FOTO/ “Thriller për titullin”, Milan dhe shtyllat ndalin Inter, Asllani e shijon nga stoli (VIDEO)
Gola, VAR, shtylla, shumë polemika, praktikisht gjithçka ofron një sfidë derbi. Milan-Inter rezultoi një përballje e “çmendur”, me shumë emocione, por në fund dy ekipet ndajnë nga një pikë pas barazimit 1-1, një “X” që “djeg” dy ekipet e Milanos. Inter nuk arrin të ngushtojë diferencën me Napolin, ndërsa Milan largohet gjithnjë e më shumë nga zona Champions. Ekipi i Simone Inzaghi-t ishte superior në derbin e 242 në histori, por shtyllat iu kthyen në makth.
“Djalli” qëndroi në pritje në këtë derbi, por me një nga zbritjet pakta të Leaos në krah, në fundin e pjesës së parë, gjetën golin e parë, me Reijnders që përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe me një fortë dërgoi topin në rrjetë dhe tifozët e Milan në delir.
Në fraksionin e dytë, Inter ushtroi një presion asfiksues në zonën e kuqezinjve. Fillimisht Lautaro u ndal nga portieri Maignan, ndërsa pak minuta më vonë arriti të dërgoi topin në rrjetë, por gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për faull në sulm. Në minutën e 67-të, gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, me kokë Bisseck përplasi topin në shtyllën pingule. Inter nuk e uli ritmin për asnjë moment, por sërish shtylla iu bë pengesë, këtë herë ishte Thuram që provoi me një goditje në zonë. Fati dukej se kishte braktisur ekipin zikaltër pasi në minutën e 90-të ishte radha e Dumfries që me kokë të gjente për herë të tretë të njëjtën shtyllë.
Pikërisht atëherë kur gjithçka po shkonte drejt fundit, në minutën e 83-të, Zalewski uli me gjoks një top për De Vrij me këtë të fundit që nuk fali duke stampuar topin në rrjetë, një gol që solli festë në kampin zikaltër pasi një tjetër humbje në derbi do ishte e tepër për ekipin e Inzaghit. Nuk u preferua për asnjë minutë në këtë takim Kristjan Asllani.
“Në frymën e fundit. Çfarë e diele. Thriller për titullin”, shkruan ndër të tjera La Gazzetta dello Sport në faqen e parë.