Sinjale pozitive, por Gjoka do një Skënderbe më agresiv
Pika e marrë në transfertë me Dinamon dhe për më tepër ajo çfarë ka treguar ekipi në fushë, qasja që ka pasur në ndeshjen e fundit, duket se e ka rritur moralin te Skënderbeu për të vijuar me të tjera rezultate pozitive dhe për të lënë vendin e fundit.
Por nëse kampionati është njëra anë e medaljes, Kupa është një tjetër objektiv, ku korçarët dhe trajneri Gjoka nuk duan ta lëshojnë kurrsesi. Për këtë arsye, pas barazimit 1-1 në kampionat, trajneri i Skënderbeut ka rinisur gjithçka nga e para për të bërë një tjetër paraqitje pozitive ndaj Dinamos. Përgatitjet për ndeshjen që luhet ditën e enjte kanë nisur me një analizë të hollësishme, ku stafi teknik ka vënë në dukje gabimet e bëra në ndeshjen e fundit më Dinamon.
Janë dhënë këshilla se çfarë duhet të ndreqë Skënderbeu për takimin e Kupës së Shqipërisë. Trajneri Gjoka në fakt ka marrë një informacion më të plotë rreth kundërshtarit nga ndeshja direkt me të, e di mirë ku janë pikat e forta dhe të dobëta të bluve. Ajo që bën sens në këtë analizë është fakti se pas disa ndeshjesh me shumë pikëpyetje, trajneri bardhekuq më në fund ka përgëzuar repartin mbrojtës. Kreu i stolit korçar po ashtu ka kërkuar stabilitet në prapavijë dhe pragmatizëm në sulm.
Në këtë situatë, pritet që trajneri Gjoka ta nisë ndeshjen e Kupës ndaj Dinamos me të njëjtin formacion që hodhi në fushë në kampionat, por me udhëzime dhe detyra të reja për lojtarët. Të enjten pritet një ekip më agresiv se ai i së shtunës që shkoi. E gjithë kjo vjen për faktin se trajneri kryeqytetas është i bindur që ekipi ka më shumë potencial se sa ka shfaqur në ndeshjen e fundit.
LOJTARËT E RINJ – Në kushtet ku ndodhet Skënderbeu, një faktor shumë i rëndësishëm është ingranimi i lojtarëve të rinj. Dhe sinjalet janë pozitive, sepse tre nga pesë afrimet e ditës së fundit të merkatos duket se kanë treguar kualitet dhe janë gati për të luajtur nga minuta e parë në Kupë.
Një lajm i mirë ky për trajnerin Gjoka, duke ditur që Rashica luan ndeshjet e fundit dhe ndoshta të njëjtin fat do të ketë edhe Rabiu. Ai mund të testojë afrimet e reja në mesfushë dhe në sulm kundër Dinamos ditën e enjte. Qëllimi është që të shohë qasjen që do të kenë lojtarët e rinj me ekipin dhe çfarë mund të sjellin më shumë ata.