Gjimshiti jashtë Kupës së Italisë, Gasperini: Na vjen keq, por tani kemi…Champions League (VIDEO)
Atalanta “lan duart” nga Kupën e Italisë, me ekipin e Berat Gjimshitit që e sheh veten jashtë këtij turneu pas humbjes 0-1 të pësuar në shtëpi përballë Bologna-s. Pas 26 vitesh, Bologna rikthehet të jetë pjesë e fazës gjysmëfinale, aty ku tani do të përballet me fituesin e çiftit Juve-Empoli.
Gasperini nuk kishte kursyer askënd në këtë takim, por De Ketelaere dhe pjesa tjetër e fazës ofensive nuk ishin në ditën e tyre më të mirë, prodhuan një volum të lartë loje, por thuajse në asnjë moment nuk ishin të saktë në pasin final.
Gasperini nisi të freskojë ekipin në fraksionin e dytë, por Atalanta pësoi një rënie të ndjeshme në lojë, me Bologna-n që fitoi më shumë terren. Italiano hodhi në fushë në minutën e 78-të Santiago Castron, me sulmuesin argjentinas që i mjaftuan vetëm 2 minuta lojë për të gjetur golin e avantazh, teksa me kokë “dogji” të gjithë prapavijën e Atalantës duke dërguar topin në rrjetë. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Bologna-n që “fluturon” në fazën gjysmëfinale të Kupës së Italisë.

Berat Gjimshiti, kapiteni kuqezi, zhvilloi një 90-minutësh pozitiv, i vlerësuar nga mediat italiane me notën 6.
Në përfundim të ndeshjes, Gian Piero Gaspetini nuk e fshehu zhgënjimin për këtë eliminim, por trajneri i Atalantës sheh përpara: “Ishte një ndeshje e bukur, e hapur, me raste nga të dy ekipet. Kush shënonte i pari, kualifikohej. Na vjen keq, por tani kemi Serie A dhe Champions që na pëlqen shumë”, u shpreh Gasperini.
()