Motta gjen “bomberi” e ri, prezantohet Kolo Muani, Vlahovic nën presion
Me Vlahovic jo në formë, Juve po has shumë vështirësi në fazën ofensive, fakt që e pranoi më në fund edhe Thiago Motta. Drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” ndërhyn në merkato duke i vendosur në dispozicion një “bomber” të ri, Randal Kolo Muani. Më në fund, sulmuesi francez zbarkoi në Torino dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit Motta, duke nisur nga kjo fundjave për super sfidën me Napolin.
Në fakt, Kolo Muani duhet të vinte më herët, ndërsa La Repubblica ka zbuluar një prapaskenë shumë interesante. Drejtuesit e Napolit gjatë negociatave për transferimin e Kvaras në Paris i kishin kërkuar përfaqësueseve të PSG që të mos e lëshonin Kolo Muanin përpara kësaj fundjave, pra Juve të mos kishte në dispozicion sulmuesin përpara përballjes ndërmjet tyre në Serie A. Në këtë pikë, në tratativa u përfshi vetë Motta i cili ka një marrëdhënie të shkëlqyer me sheikun Al Khelaifi. Motta bindi PSG që Kolo Muani të vinte menjëherë në Torino, me sulmuesin francez që u prezantua një ditë më parë.
Kolo Muani vjen në Torino në formë huazimi deri në përfundim të këtij sezoni: “Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, i nderuar që do të vesh këtë fanellë. Kam folur me Motta-n, jam gati të luaj aty ku dëshiron trajneri. Nëse më duhet të zgjedh, e shoh vetën si një qendërsulmues”, u shpreh Kolo Muani gjatë prezantimit.
Mediat italiane e shohin transferimin e tij si presion ndaj Vlahovic, pasi ekziston mundësi që “Zonja e Vjetër” të blejë përfundimisht kartonin e francezit dhe të shes sulmuesi serb.
()