Dosja “Partizani”/ Shtyhet seanca e shqyrtimit për Sali Berishën, ja kur do të mbahet gjyqi i radhës për kryedemokratin
Seanca e shqyrtimit për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shtyrë për me datë 31 janar, në orën 09:00, sipas burimeve të News 24.
Kujtojmë se me datë 21 nëntor, Gjykata Kushtetuese interpretoi masat e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” nuk pengojnë punën e deputetit dhe mund të vendosen pa autorizim nga Kuvendi, duke rrëzuar pretendimet e ish-kryeministrit Sali Berisha se SPAK kishte shkelur Kushtetutën.
“Për rrjedhojë, gjykata njëzëri arriti në përfundimin se në rastin konkret, kjo masë nuk përbën kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit,” thuhet në njoftim. Gjykata arsyetoi se mbrojtja nga imuniteti nuk shtrihej mbi këto dy masa të parashikuara.
“Për pasojë, kërkuesi në cilësinë e deputetit nuk gëzon mbrojtje të veçantë në këtë aspekt, ndaj Gjykata me shumicë votash vlerësoi se kërkimi i autorizimit të Kuvendit nga Prokuroria për këtë masë nuk ishte i nevojshëm,” thuhej në njoftim.
Gjykata Kushtetuese e interpretoi shprehjen “heqje e lirisë në çfarëdolloj forme” bazuar edhe në frymën e amendamentit kushtetues të vitit 2012, i cili synonte reduktim sa më të madh të imunitetit procedural të deputetëve. Sipas vendimit, neni 73/2 duhet të interpretohet ngushtësisht si një avantazh i përkohshëm procedural që e gëzojnë deputetët në funksion të mirëfunksionimit të Kuvendit në tërësinë e tij dhe jo si privilegj i deputetëve si individë.
Kushtetuesja po ashtu rrëzoi pretendimet e ngritura nga Berisha për anësinë e Gjykatës së Posaçme në vendimet e masës së sigurisë. Megjithatë, ajo pranoi pretendimin se bllokimi i pasaportës ishte joproporcional dhe se në rastin e Berishës, masa “detyrim paraqitje” ishte e mjaftueshme.
Berisha ndodhet në hetim prej tetorit të vitit të 2023 për akuzën e korrupsionit pasiv, kohë kur u vendos masa e sigurimit “detyrim paraqitje” dhe “bllokim pasaporte”. Masa e tij u rëndua në “arrest shtëpie” pasi ish-kryeministri Berisha refuzoi të zbatonte vendimin e gjykatës, por më 27 nëntor 2024 u la i lirë me vendim të GJKKO.