Shkodranët euforikë në duelin direkt, 5 ndeshje pa humbje me kampionët
Vllaznia-Egnatia është një nga ndeshjet më të rëndësishme të kësaj jave. Përplasen dy rivalë direkt për titull, që duan të sigurojnë dy vendet e para në përfundim të sezonit të rregullt.
Dueli luhet ditën e diel, në orën 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi”, ku Vllaznia do të zbresë në fushë me shifrat në favor sa i takon këtij sezoni dhe jo vetëm. Fazën e parë kuqeblutë fituan në Shkodër 3-1, me gola të Malës, Qatos dhe Balajt, kurse për rrogozhinasit realizonte Ujka golin e barazimit të përkohshëm. Fazën e dytë në Rrogozhinë ndeshja u mbyll në barazim 1-1, me të shënuar nga Lushkja për Egnatian dhe Dodaj për Vllazninë.
Shkodranët nuk njohin humbje ndaj Egnatias prej 5 ndeshjesh radhazi. Dy skuadrat barazuan 0- 0 në “Final 4” sezonin e shkuar, ndërkohë që në kampionat Vllaznia fitonte 0-1 fazën e katërt dhe 2-1 fazën e tretë. Fitorja e fundit e Egnatias ndaj Vllaznisë i takon fazës së dytë të sezonit të shkuar, kur rrogozhinasit triumfonin 3-0 në javën e 15-të.