FOTO/ Milan bën “vetëvrasje” në Zagreb, jashtë “Top8” edhe Juve, në Itali mediat e bëjnë dramë
Milan bën “vetëvrasje” në Zagreb, pësoi një humbje të rëndë 2-1 duke e mbyllur fazën e grupeve në Champions në vendin e 13-të, jashtë “Top8”, por siguruan një vend në “play-off” ku do të përballen me PSV. Ekipi i Conceiçao-s zhvilloi një 90-minutësh të shëmtuar duke gabuar gjithçka që në start.
Fillimisht ishte Gabbia që bërë një gafë të rendë duke i dhënë mundësinë Baturina-s të realizonte golin e parë. Më pas ishte Musah që shkaktoi një faull në kufijtë e zonës së rreptësisë duke u ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë.
Me fillimin e pjesës së dytë, “djalli” krijoi iluzionin se mund të riktheheshin në lojë teksa Pulisic barazoi shifrat në 1-1. Festa nuk zgjati shumë pasi Pjaca në minutën e 60-të realizoi sërish për Dinamo Zagreb duke i dhuruar ekipit të Cannavaros një fitore morali pasi kroatët mbeten jashtë Champions League, e mbyllën fazën e grupeve në vendin e 25-të, ku diferencën e bëri golavarazhi. Nuk u preferua për asnjë minutë sulmuesi kuqezi, Arbër Hoxha.
I ashpër në konferencë për shtyp u shfaq trajneri Conceiçao i cili nuk i kurseu kritikat ndaj djemve të tij: “Mund të flasim shumë për module, taktike etj, por na mungoi agresiviteti, mentaliteti që u futën në fushë, mbi të gjitha na munguan bazat e futbollit. Ky është një sport i cili bazohet tek duelet, ofensivë dhe defensivë”, u shpreh Conceiçao.
Zhgënjeu në mënyrë të pabesueshme edhe Juventus. “Zonja e Vjetër” pësoi një humbje të rendë 2-0 brenda në “Stadium” nga Benfika-s. Portugezët realizuan nga një gol për çdo pjesë duke bërë që “Zonja e Vjetër” të mbyll fazën e grupeve në vendin e 20-të. Në play-off, ekipi i Thiago Motta-s do të përballet fillimisht me Feyenoord, por më pas rrezikon të përplaset me Milan.
Mediat dhe opinioni në Itali shpresonin që “azzurrët” të shkonin me katër ekipe në “Top8”, por kjo mbeti vetëm në letër pasi Milan dhe Juve zhgënjyen në mënyrë të pabesueshme. “Juve në panik, vetëm Inter në Top8”, shkruan TuttoSport në faqen e parë.
()