Sun, Jan 26, 2025

Hamasi liron katër ushtare izraelite në këmbim të 200 të burgosurve palestinezë

  • PublishedJanuary 25, 2025

Hamasi liron katër ushtare izraelite në këmbim të 200 të burgosurve palestinezë

Grupi i militantëve palestineze Hamas liroi të shtunën katër gra ushtare izraelite që mbante peng prej tetorit të vitit 2023, në këmbim të 200 të burgosurve palestinezë, kjo në përputhje me marrëveshjen që i dha fund luftimeve rreth 15 mujore në Gazë.

Katër pengjet izraelite u transportuar me automjete të Kryqit të Kuq tek forcat izraelite.

Menjëherë pas kësaj, autobusë me të burgosur palestinezë u panë duke u nisur nga burgu ushtarak izraelit ‘Ofer’ që ndodhet në Bregun e pushtuar Perëndimor. Shërbimi i Burgjeve të Izraelit tha se ishin liruar 200 persona.

Këto zhvillime u përshëndetën nga izraelitë të mbledhur në Tel Aviv e palestinezë të mbledhur në Ramallah. Ky është shkëmbimi i dytë sipas marrëveshjes së armëpushimin, pas të parit që ndodhi më 19 janar.

Marrëveshja parashikon që Hamasi të lirojë 33 gra, fëmijë, të moshuar, të sëmurë apo pengje të plagosur, gjatë një faze të parë gjashtëjavore, ndërsa Izraeli do të lirojë në këmbim, 30 të burgosur për çdo civil të liruar dhe 50 për çdo ushtar.

Katër ushtaret izraelite të liruara të shtunën – Karina Ariev, Daniella Gilboa, Naama Levy dhe Liri Albag – u morën peng më 7 tetor të vitit 2023 ndërsa ndodheshin në një postë ushtarake vëzhgimi pranë Gazës. Sulmi terrorist i grupit të militantëve të Hamasit brenda territorit izraelit u bë shkak për fillimin e luftës në Gazë.