Vlahoviç në shitje, serbi qëndron deri në fund të sezonit, më pas mund të largohet për 35-40 milionë euro
Dusan Vlahoviç kthehet në çështje tek Juventus. Në fakt emri i sulmuesit serb, prej javësh është ndër më të lakuarit në shtëpinë e torinezëve. Kjo sepse tekniku Thiago Motta duket se e ka bërë të qartë dhe ka vendosur “veton” mbi sulmuesin. Edhe ardhja e Kolo Muanit dhe aktivizimi i tij i menjëhershëm si titullar në ndeshjen ndaj Napolit, ishte tregues i qartë se ky sezon do të vijojë ta shof Vlahoviç jo më si protagonist tek “Zonja e Vjetër”.
Megjithatë vetë serbi së bashku me agjentin e tij, duket se kanë vendosur që të qëndrojnë në Torino, të paktën deri në fund të sezonit.
Oferta për të nuk mungojnë, por sipas asaj që bën me dije “La Stampa”, sulmuesi ka reflektuar mbi të ardhmen e tij dhe ka marrë vendimin se opsioni më i mirë është që të mos lëvizë në sezon e sipër, por të vlerësojë të gjitha ofertat dhe mundësitë pas qershorit.
Vetë klubi juventin duket se është dakord me çdo projekt të Thiago Mottës, por nga ana tjetër nuk kërkon ta humbë Vlahoviç pa asnjë para në shkëmbim, ndaj “Zonja e Vjetër” do të linte të hapur mundësinë për të nisur tratativat me cilindo klub që do të interesohej për serbin, por duke vendosur “në pjatë” jo më pak se sa 35-40 milionë euro.