“Pa forcë nuk do funksionojë”- Lufta në Ukrainë, presidenti Zelensky: Vetëm Trump dhe Xi Jinping mund ta shtyjnë Putinin drejt paqes
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky shprehu besimin se vetëm liderët e SHBA-së dhe Kinës, respektivisht Donald Trump dhe Xi Jinping, mund ta shtyjnë Vladimir Putinin drejt paqes dhe fundit të luftës në Ukrainë.
“Unë mendoj se Xi Jinping mund ta shtyjë Putinin drejt paqes. Presidenti Trump është më i forti, dhe po ashtu edhe Xi Jinping. Nuk mendoj se ka të tjerë që mund ta bëjnë këtë, sepse ekonomia e Putinit, pas të gjitha sanksioneve, është shumë e varur nga Kina dhe vendimet e liderit kinez. Ndoshta ka kuptim që Trump dhe Xi Jinping të kenë një dialog se si të ushtrojnë presion bashkërisht ndaj Putinit”, tha Zelensky në një intervistë me Bloomberg nga Forumi i Davos.
Në të njëjtën kohë, ai theksoi se nuk duhet të zhvillohen negociata paqësore pa pjesëmarrjen e Ukrainës dhe se çështja më e rëndësishme në këto negociata, është garancia efektive e sigurisë.
“Ne jemi të gatshëm të shkojmë dhe të përfundojmë luftën, por duhet të jemi në një pozicion të fortë. Kështu i thashë Presidentit Trump. Unë i thashë sinqerisht, do të shihni që kur të gjithë përreth të kuptojnë se të gjithë duan t’i japin fund luftës, Putini nuk do të dëshirojë ta përfundojë atë. Prandaj, pa forcë, nuk do të funksionojë”, tha Zelensky, duke shtuar se Putini është “i sëmurë me idenë për të shkatërruar dhe pushtuar Ukrainën”.
Kur u pyet nëse do të negocionte vetë me Putinin, ai u përgjigj: “Nëse Ukraina ka një shans për t’i dhënë fund kësaj lufte me një paqe të drejtë, atëherë sigurisht. Unë jam presidenti i Ukrainës, do të bëj gjithçka për ta sjellë atë më afër paqes. Nëse ka një marrëveshje të drejtë, nëse presidenti Trump, besoj, mund të na garantojë siguri të fortë dhe të pakthyeshme, atëherë ne do të shkojmë në rrugën diplomatike. Unë e kuptoj se pa Rusinë është e pamundur t’i jepet fund kësaj lufte diplomatikisht.”
Kujtojmë se Donald Trump tha se ai nuk dëshiron të dëmtojë Federatën Ruse, por nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të vendosë taksa, tarifa dhe sanksione të larta për mallrat nga Rusia, nëse Moska nuk bie dakord për një marrëveshje paqeje në Ukrainë.