Santorini shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, Mitsotakis shkon në ishull! Kryeministri grek njofton ndërtimin e një port shpëtimi në rast rreziku
Teksa ishulli Santorini ndodhet nën alarm lidhur me tërmetet e njëpasnjëshme, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka shkuar në ishull, në mënyrë që të informohet mbi situatën në vend.
Në një takim me shkencëtarët dhe organet vendore, Mitsotakis u shpreh “Po përgatitemi për më të keqen, shpresojmë për më të mirën”.
Media helene Protothema raporton se Mitsotakis ka njoftuar mundësinë e një financimi fillestar prej 3 mln euro, në mënyrë që të ndërtohet një portë shpëtimi në pjesën jugore të ishullit, si një ndihmesë në rast të çdo skenari.
“Jam këtu për të thënë absolutisht se shteti është afër jush. Një shtet serioz duhet të përgatitet për skenarin më të keq me shpresën se më e mira do të vijë. Santorini është një destinacion ikonik dhe është detyra jonë të mbrojmë reputacionin e saj. Duhet një bilanc, për të qenë prezent dhe për të mos qarkulluar skenarë fatkeqësish.”, tha Mitsotakis.
Ka qenë Sekretari i Pergjithshëm i Mbrojtjes Civile greke, Vasileos Papageorgiou, ai i cili deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme përmes një vendimi, në të cilin thuhet:
“Vendosim shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme të Mbrojtjes Civile për Bashkinë Thira të Njësisë Rajonale Thira të Rajonit të Egjeut Jugor, për të adresuar nevojat emergjente dhe për të menaxhuar pasojat e shkaktuara nga tërmetet. Kjo deklaratë do të jetë e vlefshme nga data 1.02.2025 dhe për 1 muaj, përkatësisht deri më 3 mars 2025. Pas përfundimit të kohës së caktuar, gjendja e mësipërme emergjente e Mbrojtjes Civile do të hiqet, pa dokument të ri.”
Teksa rrugët e ishullit mbeten “të shkreta”, shërbimet zjarrfikëse kanë zbritur në terren dhe ndodhen në gatishmëri.
Sakaq protothema shkruan se autoritetet greke janë të frikësuar nga dy skenarë të mundshëm.
Skenari i parë është tërmeti me magnitudë 6 deri në 6.5 Rihter, për shkak të disa çarje të tokës që u krijuan nga lëvizjet e para sizmike në ishull.
Skenari i dytë është vijimësia e tërmeteve në ishull, për të paktën 1 ose 2 javët e ardhshme.