Masakra e Dobraçit/ Një person i tretë në makinën ku u vranë Hamza Lici dhe Arlind Bushati? Dyshimet dhe misteri rreth vëllait të viktimës
Emisioni “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala, trajtoi sot masakrën e Dobraçit, ku mbetën të vrarë me breshëri plumbash pasditen e 30 tetorit 2024 Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Por pyetja është nëse në makinën ndaj të cilës u qëllua me plumba ndodhej ose jo një person i tretë dhe nëse po, a i ishte ai Ibrahim Lici, pra vëllai i Hamzait?
Në pamjet filmike në vendngjarje pak sekonda më pas u shfaq me duar dhe fytyrë të gjakosur një person, që dyshohet se ishte Ibrahim Lici.
Por pse policia ruan ende edhe sot dyshimin se personi në fjalë, që në dukje shfaqet i tronditur, është pikërisht personazhi i rrezikshëm i krimit në Shkodër, që në fakt deri në këtë pritë, mendohej se ndodhej i ndaluar në Turqi, pas një urdhër kërkimi ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol Tirana, si i dyshuar në vrasjen e Endri Mustafës.
Ngjarje kjo e ndodhur më 16 Maj të vitit 2021 në zonën e Livadheve në Shkodër. Krim të cilin Ibrahim Lici nuk e ka pranuar kurrë, por e ka cilësuar si një kurth të ngritur ndaj tij nga Asmer Bilali në bashkëpunim me Bajrët.
Po nëse në të vërtetë ky person është Ibrahim Lici, si mundi ai të çajë gardhin e policisë, që në këtë moment kishte rrethuar skenën e krimit.
A mbeti ai i plagosur gjatë këtij atentati, apo thjesht këto hamendësime e shtojnë edhe më shumë mjegullnajën rreth misterit të personit të tretë që sot është kthyer në një fantazmë në kërkim të tij.
Dosja Hetimore
Nga kqyrja e pamjeve filmike shikohet një person me kostum sportiv i veshur me të zeza, i cili afrohet te punonjësit e policisë ‘Shqiponja’, i cili dyshohet se është personi në kërkim shtetasi Ibrahim Mustafa Lici.
Personi i dyshuar shikohet teksa qëndron midis dy punonjësve të policisë ‘Shqiponja’. Dhe po kështu vihet re teksa largohet nga policët. Por edhe pse kanë kaluar disa muaj nga ky krim i rëndë, policia dhe grupi hetues pavarësisht dyshimeve të tyre, janë ende të paqartë mbi atë që është personi enigmatik në vendngjarje. Që nëse nuk do të ishte Ibrahim Lici, duhet të ketë të paktën një emër.
Dhe nëse e ka një të tillë, me siguri për të sqaruar edhe pozicionin e tij, do ishte paraqitur vetë në polici. Gjë që në fakt nuk e ka bërë deri më tani. Çka ka shtuar edhe më shumë spekulimet rreth identitetit të tij të vërtetë. Një bela tanimë të cilën po e vuajnë vetë policët që ishin të pranishëm atë ditë në vendin e krimit.
Të cilët sot janë të pezulluar nga detyra, për faktin që nuk pikasën dhe nuk ndaluan personin në video të dyshuar si Ibrahim Lici.
Dosja Hetimore
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 30 tetor 2024 në orën 15:45 në aksin rrugor Koplik-Shkodër në fshatin Dobraç, në vendin e ngjarjes shikohet një person i gjakosur pranë viktimës Hamza Lici.
I cili ndërkohë merr kontakt me punonjësit e policisë të grupit të gatshëm ‘Shqiponja’, Drejtoria Vendore Shkodër.
Më tej ky person shikohet teksa largohet dhe nuk dihet ku ka shkuar. Për këtë arsye në kundërshtim me detyrimet ligjore, qoftë në cilësinë e të dyshuarit, personit të përfshirë në ngjarje, apo të dëshmitarit, ky person duhet të ishte shoqëruar apo ndaluar nga ana e punonjësve të policisë, por ata nuk kanë vepruar.
Por ky person është larguar dhe nuk dihet ku ka shkuar dhe në kundërshtim me detyrimet ligjore, qoftë ne cilësinë e të dyshuarit, përsonit të përshirë në ngjarje apo dëshmitarit të ngjarjes, duhet të ishte shoqëruar apo ndaluar nga ana e punonjësve të policisë, gjë për të cilën ata nuk kanë vepruar.
Por çfarë thanë efektivët e policisë të pranishëm në vendngjarje për personin e dyshimtë që tashmë u ka krijuar boll telashe.
A mundeshin ata në atë zallamahi të krijuar, të identifikonin apo jo, personin për të cilin edhe sot ka dyshime nëse është apo jo Ibrahim Lici.
Si duhet të vepronin ata një rast të tillë dhe cila është shkelja që kanë kryer, e cila në vazhdim mund t’u penalizojë edhe karrierën.
Blerim Kurmekaj Oficer policie
Më datë 30 Tetor 2024 unë kam qenë i planifikuar me shërbim në qytet nga ora 14.00 deri në orën 22:00.
Rreth orës 15:45 dëgjova në radio sallën e komandimit duke u bërë thirrje shërbimeve të qarkullimit rrugor që të afrohem tek ish-SMT pasi ka ndodhur një aksident i rëndë.
Pasi zbritëm nga makina, në vendngjarje ne vumë re një automjet Mercedes Benz me targa të huaja, i dalë nga rruga, i përplasur në një shtyllë betoni ku të jepte përshtypjen e një aksidenti.
Dhe pas këtij mjeti një person të shtrirë të seksit mashkull si dhe disa persona të tjerë rreth tij, që po mundoheshin t’i jepnin ndihmën e parë.
Duke shikuar ‘Benz’-in konstatuam se në automjet kishte shenja të përdorimit të armës së zjarrit. Ne jemi munduar t’u vinim në ndihmë të dëmtuarve, dhe për pasojë nuk kemi shoqëruar asnjë person në polici nga vendi i ngjarjes.
Lidhur mbi personin e gjakosur në duar dhe fytyrë, ne menduam mos ishte aty për t’i dhënë ndihmë personave të dëmtuar.
Por interesante në këtë dëshmi të oficerit të policisë është mënyra se si personi i gjakosur u largua nga vendi i ngjarjes. Një aspekt ky i paqartë edhe sot. Ku punonjësi i policisë thotë se personazhi enigmatik mund të jetë larguar edhe me autoambulancë.
Por ky mbetet thjesht një dyshim i tij, pasi deri më tani kjo gjë mbetet e pavërtetuar.
Blerim Kurmekaj
Pas transportimit të personit të parë në autoambulancë, që ishte në tokë afër mjetit, ky person nuk është konstatuar më tek vendi i ngjarjes.
Unë mendoj se ky person mund të jetë larguar në këmbë ose me ambulancën që ka marrë personin e parë.
Të njëjtin version para grupit hetues dhanë edhe punonjësit e tjerë të policisë të pranishëm në vendin e krimit në masakrën e Dobraçit.
Ndërsa shumë pikëpyetje vazhdojnë të mbulojnë misterin e personazhit të pazbuluar.
Nëse ai është Ibrahim Lici, si hyri ai në territorin shqiptar, atë ditë të masakrës së ndodhur në fshatin Dobraç?
A ka kryer ai ndërhyrje kirurgjikale dhe si është e mundur që në makinën e viktimave nuk u gjetën gjurmë të tijat?
Kush i nxorri në pritë dhe a u tradhtuan nga brenda radhëve të tyre?
Nëse personazhi misterioz që shfaqet në pamje filmike është Ibrahim Lici, si mundi ai të largohet nga Turqia ku ishte i ndaluar dhe të futet në Shqipëri pa u diktuar?
A kanë marrë informacion autoritetet ligjzbatuese shqiptare nga ato turke mbi praninë ose jo të Licit në vendin e tij të ndalimit?
Po nëse është e vërtetë që Ibrahim Lici është personi në pamje filmike dhe ai mbeti i plagosur në atentatin e Dobraçit, kush e ndihmoi atë të kurohej?
Dhe ku ndodhet ai sot?
Në Shkodër apo është larguar sërish nga Shqipëria?!
Shumë pikëpyetje të cilat në fakt i ka ngritur edhe vetë heshtja e Ibrahim Licit dhe familjes së tij.
Heshtje që duket sikur miraton zërat se është ai pikërisht personazhi që shfaqet dhe zhduket nga pamjet e Masakrës së fshatit Dobraç.
Një sekëlldi e pambarimtë gjaku midis fisit Lici dhe atij Bajri që mbiu në sipërfaqe më 13 Janar 2018.
Dita kur në qytetin e Shkodrës, iu vendos tritol biznesmenit
Lulzim Kulla.
I cili mbeti i plagosur rëndë, bashkë me 8 qytetarë që nuk kishin lidhje me ngjarjen. Kulla që është dhëndër te Licët.
Atentat që duket se shërbeu për hapjen e kutisë që do të ndillte të keqen në vazhdim në Shkodër. Koha kur në qytet u kryen dhjetëra vrasje, ende edhe sot të pazbardhura. Sa në njërin krah ashtu dhe në tjetrin. Ku në këtë sherrnajë të përgjakshme u përfshi edhe familja Bilali.
Si edhe personazhi më kontrovers i saj. Asmer Bilali, dikur një ish-boksier që premtonte një karrierë të suksesshme në ring. Por që nga burgu ku ndodhej pasi u arrestua në kuadër të operacionit OAZ, pa t’i vriteshin babai dhe xhaxhai i tij.
Dhe që nga ajo kohë Ibrahim Lici dhe miqtë e tij do të ktheheshin ndër pretë më të preferuara nga kundërshtarët.