EKSKLUZIVE/ “Derbi jetë a vdekje për Tiranën”, Sukaj i bindur: Partizani favorit edhe për titull (VIDEO)
Derbi i kryeqytetit si gjithnjë ndez futbollin shqiptar, por ky është një derbi ndryshe, luhet në një stadium risi dhe gjen dy ekipet në pozita krejtësisht të ndryshme. Xhevahir Sukaj, ish “bomberi” i Partizanit, në një intervistë për News 24 u shpreh i bindur se stadiumi është një bonus i madh për ekipin e kuq, me këta të fundit që i sheh favorit edhe në garën për titull. Në bisedën me gazetaren Trevisa Tufa, Sukaj shtoi se ky është një derbi për “jetë e vdekje” për Tiranën:
-Sukaj, a është zbehur disi magjia e derbit, sikur nuk e ka më impaktin e dikurshëm, qoft dhe të kohës tuaj, pse, është çfarë formule, ndjesie të fanelës…Ose ta bëj ndryshe pyetjen, çfarë ndjesie të jep ty derbi sot?
Faleminderit për intervistën. Derbi ka qenë gjithmonë i bukur, sidomos kur te dyja këto skuadra luftonin për titull. Megjithatë tani nuk më jep kënaqesinë e dikurshme, ndoshta edhe për shkak të cilësisë. Kur luaja unë ka patur më tepër grintë, më tepër dëshirë. Sot është bërë më shumë biznes. Siç ishte edhe rasti tek Partizani, që shiti 4 lojtarë në këtë merkato janari. Ndoshta edhe atmosfera në ish stadiumin “Qemal Stafa” ndikonte më shumë atëherë.
-Do shkosh në stadium, të duket normale që një sfidë kaq e madhe të zhvillohet në një stadium aq të vogël, në “Arenën e Demave”?
Për derbi është pak i vogël mendoj, por më mirë pak tifozë dhe stadiumi të jetë plotë, se sa stadium i madh, por me 6000 vetë. Te dielën besoj “Arena e Demave” do të jetë plotë, si asnjëherë më parë. Unë e shoh me pozitivitet pjesën e stadiumit. Partizani do të jetë i avantazhuar që luan në këtë impiant derbin.
-Në letër duket si një sfidë pa shumë histori, me Partizanin të shkëputur me 17 pikë, është realisht kaq e madhe kjo diferencë? Si e sheh këtë derbi Sukaj?
Partizani është në rrugën e duhur, sepse me formulën e re dy ndeshjet në fund të nxjerrin kampion. 17 pikë diferencë janë shumë mes tyre. Më vjen keq për Tiranën. Në derbi besoj se nuk ndikon kjo diferencë. Derbi nuk e zbeh asnjëherë diferencën me pikët. Tirana do ta ketë “jetë e vdekje” këtë derbi. Partizani ndërkohë i’a lejon vetes pse jo edhe ndonjë hap fals.
-Të bind ky Partizan, a mund të fitojë ky ekip titullin?
Mendoj që Partizani është dobësuar, por duke parë diferencat në kampionatin shqiptar nuk besoj se do të ndikojë shumë. Në 4 ekipet e para Partizani do jetë dhe në finale do të luftojë. E shoh pretendente së bashku me Egnatian dhe Vllazninë.
-Nuk po të pyes si dikur, që kush e vendos derbin, pasi jam e sigurt që një pjesë të mirë të lojtarëve nuk i njeh, por mqs shquhesh për parashikime, si del ky derbi?
Gjithmonë kam dal në krah të Partizanit dhe uroj që edhe këtë herë të fitoj, sepse mendoj se është favortit. Parashikimi im është që fiton Partizani 1-0 me gol të Prekës.
E shoh shumë të përgatitur këtë futbollist, nuk e njoh personalisht, por më ka lënë një përshtypje shumë të mire sa here e kam ndjekur. Mendoj që do të jetë lojtari kryesor i ndeshjes.
-Në fund dua ta mbyll me një koment rreth Vllaznisë, pyetja që bën çdo Shkodran, mund të jetë ky viti i duhur, a mundet ky ekip të thyejë mallkimin, të sjell titullin në Shkodër?
Vllaznia është ekip emblem. Tifozët janë në harmoni pavarësisht rezultateve, e vura re së fundmi teksa ndoqa ndeshjen mes Vllzanisë dhe Egnatias. Do më vinte shumë mirë që Vllaznia ta fitonte. I mungon një titull kampion. Mendoj se kanë sulmin më të mirë. Balaj është i zoti, Hodaj bënë diferencën, do të ketë disa armë plus për të dal kampion. Shpresoj shumë që titullin ta fitojë njëra mes Vllaznisë ose Partizanit, por sigurisht anoj më shumë nga ana e Vllaznisë.