“Janë regjistruar mbi 555 lëkundje sizmike brenda një jave!” – Tërmetet në Santorini, EMSC: Qytetarët të panikosur largohen nga ishulli
Qendra Sizmologjike Evropiane Mesdhetare njofton se nga 28 janari deri më sot janë regjistruar mbi 555 lëkundje sizmike në ishullin e Santorinit dhe zonën përreth.
Siç vë në dukje në një postim Qendra Evropiane Sizmologjike Mesdhetare, që nga 28 janari, ishulli i Santorinit ka pësuar një rritje të ndjeshme të aktivitetit sizmik.
“Janë regjistruar më shumë se 555 tërmete me magnitudë deri në 5 Rihter. Këto tërmete janë të përqendruara afërsisht 25 kilometra në verilindje të Santorinit”, thotë EMSC përmes një postimi në rrjetin social “X”.
Aktiviteti i lartë simzik ka shkaktuar rrëshqitje të dheut në ishull.
Për fat të mirë deri më tani pa dëme materiale dhe pa pasoja në njerëz.
Banorë të shumtë të ishullit të Santorinit dhe turistë që kishin shkuar atje për pushime janë dyndur drejt aeroportit për t’u larguar nga ishulli për shkak të aktivitetit të lartë sizmik që është regjistruar në vend tre ditët e fundit.
Komiteti i Sizmologëve u mblodh mesditën e sotme në prani të ministrit të krizës klimatike, Vasilis Kikilias dhe zv.ministrit Evangelos Tournas.
Konkretisht, u vendos që shkollat të qëndrojnë të mbyllura deri të premten, më 7 shkurt, në Thira , Anafi , Ios dhe Amorgos , ndërsa qytetarëve iu dhanë një sërë rekomandimesh për të shmangur pasojat e mundshme nga një tërmet.
Profesori i Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore në Universitetin Kombëtar të Athinës, Efthimios Lekkas, mbërriti në ishullin e Santorinit mesditën e së dielës, duke kryer një inspektim të zonës. Qytetarët këshillohen të mos banojnë në ndërtesa të vjetra, në rast lëkundjesh të forta, të mos i afrohen bregdetit, të mos bëjnë panik dhe t’u binden autoriteteve.
Ministria ka thënë se aktiviteti nuk ishte i lidhur me aktivitetin vullkanik dhe po tërhiqej, por ekspertët kanë propozuar masa paraprake, duke përfshirë mbylljen e shkollave më 3 shkurt.
Ata gjithashtu u kërkuan njerëzve që të mos hynin ose të qëndronin në portin e vogël të Ammoudi dhe portin e Fira, që shërben kryesisht për anijet turistike.
Tërmete me magnitudë 2.8 dhe 4.5 ballë goditën zonën të dielën në mëngjes, sipas institutit gjeodinamik të Athinës, pa shkaktuar dëme. Greqia shpesh tronditet nga tërmetet.
Santorini është një nga destinacionet kryesore turistike të Greqisë.
Një nga shpërthimet më të mëdha në histori, rreth vitit 1600 para Krishtit, formoi ishullin në formën e tij aktuale. Shpërthimi i fundit në zonë ka ndodhur në vitin 1950.