Shqipëria U-16 do të përballet me Hungarinë në dy miqësore prestigjioze
Kombëtarja shqiptare U-16 do të zhvillojë dy ndeshje miqësore kundër përfaqësueses së Hungarisë, të cilat do të luhen në vendin tonë më 11 dhe 13 shkurt. Federatat përkatëse kanë arritur dakordësinë që të dyja këto përballje të zhvillohen në ora 14:30 në “Shtëpinë e Futbollit”.
Skuadra kuqezi, e drejtuar nga trajneri Andrea Tedesco, do të ketë një mundësi shumë të mirë për t’u testuar ndaj bashkëmoshatarëve hungarezë. Këto miqësore shërbejnë për të vlerësuar gjendjen aktuale të lojtarëve dhe për të përgatitur skuadrën për ndeshjet e ardhshme.
Në ditët në vijim, trajneri do të shpallë edhe listën e lojtarëve të grumbulluar. Këta futbollistë do të jenë pjesë e grupit potencial që pritet të përfaqësojë Shqipërinë në finalet e Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025.” Këto ndeshje janë një mundësi ideale për të treguar vlerat e tyre dhe për stafin teknik që të krijojë një ide të qartë për përbërjen e ekipit final.