Udhëheqësi jetëgjatë i kishës Orthodokse shqiptare ndahet nga jeta
Udhëheqësi më jetëgjatë i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasi, u nda nga jeta në moshën 95 vjeçare të shtunën më 25 janar në një spital të kryeqytetit grek Athinë, njoftoi zyra e tij.
“Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet,” thuhet në njoftim.
Lindur në 4 nëntor 1929 në Pire, Anastas Janullatos pati një karrierë të gjatë akademike dhe ishte njohës i tetë gjuhëve. Ai u vendos mes debateve në krye të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë në vitin 1992 me detyrën për të rindërtuar infrastrukturën dhe burimet njerëzore të kishës pas më shumë se 25 vitesh mbylljeje totale dhe pas gati pesë dekadash persekutimi të vazhdueshëm.
Nën drejtimin e tij, Kisha Ordhodokse fitoi një zhvillim të gjithanshëm përmes ndërtimit, rindërtimit apo restaurimit të objekteve fetare, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe krijimit të një klase shërbyesish fetarë duke u nisur nga asgjëja.
Kisha Orthodokse u zhvillua gjithashtu me struktura ekonomike mbështetësve përmes investimeve në shëndetësi në krijimin e një qendre diagnostikuese në Tiranë apo përmes investimeve në hidroenergji, përmes kompanisë C&S ENERGY, një kompani e cila vitin 2023 shënoi asete me vlerë gati 30 milionë euro dhe fitime neto mbi 1 milionë euro.
Objekti më i rëndësishëm i trashëgimisë së tij është padyshim katedralja Ngjallja e Krishtit në Tiranë, një projekt i kushtueshëm shumëvjeçar, punimet për pikturimin e së cilës vijojnë edhe sot, e me gjasa, do të vijojnë edhe për shumë vite të tjera.
Për shkak të përkatësisë së tij kombëtare greke, prania e tij në krye të kishës shqiptare shkaktoi pakënaqësi në radhët e nacionalistëve shqiptarë, të cilët shpesh e akuzuan atë si armik me axhendë të fshehtë. Tensioni shënoi kulmin në fillim të viteve 2000, kur Shqipëria dhe Greqia patën mosmarrëveshje mbi ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore në luftën kundër Italisë fashiste të kryer përgjithësisht në territorin e Shqipërisë së jugut si dhe në lidhje me të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi apo të shqiptarëve çamë të përzënë nga Greqia në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri.
Në një episod të pakëndshëm, në vitin 2006, në fshatin Kosinë pranë Përmetit, një prift orthodoks u akuzua se kishte nxjerrë eshtrat e një varreze të vjetër në kërkim të eshtrave të ushtarëve grekë. Një varrezë e madhe në grykën e Këlcyrës u nis të ndërtohej pa leje dhe u legalizua më vonë nga qeveria shqiptare.
Përgjatë viteve, kisha orthodokse u përplas herë pas here me shtetin shqiptar të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ku episodi më i rëndë ishte vendimi i qeverisë për të shembur si ndërtim pa leje një kishë të vogël në fshatin Dhërmi, me pretendimin se ishte ndërtim pa leje. Konflikti ngjalli fantazma të konkurrencës fetare mes orthodoksisë dhe kishës uniate, kishë katolike e ritit bizantin, pjesë e së cilës janë në shumicë arbëreshët e Italisë.
Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë u themelua në Berat në vitin 1922, por Patriarkana Ekumenike e Stambollit pranoi ekzistencën e saj vetëm pesëmbëdhjetë vjet më vonë, në vitin 1937. Në një histori të shkurtër të kishës orthodokse, të shkruar nga vetë Janullatos dhe të publikuar në faqen zyrtare të internetit të kishës, theksohet se autoqefalia u njoh nga patriarkana “për shkak të zhvillimeve politike dhe rreziqeve të ndryshme nga Perëndimi” pasi mungesa e njohjes pati krijuar “rrëmuja” nga të cilat “u përpoqën të përfitonin Uniatët dhe grupet protestante.”
Fillesat e kishës pas rënies së komunizmit u shoqëruan me konflikte të vazhdueshme me shtetin shqiptar për shkak të përkatësisë entike greke të të gjithë drejtuesve të kishës së rithemeluar nën drejtimin e Patriarkanës Ekumenike. Sot situata duket se ka ndryshuar tërësisht, pasi i gjithë korpusi i drejtuesve janë shqiptarë.
Kisha Orthodokse sot menaxhon 17 kopshte, 3 shkolla nëntëvjeçare, një gjimnaz si dhe dy institute profesionale.