Thu, Jan 30, 2025

Vota e diasporës/ Berisha: Paraqitëm amendimin për njohjen e çdo dokumenti biometrik të vendit ku jetojnë emigrantët

  • PublishedJanuary 24, 2025

Vota e diasporës/ Berisha: Paraqitëm amendimin për njohjen e çdo dokumenti biometrik të vendit ku jetojnë emigrantët

Sali Berisha është shprehur se kanë paraqitur një amendimin për njohjen e çdo dokumenti biometrik të vendit ku jetojnë emigrantët.

Kreu i PD-së u shpreh “Rama kërkon të dënojë, sipas llogarive tona, të paktën dy të tretat e shqiptarëve që ndodhen jashtë vendit, të cilët janë të sistemuar në këto vende dhe disponojnë dokumentet biometrike të vendeve ku jetojnë”.

“Dokumentet shqiptare i disponojnë më së shumti ata që nuk janë legalizuar në vendet ku jetojnë dhe për këta ka statistika. Këta janë më pak se një e treta”, shtoi ai.

Berisha theksoi se është përgatitur amendamentiku kërkohet me ligj që emigrantëve t’u njihet çdo dokument biometrik i vendit ku jetojnë, qoftë letërnjoftim apo pasaportë.

“Jashtë kësaj kërkese, ne nuk mund të pranojmë kurrë të përjashtojmë dy të tretat e emigrantëve dhe diasporës tonë nga votimi. Ne mendojmë se ky është një akt i pashembullt, një diskrimin që nuk ka asnjë lloj baze”, deklaroi kryedemokrati.

Sali Berisha: Arritëm të përcaktojmë rregulla të pranueshme nga të dy palët, në mënyrë që të mos kontrollohet procesi nga njëra palë. Procesi i regjistrimit dhe votimit të diasporës. Në këtë proces, qytetarët tanë jashtë vendit hasin vështirësi reale.

Vështirësi, të cilat diktohen nga kërkesat e vendosura sidomos për adresën, në mënyrë që të mos ketë abuzime. Vetë procesi i aplikimit kalon në disa etapa. Ne e vëzhgojmë atë në çdo aspekt.

Tani, meqenëse Edi Rama dështoi të vendosë kontrollin e tij edhe mbi këtë proces online, ai po përdor metoda të tjera absolutisht të dënueshme, antikushtetuese, për ta kontrolluar procesin.

Në funksion të këtij procesi, KQZ ka kërkuar që të lëvizen datat e paraqitjes së partive, koalicioneve, kandidatëve, dhe ne, ndonëse nuk kemi bindje se është një diçka e domosdoshme, por përsëri për t’i dhënë një hapësirë dhe mundësi për qëndrimin më të madh në këtë proces, kemi shprehur gatishmërinë tonë të angazhohemi në ndryshimet ligjore të nevojshme që kërkohen për këtë proces.

KQZ ka propozuar gjithashtu një praktikë që është ndjekur në të gjitha zgjedhjet e tjera, përveçse në Himarë, se e refuzoi se donte ta merrte me çdo kusht me Vangjel Tavon, një tradhtar edhe i shqiptarëve, edhe i grekëve, por edhe besnik i mafies së Edi Ramës.

Pra, KQZ kërkoi të shtyhet afati i dokumenteve shqiptare dhe kjo ka ndodhur edhe në zgjedhjet e tjera. Ky është një akt periodik që del sa herë vijnë zgjedhjet dhe kjo është normale.

Por tani, për arsye të mbrapshta, duke parë urrejtjen që ka shpërthyer ndaj Edi Ramës dhe PS në diasporë, Edi Rama kërkon të dënojë, sipas llogarive tona, të paktën dy të tretat e shqiptarëve që ndodhen jashtë vendit, të cilët janë të sistemuar në këto vende dhe disponojnë dokumentet biometrike të vendeve ku jetojnë.

E vërteta është se dokumentet shqiptare i disponojnë më së shumti ata që nuk janë legalizuar në vendet ku jetojnë dhe për këta ka statistika. Këta janë më pak se një e treta.

Ne kemi përgatitur amendamentin dhe ne kërkojmë me ligj që këtyre t’u njihet çdo dokument biometrik i vendit ku jetojnë. Qoftë letërnjoftim, qoftë pasaportë.

Jashtë kësaj kërkese, ne nuk mund të pranojmë kurrë të përjashtojmë dy të tretat e emigrantëve dhe diasporës tonë nga votimi.

Ne mendojmë se ky është një akt i pashembullt, një diskrimin që nuk ka asnjë lloj baze.

Ka vetëm një kriter themelor që duhet të respektojë çdo qytetar që duhet të ushtrojë të drejtën e votës, shtetësia shqiptare.

Të gjitha të tjerat pastaj, duhet përgjigjur, por nuk duhet të jetë kurrë letërnjoftimi shqiptar, më epror se letërnjoftimi amerikan, kanadez, gjerman, belg, etj.

Pra, duke paraqitur një pretendim të tillë, Edi Rama dëshmon frikën e tmerrshme që ka nga vota e emigracionit dhe diasporës për shkak të alergjisë që kanë shprehur këta qytetarë ndaj narkoregjimit të Edi Ramës.