Gjermania në krizë, çfarë pritet nga qeveria e re? Bizneset kërkojnë ndryshim rrënjësor ekonomik dhe politik pas zgjedhjeve
Kosto më të ulëta të energjisë, më pak taksa, më shumë stimuj financiarë për investime. Ligji i punës më fleksibël. Ngrirja e shpenzimeve sociale. Dhe mbi të gjitha, më pak burokraci. Këto janë gjërat që ekonomia gjermane kërkon nga qeveria e ardhshme federale. “Ekonomia është në rënie. Shkalla e papunësisë po rritet.Gjermania po bëhet gjithnjë e më pak tërheqëse për investitorët”, thotë Rainer Dulger, president i Shoqatës së Punëdhënësve, për situatën aktuale në Gjermani.
Ka mungesë të fuqisë së kualifikuar punëtore, u ankua ai. Niveli i rregullave dhe i burokracisë është rritur vitet e fundit, ashtu siç janë rritur edhe kostot e punës dhe përfitimet e tjera për kompanitë, kritikoi Dulger. “Një vend që po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë për të investuar duhet të jetë gjithnjë e më i mirë, nëse dëshiron të jetë një vend atraktiv për investime. Por Gjermania nuk është e tillë. Republika Federale nuk është më konkurruese në krahasimin global”, është diagnoza e Dulger.
Roli i industrisë në Gjermani
Fuqia ekonomike e vendit mbështetet kryesisht (më shumë se 25 për qind) në industri. Pas dy vitesh në recesion, Shoqata Federale e Industrisë Gjermane (BDI) pretendon se prodhimi në kompani është më i ulët sot se sa ishte pesë vjet më parë. Lajme të ngjashme negative vijnë edhe nga sektorë të tjerë. Kudo në Gjermani po prodhohet më pak, më pak po ndërtohet, më pak po blihet e konsumohet.
Ekspertët ekonomikë që këshillojnë qeverinë federale thonë në analizën e tyre aktuale vjetore se ata kanë vërejtur një rënie të vazhdueshme që shtrihet në të gjitha industritë dhe sektorët. Veçanërisht shqetësuese: Gjermania po eksporton gjithnjë e më pak.
Për dekada, modeli gjerman bazohej në një formulë të thjeshtë: lëndët e para dhe produktet gjysëm të gatshme bliheshin relativisht lirë jashtë vendit, më pas me ndihmën e aftësive punëtore gjermane dhe energjisë së lirë, ato “përpunoheshin” në teknologji që mbante etiketën e nohur në botë “Made in Germany”.
Agresioni rus kundër Ukrainës, kriza energjetike, inflacioni dhe tranzicioni drejt një ekonomie neutrale ndaj klimës kanë rezultuar me rritjen e çmimeve të energjisë. Ky është një problem veçanërisht për ato kompani që konsumojnë shumë energji. Sektorët më të rëndësishëm ekonomikë si inxhinieria mekanike dhe pajisjet elektrike janë prekur më së shumti. Ndërsa industria kimike, pas një rënie të ndjeshme në vitin 2023, është stabilizuar në një nivel të ulët, thonë ekspertët.
Largimi i kompanive jashtë vendit
Ekonomia kërkon ulje të ndjeshme të çmimeve të energjisë elektrike për t’u bërë sërish konkurruese. Në krye të listës së dëshirave është edhe kërkesa për uljen e kostove të burokracisë. Instituti i Mynihut Ifo flet për një shumë prej 65 miliardë eurosh në vit – këto janë paratë që kompanitë gjermaneduhet të shpenzojnë për të përmbushur detyrime të ndryshme ligjore, për shembull në lidhje me dokumentacionin e biznesit, apo plotësimin e parakushteve për miratimin e projekteve të reja.
Gjendja në kompani është e keqe dhe shumë prej tyre po kërkojnë të investojnë jashtë vendit, po kërkojnë alternativa tërheqëse atje. Në një sondazh të BDI-së thuhet se rreth një e treta e kompanive të anketuara kanë zhvendosur departamentet e tyre të kërkimit dhe zhvillimit jashtë vendit. Kreu i BDI, Peter Leibinger, paralajmëron se ky migrim po kërcënon Gjermaninë si një destinacion për aktivitetin ekonomik – “deri në thelb”, siç tha ai.
Mesazh politikës
Nisma, e cila bashkon rreth 100 shoqata biznesi dhe lobimi, nuk kërkon asgjë më pak nga qeveria e ardhshme federale sesa një kthesë të plotë në politikën ekonomike. Në një ditë të madhe veprimi më 29 janari kjo nismë planifikoi aksione të ndryshme në të gjithë Gjermaninë, në të cilat kompanitë duan të ndërgjegjësojnë publikun për problemet me të cilat përballen dhe t’u dërgojnë kërkesa politikanëve. Me këtë aksion ekonomia i dërgon politikës një mesazh “Zgjimi për politikën”. Zgjedhjet e 23 shkurtit janë “vendimtare”, pohojnë organizatorët e fushatës.
Kreu i Shoqatës së Punëdhënësve, Dulger, i ka dërguar së bashku me krerët e katër shoqatave më të mëdha të biznesit në vend, një letër me qëndrime të qarta drejtuesve të partive të përfaqësuara në Bundestag. Ata kërkojnë që pas zgjedhjeve të forcohen stimujt për bizneset në zonat rurale. Dhe sipas tyre, kjo do të thotë investime në pajisje, digjitalizim, transport dhe infrastrukturë – por edhe politika strehimi, shëndetësi, arsim, kulturë apo institucione sociale.
Në sondazhet aktuale të opinionit publik, ekonomia dhe migrimi janë dy temat më të rëndësishme për qytetarët gjermanë. Partitë CDU/CSU kanë kompetencën më të madhe, apo besimin më të madh tek qytetarët se mund t’i zgjidhin këto probleme. Në sondazhe, është Unioni dhe kadidati i tij për kancelar Friedrich Merz që gëzon besimin e shumicës së votuesve, rreth 30 për qind. Për të formuar një qeveri, Unionit do t’i duhet një ose dy partnerë koalicioni. Ndoshta mund të jetë SPD ose të Gjelbërit.
Ardhja e Trumpit
Gjatë negociatave të koalicionit për formimin e një qeverie të re federale, bindjet partiake-politike të partnerëve të mundshëm nuk do të jenë e vetmja gjë që do të ketë rëndësi. Ndikimet e jashtme, veçanërisht ndryshimet globale pas kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, pritet të luajnë një rol të madh.
Kompanitë gjermane po shikojnë me shqetësim përtej Atlantikut. Në vitin 2024, SHBA ishte partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë për herë të parë në dhjetë vjet. Rreth dhjetë për qind e eksporteve gjermane shkuan në SHBA.
Shumica e kompanive gjermane presin efekte negative në konkurrencën e tregut ndërkombëtar, sepse Trump, siç ka paralajmëruar, dëshiron të kontrollojë tregtinë dhe të vendosë tarifa doganore më të larta për mallrat nga vendet e tjera. Tregu amerikan është i një rëndësie kyçe për industrinë farmaceutike gjermane, por edhe për prodhuesit e automjeteve.
Gjermania i shet SHBA-së më shumë sesa blen prej saj. Ky fakt është një halë në sy për Donald Trumpin, i cili synon të reduktojë suficitin tregtar me Gjermaninë, ndërsa në të njëjtën kohë dëshiron të tërheqë kompanitë gjermane për të investuar dhe prodhuar edhe më shumë në SHBA./DW