Transferimi i emigrantëve në Shqipëri: Plani i madh i kryeministres italiane has në pengesa
Në portin shqiptar të Shëngjinit, erërat e ftohta bregdetare të nëntorit t’i bëjnë duart mavi. Pamja e sipërfaqes së ujit është e mbushur me varka të ndryshkura, të cilat duken sikur kanë qëndruar aty, të palëvizura, për një kohë të gjatë. Një kamion shfqet në horizont, duke marrë grumbujt e fundit të mbetjeve të mbetura aty nga ndërtimi i një qendre pritjeje emigrantësh. Godina, në sfondin e ndërtesave portuale dhe anije boshe, duket elegante dhe moderne. Me muret e larta metalike dhe kontejnerët e vendosur brenda saj, ajo i ngjan një burgu.
Shëngjini do të jetë ndalesa e parë për emigrantët e parregullt të kapur nga roja bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare. Këtu ata do të mbahen për një kohë të kufizuar, duke iu nënshtruar një interviste të shkurtër dhe kontrollit shëndetësor, përpara se të transferohen në një qendër ndalimi në Gjadër, rreth 20 kilometra në brendësi të vendit.
Dy godinat përbëjnë themelet e projektit kryesor të emigracionit të kryeministres italiane Giorgia Meloni. Ideja pas saj është e thjeshtë – kontraktimi i procedurave të azilit të emigrantëve nga Italia në Shqipëri, e cila ndodhet fiks matanë detit.
“Është një rrugë e re, e guximshme, e paprecedentë, por që pasqyron në mënyrë të përsosur frymën evropiane dhe ka të gjitha kushtet për një rrugë që duhet ndjekur edhe me kombet e tjera jashtë BE-së”, deklaroi Meloni në Senat në shkurt të vitit të kaluar.
Po rezulton gjithashtu një rrugë e kushtueshme: vetëm ndërtimi i godinave ka marrë tashmë rreth 100 milionë euro, me rreth 700 milionë të tjera që do të shpenzohen gjatë pesë viteve të marrëveshjes me Shqipërinë. Politikanët e opozitës në Itali dhe një burim i lidhur ngushtë me ambasadën italiane në Tiranë bëjnë të ditur se kostoja përfundimtare do të jetë më afër 1 miliard euro.
Vetëm një grup i caktuar emigrantësh do të vijnë në Shqipëri: burra të rritur, të shëndetshëm fizikisht dhe mendërisht, nga 19 vende të konsideruara të sigurta nga qeveria italiane. Autoritetet synojnë të përdorin godinat offshore për të përshpejtuar përpunimin e kërkesave të tyre për azil – një procedurë që ndonjëherë kërkon vite në Itali do të shkurtohet në 28 ditë në rastin e emigrantëve të sjellë në Shqipëri.
Kjo nëse projekti më në fund fillon dhe funksionon siç duhet. Pavarësisht se u lançua në tetor, plani i Meloni-t është përballur me pengesa të shumta në gjykatat italiane. Godinat e ndërtuara për të mbajtur deri në 30,000 azilkërkues në vit janë përdorur deri më tani vetëm për dy grupe emigrantësh me origjinë egjiptiane dhe nga Bangladeshi – njëri grup prej 16 personash dhe tjetri prej tetë personash.
Të dy grupet u urdhëruan nga Gjykata Civile e Romës që të ktheheshin menjëherë në Itali. Por pas një pauze dy mujore, më 26 janar, nisi lundrimin një anije e marinës italiane me 49 emigrantë nga këto dy vende në bord, e cila mbërriti në Shëngjin tre ditë më vonë, më 28 janar.
Për në shtëpi
Shëngjini është një qytet i vogël turistik në veriperëndim të Tiranës që tërheq turistë shqiptarë dhe të huaj gjatë muajve të verës. Në vjeshtë, qyteti duket pothuajse i shkretë, me bare të zbrazëta që mbushin shëtitoren buzë detit. Vetëm në disa bare mund të gjenden disa burra duke pirë ndonjë birrë pasditeve.
I tillë vend është edhe një tavernë e zymtë pranë portit, e frekuentuar nga një grup karabinierësh dhe policësh italianë që kishin dalë nga pas portës së lartë të qendrës së pritjes. Njëri prej tyre qëndron ulur në një karrige plastike përballë hyrjes dhe na shikon nga pas syzeve të diellit.
“Nuk dola vullnetare të jem këtu; më caktuan. Nuk do të them nëse kjo është gjë e mirë apo e keqe, thjesht vendimi ishte marrë”, thotë ai.
Sigurisht, paga është më e lartë sesa për shërbimin në shtëpi, pyesim?
“Varet se ku keni shërbyer më parë. Unë mund të dal pak më mirë, dikush tjetër jo domosdoshmërish. Dhe puna? Tani është kryesisht shkresa, sepse ne nuk kemi asnjë emigrant. Në thelb, nuk ka kuptim të jem këtu. Do të kthehem pas disa ditësh, sepse u vendos që do të isha më i dobishëm në Itali”, thotë ai.
Ka shumë të tjerë si ai. Në dhjetor, më shumë se gjysma e oficerëve italianë u kthyen në shtëpi, sepse përplasjet ligjore midis gjykatave italiane dhe autoriteteve do të bëjnë që projekti të mos nisë dot të paktën për gjashtë muaj të tjerë.
Një rrugë kryesore të çon nga porti në qendër të qytetit. Gjatë rrugës takojmë disa vendas, por shumica nuk duan të flasin për qendrën e pritjes. Në këtë vend postkomunist, njerëzit mësohen të mos diskutojnë hapur tema politike.
Megjithatë, disa argumentojnë me entuziazëm se ky projekt është një mundësi për sipërmarrësit e vegjël vendas për të fituar para; të tjerë janë të sigurt se asgjë e mirë nuk do të vijë prej tyre për ta.
“Çfarë mund të përfitojë qyteti prej kësaj? Në fund të fundit, askush nuk do të fitojë para me këta emigrantë dhe zyrtarët italianë ulen e hanë në hotel”, dëgjon BIRN nga një nga një grup rreth të 20-tave.
“Ne nuk e duam këtë kamp për shumë arsye, por kryesisht sepse do të jetë kundër të drejtave të atyre emigrantëve që dërgohen këtu”, thotë një nga dy të moshuarit që pinë cigare në restorantin luksoz të hotelit aty pranë. “Ata e nisën rrugëtimin e tyre për të qenë në Itali, jo në Shqipëri. Kush ka të drejtë ta ndryshojë rrugën e tyre? Dhe përveç kësaj, për ne nuk ka asnjë përfitim nga kjo.”
Veprime pa u konsultuar
Para se të largohemi nga Shëngjini, takohemi me deputetin e Partisë Demokratike të Shqipërisë në opozitë, Agron Gjekmarkaj, i cili është nga kjo zonë bregdetare. Bisedojmë me të në një restorant pranë një prej pikave të karburantit lokal.
“Njerëzit mendojnë se kjo është thjesht një lëvizje propagandistike e kryeministres Meloni. Vendi i saj ka kapacitet të mjaftueshëm për t’i pritur këta emigrantë. Duhet thjesht të bindë qytetarët e saj se ajo e ka hequr qafe problemin. Dhe ajo që na shqetëson më shumë është se si kryeministri jonë po e përdor pushtetin e tij për interesat e saj”, argumenton Gjekmarkaj.
Kryeministri shqiptar Edi Rama i Partisë Socialiste në pushtet është një figurë e diskutueshme, që mban pushtetin me dorë të rëndë në një vend që vazhdon të luftojë me korrupsionin, padrejtësitë sociale dhe nivelet e larta të papunësisë tre dekada e gjysmë pas përfundimit të komunizmit.
“Ekziston perceptimi se kryeministri Rama i ka bërë një nder personal Melonit për të forcuar pozicionin e tij me qeverinë italiane”, thotë Gjekmarkaj. “Kjo nuk është hera e parë që ai bën diçka të tillë. Por që vendi ynë të ndërtojë godina që të kujtojnë burgjet për emigrantët, kjo gjë thjesht po na e prish imazhin.”
Nga sa thonë Gjekmarkaj dhe të tjerë, askush – përveç vetë kryeministrave – dhe as anëtarët e partisë në pushtet nuk dinin për projektin italo-shqiptar përpara se ai të shpallej zyrtarisht. Kjo pasi, thonë ata, Rama nuk e ka zakon të konsultohet me zyrtarë të tjerë për vendimet e tij.
Deputeti i Partisë Demokratike argumenton se nuk është kundër dhënies së azilit për ata që largohen nga Afrika apo Lindja e Mesme. Ai thekson se shqiptarët janë vetë një komb emigrantësh; sot, më shumë se 40 për qind e këtij kombi prej 5 milionë banorësh punojnë jashtë vendit për shkak të mungesës së perspektivës dhe pagave të ulëta në vendin e tyre.
“Megjithatë, ne nuk mund të pranojmë të trajtohemi si një vend mbi të cilin të tjerët mund të delegojnë problemet e tyre”, shton Gjekmarkaj.
Ai nuk është i vetmi që e kundërshton këtë projekt. Dyshimet apo mosmarrëveshjet e tyre kanë shprehur ndër të tjera edhe Vatikani, OJQ ndërkombëtare dhe opozita italiane.
“Ajo që mbetet në Shqipëri është një strukturë kolosale e ndërtuar nga sipërmarrësit vendas me taksat e familjeve italiane, një strukturë e destinuar të kalbet. Ajo që mbetet në Shqipëri është fytyra e Giorgia Meloni-t, autores së një shpërdorimi të paprecedentë të burimeve, e nevojshme vetëm për një trill elektoral”, shkroi ish-kryeministri italian Matteo Renzi në X në nëntor. “Dhe gjyqtarët nuk kanë asnjë lidhje me këtë, mos u gaboni: operacioni në Shqipëri nuk qëndron, si për nga shifra ashtu edhe për nga ligji.”
Mure dhe gardhe të larta
Shëngjini mund të jetë ndalesa e parë e planifikuar për emigrantët e parregullt, por nëse operacioni shqiptar do të fillojë përfundimisht, ata do ta kalojnë pjesën më të madhe të kohës në qendrën e emigrantëve – një godinë që ndodhet më në veri, në një rrugë që të çon në qendër të një fshati quajtur Gjadër.
Gardhet e larta prej çeliku nuk dallohen nga zemra e këtij fshati të vogël, por nuk mund t’i humbisni ato ndërsa hyni apo dilni prej tij. Ato gardhe janë një pikëllim për banorët, shumë prej të cilëve kanë të afërm që kanë emigruar vetë. Aleksandër Preka, kryeplaku i fshatit, pohon se disa njerëz menduan se kjo ishte një dëshmi sesi trajtohen të dashurit e tyre edhe jashtë vendit.
Megjithatë, çfarëdo rezervash që mund të kenë, ato janë të zbehta në krahasim me përfitimet e mundshme që premton investimi italian.
“Deri më tani, banorët e Gjadrit panë vetëm të mira nga kjo marrëveshje. Ata po shesin më shumë produkte dhe kanë marrë një premtim nga ambasada italiane se do të kenë një sistem energjie elektrike të përmirësuar”, thotë Preka.
Qendra e emigrantëve – ndryshe nga ajo e Shëngjinit – sjell me vete edhe një premtim për mundësi më të mira punësimi. BIRN takoi njerëz që punojnë atje, ose që janë punësuar për të pastruar ose për të ndihmuar në ndërtimin e godinave. Paga mujore prej 400 eurosh që ofrojnë autoritetet e kampit mund të mos ju duket shumë italianëve, por në Gjadër kjo është një ofertë joshëse. Preka thotë se sapo projekti i Meloni-t të fillojë, kjo do të krijojë një fluks të konsiderueshëm vendesh pune.
“Autoritetet komunale se na premtuan nëse kampi arrin kapacitetin e tij, të paktën 150 njerëz nga zona do të punojnë atje. Dhe kur u takuam me ambasadorin italian, bëmë një marrëveshje që nëse nuk protestojmë kundër projektit, çdo fuqi punëtore shtesë që do të nevojitet do të duhet të vijë nga fshati”, thotë ai.
Nëse këto premtime mbahen, Meloni mund t’i ketë hedhur Gjadrit një litar shpëtimi. Fshati dikur kishte një kooperativë bujqësore shtetërore dhe një fushë ajrore ushtarake gjatë komunizmit, e cila siguronte vendet e punës për këdo që jetonte këtu. Por ato kohë kanë ikur; Gjadri tani po shpopullohet me një ritëm konstant.
Vendasit na tregojnë se sa prej shtëpive përgjatë rrugës kryesore janë të braktisura ndërsa njerëzit largohen për në qytetet më të mëdha ose jashtë vendit. Bujqësia dhe remitancat nga familjarët që punojnë në Itali, Gjermani ose Austri janë burimet kryesore të të ardhurave këtu. Pra, edhe pse dëgjojmë disa shqetësime për etikën e kthimit të një pjese të territorit të Gjadrit në një “burg” për emigrantët e drejtuar në një vend tjetër, askush me të cilin kemi biseduar nuk e kundërshton drejtpërdrejt projektin.
Rrok Rroku, i cili pretendon të jetë ish-kryetar i komunës Gjadër, shprehet se pavarësisht kundërshtimit të tij me administratën aktuale vendore, edhe ai do ta kishte lejuar ndërtimin e godinave.
“Ata që thonë se është burg e bëjnë këtë për arsye politike. Unë kam qenë brenda qendrës dhe kushtet atje janë vërtet të mira. Dhe po, ka mure rreth tij, sepse njerëzit që do të vijnë këtu duan të shkojnë në Bashkimin Evropian, kështu që nëse nuk ka mure, ne nuk do të mund t’i mbajmë dot brenda as për ato 28 ditë”, thekson ai.
Ai e arsyeton edhe projektin e Meloni-t: “Emigrimi është problem për të gjitha vendet evropiane, edhe ato të zhvilluara. Disa po ndërtojnë gardhe; disa po ndërtojnë mure. Nëse jetoj në shtëpinë time me familjen time dhe vijnë 10 persona të tjerë, nuk mund t’i strehoj dhe t’i ushqej të gjithë.”
Precedent i rrezikshëm
Jashtë Gjadrit hasim shumë njerëz që e kritikojnë hapur planin “e gatuar” nga këta dy kryeministra. Edhe para se të përfundonin qendrat në Shqipëri, organizatat e të drejtave të njeriut vunë në dukje se projekti i Meloni-t dhe Ramës mund të rezultonte një precedent të rrezikshëm në ligjin evropian të emigracionit.
“Përvoja tregon se skemat e azilit offshore nuk mund të zbatohen në një mënyrë që respekton të drejtat e njerëzve dhe ligjin ndërkombëtar”, thotë Judith Sunderland, drejtore e asociuar për Evropën dhe Azinë Qendrore në Human Rights Ëatch.
“16 burrat e dërguar në Shqipëri nga një anije e marinës italiane janë vënë në rrezik për hir të një eksperimenti të tmerrshëm”, komenton ajo për grupin e emigrantëve që përfundimisht u kthyen në Bari të Italisë nga një gjykatë, por që ka të ngjarë të jenë pjesë e grupit prej 49 personash që u kthyen në Shëngjin më 25 janar.
Në Tiranë BIRN takohet me Erida Skëndajn, një juriste dhe përfaqësuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, e cila, ashtu si Sunderland, ka pasur shqetësime për projektin që në fillim. Organizata e saj lëshoi një deklaratë dhe një letër të hapur për kryeministrin shqiptar, duke kërkuar që ai ta prishte marrëveshjen, pasi ajo shkel të drejtat e njeriut dhe u miratua pa konsultim publik.
“Nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, thotë Skëndaj.
Avokatja është veçanërisht e shqetësuar për procedurën e shpejtë të azilit, e cila ajo beson se synon të dëbojë të huajt në vendet e tyre të origjinës sa më shpejt të jetë e mundur. “Përveç kësaj, dërgimi i emigrantëve në Shqipëri, domethënë jashtë BE-së, është i paligjshëm. Vendet jo anëtare të BE-së nuk ofrojnë të njëjtën mbrojtje të të drejtave të njeriut si vendet anëtare”, thekson ajo.
Më pak kritike ndaj marrëveshjes është Avokatja e Popullit e Shqipërisë, Erinda Ballanca. Ndërsa na mirëpret në zyrën e saj, ajo i sqaron gjërat nga këndvështrimi ligjor: “Projekti dhe mundësia ose jo për ta vënë në zbatim atë, kaluan në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Ajo deklaroi se marrëveshja është në përputhje me ligjin.”
Megjithatë, ajo ka disa shqetësime për disa pjesë të projektit nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut, veçanërisht mungesa e transparencës në procesin e hartimit dhe negocimit të marrëveshjes, si dhe standardet e dyfishta të treguara ndaj emigrantëve.
“Ata që vijnë në vendin tonë për të kërkuar azil nuk mbahen në qendra emigrantësh, ndërsa emigrantët e tjerë do të dërgohen në godinat italiane, gjithashtu në Shqipëri, nga të cilat nuk mund të largohen. Ky mund të jetë diskriminim”, thekson Ballanca.
Ajo i paraqiti këto dyshime në Gjykatën Kushtetuese, e cila pranoi se ligji italian – domethënë ligji i BE-së – duhet të zbatohet dhe të mbizotërojë në atë rast. “Por ne nuk jemi kundër marrëveshjes në parim”, shton ajo.
Frikë për strukturën e godinave
Personat që kanë pasur rastin të vizitojnë qendrat shprehin gjithashtu shqetësimet e tyre. Damien Boeslager, një anëtar i Parlamentit Evropian nga partia Volt Europa, inspektoi objektin në Gjadër në nëntor.
“Është shumë i ngjashëm me një fshat kontejnerësh, që më kujton godina të ngjashme në vendet anëtare të BE-së. Duket shumë i pakëndshëm, më shumë si një burg. Është kryesisht prej betoni dhe me mure shumë të larta rreth tij – jo një vend ku do të dëshironit të ishin qeniet njerëzore”, thotë ai.
Boeslager mendon se qeveria italiane ka krijuar thjesht një kamp në Shqipëri, ndërsa gjithçka do të ishte shumë më mirë nëse ai do të ishte në Itali. “Ka një kapacitet shumë të vogël, kështu që nuk është një zgjidhje sistematike. Kjo është një lëvizje propagandistike për të dhënë sinjalin se emigracioni po trajtohet”, pohon ai.
Por një numër liderësh evropianë nuk duken shumë të shqetësuar për aspektin humanitar të kontraktimit të përpunimit të kërkesave për azil. Përkundrazi, projekti kryesor i Meloni-t po vëzhgohet me shumë interes nga jashtë.
Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, u bëri thirrje hapur vendeve të tjera anëtare që të “eksploronin idenë e zhvillimit të qendrave të kthimit jashtë BE-së”. Keir Starmer, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar – i cili tashmë ishte përpjekur të zbatonte një plan për zhvendosjen e azilkërkuesve dhe emigrantëve të parregullt në Ruandë nën qeverinë e mëparshme konservatore – pranoi se e kishte diskutuar konceptin e projektit shqiptar me vetë Meloni-n.
Dhe në Shqipëri, më shumë se një burim i tha BIRN se përfaqësues të qeverisë holandeze kishin vizituar qendrën në Gjadër dhe u interesuan për mundësinë e ndërtimit të një godine të ngjashme.
Ky interes u shua sapo programi i Meloni-t hasi probleme ligjore. Ditë përpara inaugurimit zyrtar të qendrave më 11 tetor, Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJED) vendosi se një shtet nuk mund të konsiderohet një “vend i tretë i sigurt” nga asnjë qeveri e BE-së nëse ekziston rreziku i persekutimit në ndonjë prej pjesëve ose territoreve të tij. Kjo është arsyeja pse grupet e emigrantëve nga Bangladeshi dhe Egjipti – dy vende me shumë probleme të të drejtave të njeriut të dokumentuara mirë – u kthyen menjëherë në Itali.
Ky vendim e nënshtroi përcaktimin italian të 19 vendeve të treta të sigurta nën një shqyrtim shtesë dhe tani GJED-së i është kërkuar të shqyrtojë nëse lista e përgatitur nga qeveria e Meloni-t është në përputhje me ligjin e BE-së. GJED do ta shqyrtojë çështjen më 25 shkurt.
Pavarësisht nëse ky vendim shkon apo jo në favor të kryeministres, burime thanë për BIRN se besojnë se, me kalimin e kohës, qendrat do të fillojnë të funksionojnë sipas planit. Burimi pranë ambasadës italiane në Tiranë na siguron se do të gjendet një zgjidhje ligjore, qoftë edhe për faktin se çdo përfundim tjetër do të ishte i turpshëm për Italinë dhe Shqipërinë.
Meloni ka përdorur tashmë vendimin e gjykatës në Romë për të promovuar më tej idenë se gjyqësori italian po vepron kundër interesave të popullit dhe se po pengon planet e qeverisë aktuale në emër të një hakmarrjeje politike. Ajo tha gjithashtu se “qendrat për emigrantët në Shqipëri do të funksionojnë, edhe nëse do të më duhet të kaloj çdo natë atje nga tani deri në fund të mandatit të qeverisë italiane”.
Megjithatë, edhe nëse Meloni ia del mbanë dhe qendrat fillojnë të funksionojnë, dyshimet mbi vlerën dhe logjikën e tyre mbeten. Offshoring është padyshim një zgjidhje e re, siç pretendon Meloni, por do të jetë gjithashtu një zgjidhje e kushtueshme, me shumë pikëpyetje legjislative që vazhdojnë të rëndojnë mbi të.
Për këtë artikull kontribuoi edhe Vladimir Karaj.