Thu, Jan 30, 2025

“Shqipëria një euro” dhe përjashtimet nga taksat duhen reduktuar ndjeshëm

  • PublishedJanuary 30, 2025

“Shqipëria një euro” dhe përjashtimet nga taksat duhen reduktuar ndjeshëm

PROF. DR. ARBEN MALAJ

Analizat e historisë tregojnë se përjashtimet, shkurtimet e taksave dhe afatet tepër të gjata që ofrohen pa garë dhe pa transparencë publike mund të jenë të parapëlqyera nga politikanët, pasi mund të jetë një rrugë e lehtë për të pasuruar individë apo kompanie të paracaktuara nga interesa të dyshimta.

Përfshirja në qarkullimin ekonomik dhe efikas e çdo pasurie të çdo individi, çdo biznesi dhe çdo prone publike, duhet të jetë në qendër të sfidave tona për një rritje ekonomike më të lartë, më të qëndrueshme dhe më të dobishme edhe për shtresën e mesme dhe të varfrit. Kam mbështetur krijimin e Fondit Shqiptar të Investimeve, duke qenë qartësisht pro këtij institucioni financiar të rëndësishëm, i cili në thelb synon pikërisht të futë në qarkullim ekonomik pronat publike të fjetura dhe të papërdorura.

Bashkëpunimi me kompanitë private në disponimin e këtyre pronave duhet bërë përmes kritereve strikte, duke rritur transparencën, duke mbështetur konkurrencën e lirë dhe duke analizuar me profesionalizëm përfitimet dhe risqet/kostot potenciale të njohura dhe të fshehura. Përzgjedhja e përfituesve të lehtësirave tatimore nuk duhet bërë negocim për oferta të pakërkuara, por nëpërmjet proceseve konkurruese duhet të jetë mundësi e barabartë për çdo konkurrent potencial.

Shqipëria pas viteve 2000, rreth 35 vite më vonë nuk është më Shqipëria e vitin 1992, burimet tona natyrore nuk janë të pakufizuara dhe pronat tona të fjetura dhe të papërfshira në qarkullimin ekonomik nuk mund të ofrohen si “gjynaqarë” çdo investitori të vetofruar dhe aq më pak investitorëve fantazmë, të cilët synojnë vetëm periudhën e lehtësirave tatimore. Paketa e Gjermanisë Lindore “Një dojc-mark” dhe paketat aktuale “Shqipëria – Një euro” synojnë: (i) përshpejtimin e tranzicionit dhe (ii) krijimin e vendeve të reja të punës. Përfitimet e aplikimit të kësaj pakete ishin: Rritja e investimeve të huaja direkte; ristrukturimi i ndërmarrjeve, krijimi i vendeve të reja të punës. Investimet e huaja në Gjermaninë Lindore reduktuan papunësinë e lartë dhe lehtësuan transferimin e teknologjisë edhe të njohurive menaxheriale e teknologjike. Kjo nuk ka ndodhur me paketën “Një euro”. Por paketa një dojc-mark dhe një euro nuk janë çudibërëse, kostot përfshijnë: humbja e të ardhurave nga taksat: reduktimi i aftësisë së qeverisë për të financuar shërbimet publike dhe infrastrukturën publike.

Konkurrenca e pandershme rriti varësinë nga investimet e huaja, duke i bërë ekonomitë e tyre më të ndjeshme ndaj luhatjeve në tregjet e huaja dhe rritur problemet sociale dhe pakënaqësi e taksapaguesve. Bizneset përfituese rritin presionet edhe politike për rritjen dhe zgjatjen e përfitimeve siç po ndodh aktualisht edhe në vendin tonë. Kjo rrit riskun për rritje të rasteve të korrupsionit deri në kapje të shtetit. Përjashtimet nga taksat, ulja e kostos së tyre dhe periudhat shumë të gjata të përjashtimit kanë një ndikim negativ në cilësinë e shërbimeve publike dhe qëndrueshmërinë e financave publike. Për shkak të risqeve në rritje të përjashtimeve të rritura dhe të zvarritjeve në kohë të lehtësive tatimore është krijuar baza e të dhënave e lehtësive tatimore/ shpenzimeve tatimore në nivel globalë, mbledh të dhëna nga 102 vende. Rezulton se mesatarisht gjatë periudhës tridhjetëvjeçare 1990–2020, qeveritë heqin dorë nga të ardhurat tatimore (për shkak të lehtësive tatimore që japin) me rreth 3.7 për qind të GDP-së dhe rreth 23.5 për qind të të ardhurave tatimore. Për vendet anëtare të OECD ato respektivisht janë 4.7 për qind e PBB-së dhe 27.9 për qind e të ardhurave tatimore. Nqs., për vendin tonë do të përllogarisin përjashtimet dhe ulje të taksave nga paketa “Një euro” në nivelin rreth 4 për qind të GDP-së nominale, shuma e humbur e të ardhurave, apo të “dhuruar” nëpërmjet lehtësimeve tatimore, kur GDP nominale në vitin 2023 është rreth 23 miliardë dollarë, janë rreth 920 milionë dollarë.

Në kushtet kur të ardhurat nga tatimet janë rreth 450 miliardë lekë dhe përjashtimet tatimore janë rreth 25 për qind, humbja e të ardhurave janë rreth 112 miliardë lekë Kjo vështirëson stabilitetin financiarë të vendit dhe burimet financiare për të mbështetur më mirë dhe pa rritur taksat, arsimin, shëndetësinë, mbrojtjen sociale, bujqësinë dhe ekonominë e dijes. Komisioni Evropian në strategjinë e tij për “taksa më të mira” përcakton prioritetet e BE-së në fushën e taksave, duke përfshirë luftën kundër: (I) evazionit fiskal, (ii) shmangieve tatimore dhe (iii) konkurrencë tatimore të pandershme. BE-ja po punon për këtë lloj deformimi kundër konkurrencës së ndershme, duke kërkuar transparencë dhe llogari dhënie në lidhje me përgjegjësitë dhe detyrimet e respektimit të rregullave të ndihmës shtetërore. Edhe në Ballkanin Perëndimor, lehtësitë tatimore janë të përhapura. Llojet e lehtësive tatimore/shpenzimet e taksave, në Ballkanin Perëndimor paraqiten në katër forma kryesore: (i) Ulje tatimore për bizneset e vogla dhe të mesme (SME); (ii) përjashtimet tatimore për sektorët e tyre, si bujqësia dhe turizmi; (iii) stimulime tatimore për investimet e huaja; (iv) lehtësime tatimore për kompanitë me të ardhura të ulëta dhe (v) lehtësitë e përjashtime tatimore për individët me aftësi të kufizuara. Lehtësitë tatimore reduktojnë të ardhurat ekonomike dhe arritjen e qëllimeve specifike sociale. Ato krijojnë një konkurrencë të pabarabartë për bizneset.

Lehtësitë tatimore duhet t’i nënshtrohen transparencës dhe konsultim publik, pasi ato reduktojnë burimet publike për financimet e domosdoshme për të arritur objektiva sociale dhe ambientaliste. Pavarësisht risqeve të përjashtimeve tatimore, kjo nuk do të thotë se skema të tilla nuk duhet të aplikohen, por përfituesit duhen përzgjedhur vetëm bazuar në përfitimet reale në ekonomi, duke ulur përfitimet e tyre fiskale, t’i shërbejnë më mirë koherencës së objektivave dhe të ofrojnë efektivitet dhe efiçencë maksimale. Kostoja më e madhe e lehtësive tatimore është deformimi i konkurrencës, është dëmtimi i rregullave të lojës në ekonominë dhe gërryerjes së burimeve financiare. Lehtësitë tatimore shpesh dëmtojnë cilësinë e investimeve të përfituesve, sepse ato reduktojnë ndjeshëm investimet e tyre pas humbjes së lehtësive jo vetëm tatimore. Disa i shesin përfitimet te kompani të tjera dhe disa largohen. Kujtoni rastin e “Mak Albania” – erdhi me shumë bujë dhe iku shumë qetësisht, ndoshta edhe pse mund të kishte përfunduar periudha e përfitimeve të lehtësive tatimore.

Paketat bujare “Shqipëria një euro” nuk duhet të kenë periudha afatgjata dhe të rizgjatura për përfitime nga përjashtimet tatimore, që në thelb janë ndihma shtetërore nga taksapaguesit shqiptarë. Edhe kontratat koncesionare që kanë përfitime tatimore nuk duhet të jenë të gjata. Ato duhen të mbikëqyren shumë mirë. Kur përfituesit nuk ka realizuar planin e biznesit mbi të cilin ka fituar lehtësitë tatimore, t’i rimerret prona dhe të rifutet në qarkullim me një ofertë të re publike. Koncesionet me 99 vite duhet të jenë një kujtim i shkuar nga tranzicioni ynë i vështirë, ku mungonte kapitali financiar, njohuritë manaxheriale dhe për teknologjitë përherë në evoluim./Gazeta Panorama