“Tërbohet” Martinez, Inter “fluturon” në 1/8, bind edhe Asllani, Inzaghi: Dua të dy trofetë
6 fitore 1 barazim 1 humbje në 8 ndeshje, 19 pikë në total, vendi i katërt në Champions. Inter “fluturon” direkt në fazën e 1/8 pas suksesit të pastër 3-0 përballë Monaco. Kjo ishte ndeshje e 6-të radhazi në “San Siro” që ekipi i Inzaghi-t nuk pësoi gol. “Tërbohet” Lautaro Martinez, me “demin” që realizoi një “tripletë” golash duke arritur kuotën e 17 finalizimeve në Champions, po aq sa legjenda Sandro Mazzola.
Kapiteni gjeti golin e parë që në minutën e 4-ërt duke konvertuar në gol penalltinë e fituar nga Thuram. Pak minuta më vonë, Monaco mbeti me 10-të lojtarë pasi Thuram detyroi mbrojtësin e Monaco të shkarkojë faull si lojtar i fundit. Inter nuk u mjaftua me kaq, pasi Martinez në minutën e 16-të realizoi golin e dytë personal me një goditje të fortë brenda në zonë.
Me rezultatin të hipotekuar dhe me mendje te derbi, Inzaghi nisi valsin e zëvendësimeve, por la në fushë Martinez, me kapitenin që kompletoi mbrëmjen e tij perfekte në minutën e 67-të.
Për 90 minuta në fushë qëndroi Kristjan Asllani, me mesfushorin kuqezi që u vlerësua nga mediat italiane me notën 6,5: “Mban të gjatë kandidaturën për një fanellë titullari edhe në derbi. 110 prekje të topin, thuajse të gjitha të sakta”, shkruan TuttomercatoWeb.
Inter vijon rrugëtimin thuajse perfekt këtë sezon pasi zikaltërit janë në garë në të dy trofetë, Serie A dhe Champions. Me bindje të plotë, Inzaghi theksoi se synon t’i shkojë deri në fund: “Ky është objektivi, t’i shkojmë deri në fund të gjithë kompeticioneve, por sigurisht në lojë janë edhe rivalët”, u shpreh Inzaghi.
()