohet vetëm liqeneve e maleve, por jo deteve si këto pesë zonat shqiptare. Të pesta zonat së bashku, të cilat këndojnë njësoj, qajnë njësoj e ndjejnë njësoj përbëjnë, kësisoj, një det pasurish kombëtare.
Madje edhe një muzeum të madh kombëtar! “Shpella e Shkruar” në Lepenicë, me 19 figura portret njeriu dhe 8 piktura gjeometrike, me vizatime në tavan, jo në mure siç rëndom gjenden në të tilla raste është alfabeti apo libri i llogarive i 5.000 viteve më parë, një dëshmi autentike e historisë, autoktonisë, identitetit, qytetërimit dhe kulturës sonë kombëtare! (Dikush duhet të jetë i verbuar nga këto fakte, teksa kanë vënë njerëz për ta shkarravitur tavanin e shkruar, me qëllimin e errët për t’i prishur origjinalitetin.
Pa të dytë si e tillë në Ballkan, Shpella e Shkruar ka shqetësuar më shumë institucionet spanjolle, sesa institutet kombëtare shqiptare të kulturës! Bazilika dhe Mozaiku i Mesaplikut, të kohës paleokristiane, nuk do mund të ndërtoheshin në ndonjë shkretinë civilizimi. Të shkruara në të dy alfabetet e dy civilizimeve të njohura të asaj kohe, fqinjëve grekë dhe romakë (pak a shumë siç kombet e botës moderne prezantohen sot vetëm në gjuhët anglisht e frëngjisht), bazilika e mozaiku kanë bartësit e vet autoktonë, shqiptarët, apo parashqiptarët. Për më tepër që, edhe përmbajtja e shkrimit mbi mozaik është pastërtisht shprehja ndoshta më e dhimbshme e mbijetesës së shqiptarëve: një komb i vuajtur, rron me pak, por gjithnjë ka, e kështu mbetet i pakonkurrueshëm në trojet e veta. Shpresoj të mos jetë e vërtetë që copëzat e thyera të Bazilikës dhe të Mozaikut janë hedhur në një depo hedhurinash në Vlorë, në vend se i gjithë kompleksi të rindërtohej dhe të ruhej në vendin ku u gjet, siç bëjnë të gjithë kombet e kulturuara!
Shpresoj të mos jetë e vërtetë që asnjë shtetar shqiptar, madje asnjë institucion serioz kulture nuk ka shkuar të vizitojë “Kallaratin e Djegur” – një qytetërim brilant, po aq një kujtesë unikale në historinë tonë kombëtare, që na kujton se çfarë barbarish mund të sjellin ethet e shovinizmit të çdo kohe e ngado që të vijnë. Se po të ishte se ka shkuar dikush prej tyre, me siguri do të propozonte që ai qytet i braktisur të shpallej “Qytet Muzé”. “Në Qafë të Koçiut e lart, duhen dekoruar edhe gurët” – i mëshonte babai im këtij qortimi sa herë takohej me autoritete shtetërore të asaj kohe. E lanë pas dore krahinën, pikërisht Lumin e Vlorës, i cili mobilizoi forcën e një armate popullore në Luftën Kombëtare të Vlorës të vitit 1920 dhe në atë të çlirimit nga fashizmi e nazizmi, kur ndoshta çdo shtëpi, e ka paguar lirinë me të paktën një dëshmor.
Një qeverisje e tërë shpërfillëse “demokratike” e pas vitit 1990 e la krahinën pas dore, për t’u kujtuar, së paku, në 5-6 vjetët e fundit ku, jo vetëm banorët, por të gjithë bashkëkombësit, madje edhe të huaj, kanë filluar t’i gëzohen kësaj arterieje alpesh në rrugën e saposhtruar bukur me një projekt nga Kuvajti i largët. Gjithsesi, fshatrat kanë mbetur po ata: trishtues, të varfër, të braktisur, e madje dyshues, deri sa, para pak kohësh, për inat të vjehrrës që i ka lënë pas dore, votuan edhe për mullixhinë! Çfarë ëndërrojnë vallë ata që kanë mbetur në Velçë, Bashaj, Ramicë, Vërmik, Mesaplik, Bolenë, Vranisht a Tërbaç për të rindërtuar jetën në këtë vend përrallor, por të braktisur? Nuk shkojnë dot në dasma, apo varrime, nuk venë dot të vënë një tufë lule te varret e të parëve. Pesë në gjashtë bija e bija të krahinës janë migruar, emigruar apo imigruar brenda e jashtë vendit! U qan syri për t’u kthyer e për ta bërë vendlindjen e tyre të rilindë, por pyesin (kë pyesin?!): “Çfarë do të bëhet me këtë krahinë, për të cilën shtetarët kujtohen vetëm një herë në pesë vjet”? Vlora – kryeqyteti i parë i shtetit modern shqiptar, me shumë mundësi, po bëhet dhe do të mbetet kryeqyteti i përhershëm edhe i turizmit në Shqipëri. Por pa Lumin e Vlorës, pa këtë det resursesh natyrore të mahnitshme, mund ta lëshojë shpejt këtë fron!