Sat, Mar 8, 2025

Trump: Forcat amerikane kryen sulme ajrore kundër Shtetit Islamik në Somali

  • PublishedFebruary 1, 2025

Trump: Forcat amerikane kryen sulme ajrore kundër Shtetit Islamik në Somali

Donald Trump, përmes një postimi në Truth Social, bën me dije se shumë terroristë të ISIS janë vrarë nëpër shpellat e Somalisë nga ushtria amerikane, me urdhër të tij.

Presidenti amerikan thotë se urdhëroi sulmin ndaj tyre sepse kishin kërcënuar Shtete e Bashkuara dhe aleatët e saj.

“Këtë mëngjes urdhërova sulme ajrore të sakta ushtarake ndaj Planifikuesit të Lartë të Sulmit të ISIS dhe terroristëve të tjerë që ai rekrutoi dhe drejtoi në Somali.

Këta vrasës, të cilët i gjetëm të fshehur në shpella, kërcënuan Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë.

Sulmet shkatërruan shpellat ku ata jetojnë dhe vranë shumë terroristë pa dëmtuar në asnjë mënyrë civilët”, deklaron Trump.

Presidenti Trump nuk përmendi asnjë nga personat e shënjestruar në sulme, nuk tha nëse objektivi ishte në mesin e të vrarëve, apo nuk dha detaje të mëtejshme rreth vendndodhjes.

Sekretari amerikan i mbrojtjes Pete Hegseth tha se sulmet nga Komanda e SHBA-së në Afrikë ishin drejtuar nga Trump dhe të koordinuara me qeverinë e Somalisë.