Fri, Jan 31, 2025

Dinamo, Daja pas ndeshjes: Një pikë në derbi nuk është keq, por ai gol në fund lë shije të hidhur

  • PublishedJanuary 25, 2025

Dinamo, Daja pas ndeshjes: Një pikë në derbi nuk është keq, por ai gol në fund lë shije të hidhur

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, analizoi barazimin 1-1 ndaj Partizanit.

“Sigurisht që të vraposh gjatë gjithë ndeshjes, do vijë një moment edhe do dorëzohesh, se djemtë dhanë maksimumin. Ishte lojë e bukur për t’u parë, se derbi dha emocione, ishte një ambient i mirë me tifozë. Po ta kapësh në kompleksitet, ishte derbi emocional e i mirë për tifozët. Por të pësosh në fund nuk të vjen mirë, në ato raste duhej të ishim treguar më pragmatistë, se me rastet që kishim duhej vënë rezultati përpara. Por janë pjesë e lojës, ishim përballë Partizanit me pretendime maksimale. Ne kishim probleme me mungesat, por në fund fare nuk kam çfarë i kërkoj djemve, po pritnim të dilte topi jashtë të bënim zëvendësimet për të shtyrë sekondat në shtesë.

Sigurisht kemi një humbje e dy barazime, nuk do thotë që për një humbje nuk ët ecën, është gjithmonë e vështirë me Partizanin. Besoj që morëm atë që deshëm se në fund fare, erdhëm për të marrë maksimumin, por edhe një pikë në derbi nuk është keq.

Nuk ndryshuam strategji, ishte rënia e 2-3 lojtarëve nga gjendja fizike. Dihet se Bregu është i rëndësishëm por nuk është në maksimum, edhe pse sot ka dhënë më tepër se mundej. Na ranë si rrallëherë Zabërgja e Qefalija që në pjesës e parë bënë distancat më të mëdha të markimit, për të mbyllur problemet në mesfushë nga mungesa e Tolit dhe Karamba. Ndoshta që në ato minuta të fundit, ku edhe Partizani kishte shenja lodhje, mund të ishim pak më të qetë në zotërimin e topit apo krosime nga fundorja ku disa herë Meksi apo Nani kishin mundësi të rrezikonin. Por i mëshoj faktit që duhej të kishim administruar më mirë topin, duke luajtur në gjerësi se Partizani nuk kishte më energji, ashtu si ne.

Ne vijën e parë kemi lojtarë të shpejtë e mund të lëshojmë territor, por sot nuk e kishim strategji se Partizani në lojën në ajër apo afër zonës është gjithmonë i rrezikshëm, ka lojtarë të fortë në ajër. Ishte pjesë e rënies së dy lojtarëve që për ne janë shumë të rëndësishëm e na bëri të zbresim një linjë më poshtë.

Nuk ramë vetëm ne, edhe Partizani. Nuk u tërhoqëm, por nganjëherë në 10 minutat e fundit edhe kundërshtari nuk ka çfarë humb e hidhet me shumë forca. Edhe Partizani kishte rënë fizikisht një pjesë e mirë e lojtarëve. Ato kishin më shumë gjerësi në krahë dhe ne ishim detyruar të luanim poshtë. Me diagonalet e Janjevës e Buxhelajt kishin më shumë gjerësi dhe në momente të tilla dashje pa dashje do zbresësh. Kur ranë dy ekipet, ne duhej të kishim administruar topin dhe më shumë jo në thellësi, edhe pse Mandela e Zabërgja kanë cilësi të tilla. Por ne duhej të ndryshonim krahun e lojës dhe të mbanim Partizanin në gjysmëfushën e vet me qarkullim. Në fund morëm atë gol, por është pjesë e lojës dhe duhet të pranojmë që loja është deri në 95 minuta. Ndoshta me dy forca më të reja mund të kishim pak më shumë energji, por me atë që u prodhua, nuk jemi të mërzitur, pasi kemi marrë një gol në minutat e fundit.

Çdo ndeshje ka emocionet e veta, por sigurisht ndeshja e parë ka një të veçantë që nuk harrohet, ndërsa të tjerat i kap rutina. Ajo e ndeshjes së parë është emocion më i fortë”, tha Daja.


AlbaniaWeb.net