“Në politikë kërkohen njerëz të pakorruptuar”- Topalli: Berisha punon 10 herë më shumë se gjithë
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është shprehur se një qeveri teknik është një garanci më shumë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por shton se nuk hyn te kategoria e atyre që nëse kjo nuk arrihet, bojkoton zgjedhjet.
“Kjo opozitë ka bërë aq shumë gjatë kësaj periudhe dhe ne duhet të jemi mirënjohës që jemi këtu dhe po flasim për zgjedhjet e ardhshme. Sigurisht, që qeveri teknike mund të ishte një garanci më e madhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por nuk hyj në kategorinë e atyre që thonë po nuk pati qeveri teknike nuk hyjmë zgjedhje”, tha Topalli.
E pyetur nëse PD i ka mbyllur plagët e veta, Topalli tha: “Mendoj se në pjesën më të madhe, kemi kaluar një pjesë shumë të vështirë, por është mundësia që PD të krijojë një ekip me vlera njerëzore, intelektuale, me integritet të lartë me njerëz me integritete të lartë dhe të besueshëm për të qenë një grup parlamentar ose për të marrë qeverisjen e ardhshme”.
Duke folur për figurat politike, drejtuesja e PD për Diasporën tha se në politikë duhen njerëz të pakorruptuar dhe me ndërgjegje për t’i shërbyer vendit.
Sa i takon Berishës, tha se punon 10 herë më shumë se gjithë të tjerët marrë së bashku.
“Ndarja e figurave politike në të rinj dhe të vjetër, është debat jorealist që është keqpërdorur për të larguar figura të caktuara. Në politikë kërkohen njerëz të pa korruptuar, intelektualisht të përgatitur, me dije të caktuara, perspektivë dhe vizion, të përgatitur dhe me një ndërgjegje shoqërore për t’i shërbyer vendit, jo ti marrë.
Berisha është larguar në 2013 dh u largua duke i dhënë mundësi palës tjetër të bëjë rotacionin, por ajo që ndodhi me përjashtimin e padrejtë, është gjëja më e pabesueshme në demokraci. Vendi i kryetarit merret me punë, me sakrifica, me beteja të tmerrshme. Ai ka fituar me vota dhe është kryetar. Ajo që kam vënë re është se punon 10 herë më shumë se gjithë të tjerët marrë së bashku”, tha Topalli.
Lidhur me aludimet se mund të jetë kryetarja e ardhshme e PD, Topalli i mohoi duke thënë: “Asnjëherë, as nuk e kam menduar, se kam dëshiruar dhe se kam menduar. Secili mund të bëjë”.