Sat, Feb 1, 2025

100 vjet përkushtim për të Drejtën Ndërkombëtare e Kushtetuese

  • PublishedFebruary 1, 2025

100 vjet përkushtim për të Drejtën Ndërkombëtare e Kushtetuese

NGA XHEZAIR ZAGANJORI 

Më 19 dhjetor 2024, në Alte Aula të Universitetit të mirënjohur të Heidelbergut, krijuar në vitin 1386 me urdhër dhe porosi të veçantë të Papës së Romës Urbani VI, rreth 250 të ftuar nga Gjermania dhe vende të ndryshme të botës festuan përmes një ceremonie  të veçantë 100-vjetorin e themelimit të Institutit Max-Planck për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Kushtetuese. Universiteti i Heidelbergut ka qenë dhe mbetet mes universiteteve që qëndrojnë në majë të reputacionit akademik në nivel botëror. Instituti MaxPlanck për të Drejtën Ndërkombëtare e Kushtetuese ka një bashkëpunim të ngushtë me Universitetin e Heidelbergut.

Pedagogë të shumtë të këtij universiteti bëjnë kërkime në institut, ashtu si edhe punonjës të shumtë të institutit japim mësim në fakultete të ndryshme të këtij universiteti. Mes të ftuarve, në ceremoni ishin edhe drejtues të institucioneve të rëndësishme gjermane dhe europiane. Përveç mikpritësve, dy drejtorëve të institutit, prof. Anne Peters dhe prof. Armin von Bogdandy, mund të përmenden edhe Stephan Harbarth, President i Gjykatës Kushtetuese Gjermane; Koen Lenaerts, President i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, Patrick Kramer, President i Shoqatës Max Planck, Petra Olschowski, ministre e landit për Ekonominë dhe Kërkimin Shkencor e të tjerë. Të gjithë përshëndetën, duke vlerësuar punën e shkëlqyer të institutit gjatë një shekulli të tërë dhe uruan që kjo performancë ta shoqërojë sërish atë edhe në vitet në vijim.

Zoti Harbarth vuri në dukje ndër të tjera se garantimi gjithnjë i pranisë ex officio të Presidentit të Gjykatës Kushtetuese edhe në Këshillin Drejtues të Institutit është një vlerë e shtuar edhe për vetë Gjykatën Kushtetuese, pasi u krijon mundësinë të dy institucioneve të konsultohen e ndihmojnë njëri-tjetrin vazhdimisht në trajtimin e çështjeve më të mprehta teorike e praktike që kanë të bëjnë me zhvillimet në të drejtën ndërkombëtare e kushtetuese. Ai shtoi se në këtë drejtim”…unë dhe paraardhësit e kolegët e mi e kemi thënë dhe e themi me plot gojë se puna juaj ka qenë gjithnjë frymëzim për ne, veçanërisht në trajtimin e çështjeve të vështira e sensitive…”. Të njëjtën gjë theksoi edhe zoti Lenaerts. Ai tha se Gjykata Europiane e Drejtësisë e konsideron “..nder dhe privilegj të bashkëpunojë e shpesh edhe të citojë në vendimet e saj kontributet shkencore të Institutit, që kanë të bëjnë me të drejtën e Bashkimit Europian dhe të drejtën kushtetuese të shteteve anëtare…”. Instituti për të Drejtën Ndërkombëtare e Kushtetuese është krijuar më 19 dhjetor 1924, duke marrë fillimisht emrin e Perandorit apo Kaizerit gjerman Wilhelm i II.

Pra, quhej Instituti ‘Kaizer Wilhelm’ për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Kushtetuese, i cili vepronte në kuadër të shoqatës ‘Kaizer Wilhelm’. Kjo shoqatë e themeluar në vitin 1911 nga Kaizeri gjerman duhej të funksiononte si një organizatë joqeveritare, duke pasur si synim kryesor krijimin e instituteve që do të merreshin me çështje të kërkimit shkencor bashkëkohor në fusha të ndryshme të jetës ekonomike e shoqërore. Dy parimet kryesore që do të udhëhiqnin punën e këtyre instituteve ishin: a) Përcaktimi vetë i fushave kryesore të kërkimit dhe garantimi i lirisë akademike të çdo punonjësi dhe b) Krijimi i kushteve sa më të mira të punës dhe dhënia e pagave dinjitoze. Këto kritere e bënë tepër joshëse angazhimin në institutet e para të krijuara kryesisht në fushën e mjekësisë, fizikës, kimisë e biologjisë. Veçanërisht me interes e pa këtë angazhim, gjenerata e re e shkencëtarëve që punonin kryesisht në universitete, shumë prej të cilëve do të avanconin mjaft shpejt, duke fituar edhe Çmimin Nobel.

I tillë ishte rasti i kimistëve Peter Debye dhe Fritz Haber, fizikanëve Walter Bothe, Max Planck, Albert Einstein e të tjerë. Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1948, shoqatës gjermane të kërkimit shkencor do t’i hiqej emri i ish-Kaizerit gjerman dhe do t’i jepej ai i fizikanit të shquar Max Planck, i cili siç theksuam më sipër, në vitin 1918 kishte marrë Çmimin Nobel në fizikë. Pra, sot ajo quhet shoqata “Max Planck”. Brenda saj aktualisht veprojnë 84 institute të kërkimit shkencor në fusha të ndryshme të shkencave. Përveç instituteve, shoqata “Max Planck” ka edhe rreth 20 qendra të kërkimit e bashkëpunimit shkencor në universitete të njohura të SHBA, Britanisë, Izraelit, Akademinë e Shkencave të Kinës e të tjerë. Duhet ritheksuar gjithashtu se thuajse në çdo fushë të jetës, institutet dhe qendrat në fjalë bëjnë kërkime të avancuara në çështje të tilla të mprehta si lufta kundër epidemive dhe kancerit; vendosja e pasqyrave gjigante të teleskopit në hapësirën kozmike për studimin e ndryshimeve të klimës, avancimin e studimeve për grumbullimin dhe shfrytëzimin e energjisë së rinovueshme dhe asaj me fusion, zhvillimin e nano-bioteknologjisë e të tjerë.

Vitin që kaloi, shoqata “Max Planck” kishte një buxhet të përgjithshëm prej 2,2 miliardë euro. Siç kemi përmendur, Instituti “Kaizer Wilhelm” për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Kushtetuese u krijua më 19 dhjetor të vitit 1924, duke u vendosur menjëherë në Berlin. U mendua që instituti të fokusohej njëkohësisht si në të drejtën ndërkombëtare, ashtu edhe në të drejtën kushtetuese, pasi pavarësisht dallimeve që kanë mes tyre në planin teorik, praktikisht të dyja kanë të bëjnë me thelbin e sovranitetit shtetëror. Njëra me sovranitetin e jashtëm, ndërsa tjetra me sovranitetin e brendshëm. Megjithatë, është pikërisht Kushtetuta, ajo që përcakton vendin dhe rolin e së drejtës ndërkombëtare në rendin e brendshëm ligjor të çdo shteti të veçantë. Duhet theksuar gjithashtu se “ngutja” për krijimin e këtij instituti në vitin 1924 nxitej prej paraqitjes shumë të dobët të ekipit të juristëve gjermanë, që shoqëronin delegacionin zyrtar në Konferencën e Paqes (Versajës) pas Luftës së Parë Botërore. Aq më tepër që fuqitë e Antantës, si fuqi fituese, jo vetëm që tregonin me gisht dhe bënin fajtore vetëm Gjermaninë për pasojat e mëdha e të rënda njerëzore e materiale, por i imponuan njëkohësisht edhe detyra të shumta e pagesa pa fund, pa llogaritur nevojën e rimëkëmbjes e zhvillimit ekonomik e shoqëror të saj. Në këto kushte u mendua që përmes këtij instituti fillimisht të grumbulloheshin sa më shumë materiale brenda e jashtë Rajhut gjerman, si dhe vendime gjyqësore të gjykatave e arbitrazheve ndërkombëtare, literaturë e traktate ndërkombëtare dypalëshe e shumëpalëshe, të nevojshme për trajtimin e çështjeve praktike e urgjente me të cilat përballej në këtë kohë Gjermania.

Më pas të kalohej gradualisht me rritjen e profesionalizmit dhe zhvillimin e doktrinës juridike në këto fusha. Paralelisht me këtë, instituti mori nismën e rëndësishme për të krijuar një fond të veçantë në bibliotekën e tij, me titull “Fontes Juris Gentium”, përmes të cilit do të grumbulloheshin e sistemoheshin vendimet më të rëndësishme të gjykatave e arbitrazheve ndërkombëtare, si dhe ato të gjykatave më të larta kombëtare të shteteve të ndryshme, në të cilat trajtohen çështje të së drejtës ndërkombëtare. Këto objektiva do të arriheshin shpejt, gjë që e bën institutin mjaft popullor në Gjermani dhe shumë të njohur e të respektuar në Europë e më gjerë. Kjo situatë do të vazhdonte deri në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, kohë në të cilën praktikisht puna e tij do të pezullohej. Me mbarimin e kësaj lufte, për shkak të bombardimit dhe shkatërrimit tërësisht të Berlinit, u vendos që selia e institutit “Kaizer Wilhelm” për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Kushtetuese të zhvendosej në qytetin universitar të Heidelbergut, i cili nuk u bombardua gjatë luftës, ndaj aty ishte vendosur edhe Komanda e Trupave Amerikane, si pjesë e Forcave Aleate. Ndërkaq, siç kemi përmendur më sipër, në vitin 1948, shoqata “Kaizer Wilhelm” mori emrin “Max Planck” dhe për këtë arsye, edhe institutet kërkimore të krijuara brenda saj morën këtë emër. Që nga kjo kohë, përveç detyrës kryesore për të ndihmuar e mbështetur në tërësi riangazhimin e shumëpritur të Gjermanisë Federale në bashkësinë ndërkombëtare, një nga kolonat kryesore të punës së institutit “Max Planck” për të Drejtën Ndërkombëtare e Kushtetuese u bënë edhe çështjet e integrimit europian.

Kështu, duke komentuar në revistën e institutit nënshkrimin në Paris më 19 mars 1951 të Traktatit të Komunitetit Europian të Qymyrit e Çelikut nga ana e Kancelarit gjerman Konrad Adenauer dhe ministrit të Jashtëm francez Robert Schman, drejtori i ri i institutit ‘Max Planck’, prof. Hermann Mosler, do të theksonte ndër të tjera idenë revolucionare për kohën se tashmë “…E drejta europiane duhet të shihet e vlerësohet edhe si një rend i ri juridik në të drejtën kushtetuese gjermane, pasi vullneti politik i Adenauerit dhe Shumanit për një bashkëpunim tipik federal jo vetëm që nuk është një paradoks juridik, por paraqitet qartësisht si rruga më e mirë dhe më e sigurt për një të ardhme të përbashkët…”. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë mund të garantohej një paqe e qëndrueshme në Europë, pasi hapësira e re që do të kishte e Drejta Komunitare në të drejtën e brendshme të shteteve anëtare do të krijonte kushte reale për të shmangur konfliktet e shumta mes tyre, ashtu siç kishte ndodhur në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore.

Dhe kjo do të realizohej përmes dy elementëve kryesorë: a) Garantimin e pavarësisë së organeve vendimmarrëse, veçanërisht të Autoritetit të Lartë (më vonë Komisioni) dhe Gjykatës së Komunitetit, si dhe b)Zbatimin e detyrueshëm të vendimeve të këtyre organeve në rendin e brendshëm ligjor të shteteve anëtare, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Duket qartë se deklarime të tilla në vitin 1951 ishin jo vetëm një largim i dukshëm nga dogma tradicionale mbi të drejtën shtetërore, por do të shërbenin më pas edhe për interpretimin e zbatimin e të drejtës europiane. Pikërisht ky konceptim i ri do t’i krijonte mundësinë Gjykatës Europiane të Drejtësisë që bazuar në interpretimin teologjik, të jepte vendime tepër të rëndësishme që do të shërbenin si gur themeli për jurisprudencën e saj. Mes tyre mund të përmenden çështjet Van Gend en Loos, Costa kunder Enel, Simmenthal, Factortame, e të tjerë, përmes të cilëve, ndër të tjera, flitet qartësisht për përparësinë dhe efektin e drejtpërdrejtë të së drejtës europiane në raport me të drejtën e brendshme, si mënyra e vetme për të çuar përpara angazhimet e rëndësishme të ndërmarra me vullnet të lirë nga shtetet anëtare. Sidoqoftë, duhet theksuar se që me krijimin e tij në vitin 1924 e deri tani, instituti “Max Planck” për të Drejtën Ndërkombëtare e Kushtetuese ka pasur thuajse gjithnjë në fokus temën qendrore të konceptimit e zbatimit të së drejtës ndërkombëtare jo vetëm thjesht si një degë e së drejtës, por shumë më tepër se kaq, trajtimin e saj si një rend juridik i veçantë dhe i domosdoshëm në raportet mes shteteve.

Në fakt, kjo ka qenë në thelb edhe vetë ideja qendrore e programit me katërmbëdhjetë pika, paraqitur nga Presidenti amerikan Woodrow Wilson në vigjilje të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Sipas tij, edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, ashtu si në rendin e brendshëm të shteteve sovrane, duhet të mbisundojnë parimet themelore të shtetit të së drejtës, pasi vetëm kështu mund të garantohen paqja, siguria dhe drejtësia në planin global. Ky konceptim i ri ka qenë dhe mbetet orientimi kryesor në punën e institutit, gjë që shfaqet qartësisht jo vetëm përmes botimeve, projekteve, ekspertizave, raporteve e angazhimeve të shumta në fushën e të drejtës kushtetuese dhe të drejtës ndërkombëtare bashkëkohore, por edhe në takimet e rregullta të çdo të hëne pasdreke, ku i gjithë stafi akademik, të vjetër e të rinj, nën “regjinë” e drejtorëve të institutit (që gjithnjë janë dy ose tre), me orë të tëra paraqesin, raportojnë e diskutojnë së bashku mbi zhvillimet më të fundit në fushat e mësipërme, si dhe mbi vendimmarrjen e mekanizmave të ndryshëm kombëtarë e ndërkombëtarë mbi këto çështje, ku vend të veçantë zënë vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Kjo metodë pune jo vetëm që është mjaft produktive, por edhe forcon lidhjet mes kolegëve si dhe largon emocionet e të rinjve dhe mysafirëve të shumtë nga vende të ndryshme të botës që bëjnë kërkime shkencore në këtë institut. Duhet vënë në dukje me këtë rast se biblioteka e institutit është mjaft e pasur, shumë e organizuar e ndoshta edhe unike në botë. Ajo ka mbi 700 mijë botime, si dhe rafte të shumta, të cilat po të viheshin në vijë të drejtë do të arrinin një gjatësi prej 43 kilometra, pavarësisht se vitet e fundit shumica e dokumentacionit është digjitalizuar. Nuk është rastësi që shumë nga bashkëpunëtorët dhe punonjësit e institutit, në periudha të ndryshme, kanë kryer edhe detyrën e gjyqtareve ndërkombëtarë. Si të tillë mund të përmenden: Viktor Bruns në Gjykatën Permanente të Drejtësisë Ndërkombëtar; Hermann Mosler, CarlAugust Fleischauer, Bruno Sima dhe Georg Nolte (tani) në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë; Rudiger Wolfrum (anëtar e kryetar) në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtën e Detit; Rudolf Bernhard (anëtar e kryetar), Helmut Steinberger, Angelika Nussberger dhe Anja Seibert-Fohr, në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut; Jochen Frowein (anëtar e zv.President) në Komisionin e të Drejtave të Njeriut e të tjerë. Punonjës e bashkepunëtorë të Institutit kanë dhënë kontribut me vlerë edhe në të ashtuquajturën diplomaci shkencore, duke marrë pjesë aktive në shumë prej tryezave e konferencave diplomatike për hartimin e dokumenteve të tillë të rëndësishëm si: Konventa e Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike, Konventa e Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve, Tre Konventat e OKB-së mbi të Drejtën e Detit, Statutin e Romës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, Kartën Europiane të të Drejtave Themelore, e të tjerë.

Shpeshherë këto kontribute ndërthuren edhe me angazhimin e një pjese të mirë të tyre në detyrën e anëtarit të Këshillit të së Drejtës Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Jashtme gjermane (Beirat-Auswaertiges Amt). Megjithëse rreth 50 vite më parë, ndër të tjera në këtë drejtim mund të përmendet pjesëmarrja aktive e prof. Frowein në bisedimet zyrtare dhe përfundimin e të ashtuquajturave Marrëveshje Lindore (Ostvertraege), që ndërmori në fillim të viteve ‘70, Kancelari gjerman Willy Brand në kuadër të të ashtuquajturës Ost Politik, e cila synonte shtendosjen e marrëdhënieve, bashkëpunimin dhe afrimin diplomatik të Gjermanisë Federale me Gjermaninë Demokratike dhe vendet e tjera të Lindjes. Mund të përmendet gjithashtu edhe përzgjedhja nga BE-ja e prof.Frowein në vitin 2000 në Grupin e “Tre të Zgjuarve”, që së bashku me ish-Presidentin finlandez Matti Ahtisari dhe ish-ministrin e Jashtëm spanjoll, Marcelino Oreja, të vlerësonin masat që mund të merreshin ndaj Austrisë për shkak të cenimit ose jo “…të vlerave të përbashkëta europiane..”, si rezultat i përfshirjes në koalicionin qeverisës të një force politike të ekstremit të djathtë. Një angazhim tjetër i rëndësishëm i drejtuesve, punonjësve apo bashkëpunëtorëve të Institutit “Max Planck” ka qenë dhe mbetet edhe përgatitja e ekspertizave apo edhe përfaqësimi zyrtar, në rolin e agjentit shtetëror, për çështje të rëndësishme gjyqësore në gjykatat ndërkombëtare apo Gjykatën Kushtetuese gjermane. Mes tyre mund të veçoheshin përfaqësimet në Gjykatën Kushtetuese gjermane për çështje tepër të rëndësishme, si a) Pjesëmarrja e Gjermanisë (Bundeswerit gjerman) në operacionet ndërkombëtare me karakter ushtarak, që konkretisht në atë kohë (viti 1994) bëhej fjalë për Bosnjën (përfaqësimi nga prof.Frowein); b)Ndarja e pushteteve dhe raportet kushtetuese mes Pushtetit Legjislativ dhe Pushtetit Ekzekutiv gjatë ushtrimit të kompetencave në marrëdhëniet me jashtë, veçanërisht në kuadër të vendimmarrjes mbi thellimin e proceseve integruese në BE (në vitin 1996, përfaqësimi nga prof. Rudiger Wolfrum) e të tjerë. Ndihma dhe bashkëpunimi me institutin “Max Planck” për të Drejtën Ndërkombëtare e Kushtetuese janë ndjerë edhe në Shqipëri e Kosovë. Përveç mundësisë së kërkimit akademik dhe pjesëmarrjes në tryeza e konferenca të ndryshme shkencore brenda e jashtë vendit mund të përmendej veçanërisht ndihma e dhënë me literaturë shkencore për Gjykatën Kushtetuese në trajtimin e çështjes së Marrëveshjes mbi Ndarjen e Hapësirave Detare me Greqinë. Megjithatë, angazhimi më i madh ka qenë në çështjen e Kosovës. Në vitin 1998, me porosi të Presidentit Rugova, ka ardhur disa herë në Institutin e Heidelbergut zoti Fehmi Agani, për të diskutuar lidhur me statusin dhe perspektivat e pavarësisë së Kosovës. Bisedimet zhvilloheshin në një rreth të ngushtë, nën drejtimin e ish-drejtorit të Institutit, prof. Jochen Frowein. Një vit më vonë do të ishte pikërisht prof. Frowein që përmes ambasadës gjermane në Shkup, do të dërgonte një letër të veçantë për t’u lexuar në varrimin e këtij atdhetari të shquar, vrarë mizorisht nga forcat ushtarake serbe në fillim të majit 1999. Profesor Frowein do të ishte si këshilltar i jashtëm i delegacionit zyrtar të Kosovës edhe në Konferencën e Rambujesë. Në vijim, ai do të ishte gjithashtu ndër të paktët akademike që u prononcuan hapur në shtypin e shkruar dhe televizion në mbështetje të ndërhyrjes së NATOs në Kosovë në vitin 1999. Ndër të tjera, në gazetën e mirënjohur “Neuen Zurischer Zeitung”, ai do të shkruante se “…nga viti 1945, e drejta ndërkombëtare është zhvilluar shumë… Si e tillë ajo nuk mbron më vetëm sovranitetin e shtetit, por edhe të drejtat individuale nga shkeljet masive e sistematike të të drejtave të njeriut…

Ndaj, ndërhyrja humanitare duhet të konsiderohet sot edhe si një karakteristikë kushtetuese e sistemit juridik universal…”. Sidoqoftë, mbrojtjen më spektakolare të Kosovës, prof.Frowein e ka bërë zyrtarisht në vitin 2010 në gjykimin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të përputhshmërisë së shpalljes së pavarësisë së saj, me të drejtën ndërkombëtare. Në këtë gjykim, ai përfaqësonte Shqipërinë. Është lehtësisht e provueshme se vendimi përfundimtar i kësaj gjykate ka në ration e tij pikërisht tezat dhe idetë qendrore të elaboruara qartësisht në këtë proces nga prof. Frowein. E drejta ndërkombëtare përballet sot me sfida të shumta. Numri i shteteve sovrane ka arritur në rreth 200 dhe popullsia e botës është trefishuar krahasuar me 70 vjet më parë. Aktualisht ajo është 8,2 miliardë banorë. Ndërkaq ka mijëra organizata ndërkombëtare, sipërmarrje transnacionale, procese integruese e globalizuese, zhvillime marramendëse të teknologjisë së informacionit dhe inteligjencës artificiale, forcim e zgjerim të organizatave kriminale e grupeve terroriste e të tjerë.

Në këto kushte, janë shtuar edhe problemet dhe konfliktet, të cilat shpesh jo vetëm që kalojnë në përdorimin e forcës, por rrezikojnë edhe zgjerimin e pakontrolluar, de facto apo de jure të palëve në mosmarrëveshje. Në raste të caktuara, kërcënimet shkojnë deri në përdorimin e armëve të shfarosjes në masë. Probleme madhore e tepër urgjente ka edhe me çështjet e ambientit e ndryshimit të klimës, me shkeljet flagrante të të drejtave themelore të individit në rajone të ndryshme të botës. Të gjitha këto kërkojnë trajtim e vëmendje të shtuar nga e drejta ndërkombëtare e kushtetuese. Ashtu siç u shpreh në ceremoninë e muajit që kaloi në Heidelberg, teoricieni i shquar finlandez i të drejtës ndërkombëtare, prof. Martti Koskenniemi, edhe ky i angazhuar me çështjen e Kosovës në Hagë 15 vjet më parë, objektiv kryesor duhet të jetë puna për krijimin real të shoqërisë ndërkombëtare, gjë që mund të bëhet hap pas hapi vetëm përmes vullnetit të mirë e angazhimit serioz të të gjithë aktorëve të rëndësishëm, pa përjashtim. Ndaj, padyshim që edhe instituti “Max Planck” për të Drejtën Ndërkombëtare e Kushtetuese do të dijë të merret në vijimësi me këto çështje edhe në vitet e ardhshme.

/Gazeta Panorama