VIDEO/ Vjedhja e muzeut të Holandës, publikohet momenti kur hajdutët vendosin eksplozivin dhe futen në ndërtesë për të grabitur objektet e lashta të arit
Është publikuar momenti kur disa persona kanë shpërthyer derën e muzeut të Drents në Assen të Holandës dhe u futën të grabisnin katër objekte të lashta ari , pjesë e një ekspozite nga Rumania.
Momenti kur hajdutët hynë në muze u regjistrua nga një kamera sigurie. Në video shihen disa nga autorët duke vendosur eksplozivin i cili shpërtheu dhe ata u futën në ndërtesë.
Sipas BBC, sendet që hajdutët kanë grabitur ishin tre byzylykë spirale Daciane si dhe pjesa qendrore e ekspozitës, helmeta e artë e dekoruar në mënyrë mbresëlënëse e Cotofenesti, e cila daton rreth vitit 450 para Krishtit.
Drejtori i Muzeut Drents tha se stafi ishte thellësisht i tronditur nga depërtimi, që ai tha se ishte incidenti më i madh në historinë e tij 170-vjeçare. Policia, përveç pamjeve nga kamerat e sigurisë, po heton edhe një automjet të djegur të gjetur në një rrugë aty pranë.
Asnjë arrestim nuk është bërë deri më tani, por autoritetet dyshojnë se janë përfshirë disa persona dhe i është kërkuar ndihmë Interpolit.
Nga ana e saj, Ministria e Kulturës rumune premtoi të marrë të gjitha masat e mundshme për të rikuperuar objektet e vjedhura. Të katër sendet e vjedhura kanë një rëndësi të madhe kulturore për Rumaninë, si helmeta Cotofenesti që konsiderohet një thesar kombëtar.