Merkato për mbijetesën e Skënderbeut, Gjoka vë “kusht” për drejtuesit afrimin e dy mbrojtësve
Skënderbeu, veç përpjekjeve për të kaluar situatën e vështirë ku ndodhet, me vendin e vendin e fundit dhe rrezikun për të rënë nga kategoria, po sheh edhe mundësinë e përforcimit në merkato. Pas humbjes me Vllazninë dhe largimit të Rashicës, që sipas trajnerit nuk është më pjesë e ekipit, drejtuesit bardhekuq kanë intensifikuar punën në këtë hapësirë transferimesh.
Burime të sigurta të gazetës bëjnë me dije se pas ndeshjes me shkodranët ka pasur një bisedë të gjatë mes drejtuesve të klubit, ku është kërkuar që të ndërhyhet në prapavijë. Trajneri Ernest Gjoka ka kërkuar të afrohet sa më shpejt një qendërmbrojtës dhe një mbrojtës krahu për të pasur më shumë alternativa.
Ai u ka vendosur kusht drejtuesve që këta dy elementë, që po kërkohen me ngulm prej tij, të kenë eksperiencë dhe cilësi për të forcuar ekipin, jo të jenë afrime për numër. Këto kërkesa kanë vënë në lëvizje drejtorin sportiv dhe presidentin Takaj, të cilët po kërkojnë elementët e duhur. Edhe pse për momentin gjithçka është “top secret”, pritet që pas ndeshjes me Teutën të prezantohen dy afrimet e tjera.
EKIPI – Vetëm një pasdite pushimi për të besuarit e trajnerit bardhekuq, më pas ka vijuar puna me përgatitjet anti-Teuta. Gjatë pasdites së djeshme ekipi ishte i plotë në fushën e stërvitjes dhe fokusi ishte i gjithi te faza mbrojtëse. Trajneri i Skënderbeut nuk është aspak i kënaqur nga lehtësia, me të cilën kundërshtarët shënojnë në portën korçare.
Pjesa më e madhe e udhëzimeve dhe punës së stafit teknik ka qenë pikërisht te mënyra si duhet të mbrohet ekipi. Detyra të specifikuara i janë dhënë çdo lojtari në çdo pozicion të fushës për të rritur përqendrimin dhe për të mbrojtur në bllok, me qëllim shmangien e golave naivë. Pritet që sot trajneri të zhvillojë edhe një analizë të detajuar video për të treguar me pamje se qëndron problemi i korçarëve.