Wed, Jan 29, 2025

Kongresi Ballkanik për herë të parë në Tiranë, Anxhaku: Zhvillim i madh për çiklizmin shqiptar

  • PublishedJanuary 27, 2025

Kongresi Ballkanik për herë të parë në Tiranë,  Anxhaku: Zhvillim i madh për çiklizmin shqiptar

Për dy ditë më radhë Tirana priti për herë të parë Kongresin e Unionit Ballkanik të Çiklizmit, një event që solli në vendin tonë drejtuesit e federatave të dyrrotakut rajonal. Në këtë kongres u konfirmua me vota unanime president i Unionit Ballkanik turku Emin Muftuoglu, si kandidaturë e vetme në zgjedhje. Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Alfred Tahiraj u zgjodh zv.president i BCU dhe bashkë me të u zgjodh në postin e zv.presidentit edhe Catalin Sprinceana, i Rumanisë.

Punimet e Kongresit u përshëndetën nga Presidenti i Unionit Europian, Enrico Della Casa, ndërsa i ftuar nder ishte edhe kreu i KOKSH, Fidel Ylli, me kongresin që u përshëndet gjithashtu edhe zv.ministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha. Në një prononcim për “Panorama Sport”, presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, e quajti vlerësim të madh pritjen e kongresit nga Shqipëria, ndërsa shprehu falënderimet e tij për mbështetësit e çiklizmit në vendin tonë: “Është nder i madh që të gjithë federatat ballkanike e mirëpritën me dashuri këtë eveniment. Gjithçka kaloi në mënyrë jashtëzakonisht të mirë dhe një vlerë të madhe ka kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, njeriu që i ka ndenjur gjithmonë afër sportit dhe çiklizmit shqiptar.

Gjithashtu presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, zv.ministri Endrit Hoxha, i cili nuk na u nda nga fillimi e deri në fund të kongresit që u mbyll në mënyrë të shkëlqyer. Me këtë rast dua që ti përshëndes të gjithë delegatët dhe zgjedhjen e Alfred Tahirajt me vota unanime zv.president të Federatës Ballkanike, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv në KOKSH. Ky është vlerësim jo vetëm për çiklizmin por për të gjithë sportin shqiptar. Çiklizmi në Shqipëri do të ketë një prioritet shumë të madh, aq më tepër tashmë që do të marrim pjesë në Xhiron e Italisë. Unioni Ballkanik do të na japë mbështetje të madhe, duke e zhvilluar sportin e çiklizmit në vendin tonë”, u shpreh fillimisht Anxhaku.

XHIRO E ITALISË – Kreu i FSHÇ-së më tej foli edhe për Xhiron e Italisë, një eveniment madhor, që për herë të parë në histori do të nisë me 3 etapa në Shqipëri: “Pritja e Xhiros së Italisë është diçka e jashtëzakonshme, pasi bëhet fjalë për një nga aktivitetet më të rëndësishme botërore, pas Turit të Francës. Kryeministri Edi Rama ka bërë një veprimtari shumë të madhe për zhvillimin e sportit dhe të turizmit, pasi bëhet fjalë për një kompeticion që do të ndiqet nga 10 milionë njerëz dhe nga 250 media, me transmetim televiziv. Pritja e Xhiros së Italisë pati jehonë shumë të madhe edhe në Kongresin Ballkanik, pasi të gjithë ishin të befasuar sesi ia arriti Shqipëria që të marrë pjesë në Xhiron e Italisë. Janë të ftuar të gjithë presidentët dhe sekretarët e federatave ballkanike që të vijnë dhe ta shikojnë nga afër Xhiron e Italisë. Pra do të jetë një zhvillim shumë i madh për sportin shqiptar”.

KRAHASIMI ME FUTBOLLIN – Për Skënder Anxhakun nuk ka asnjë dyshim se pritja e Xhiros së Italisë është një ngjarje shumë më madhore se finalja e Ligës së Konferencës në futboll, e zhvilluar në vitin 2022 në Tiranë: “Vërtetë këtu u zhvillua finalja e Ligës së Konferencës në futboll, Roma-Fejnord, por u ndoq vetëm në stadium. Xhiro e Italisë është një ngjarje shumë herë më e madhe se ajo finale. Për Xhiron është interesuar edhe vetë presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Presidenti i Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), francezi David Lappartient do të vijë në vendin tonë. Në Xhiron e Italisë do të shikohen të gjithë bukuritë e vendit tonë, duke filluar nga lumenjtë, nga malet, nga deti, etj,. Kështu që Shqipëria do të fluturojë me këtë rast”, përfundon prononcimin e tij Anxhaku.

()


AlbaniaWeb.net