“Tirana e hapur për studentët bjellorusë që duan të studiojnë këtu” – Veliaj i dhuron “Çelësin e Qytetit” kryetares së Lëvizjes Demokratike të Bjellorusisë
Samiti “Pakti i Qyteteve të Lira” solli në Tiranë edhe lideren e Lëvizjes Demokratike në Bjellorusi, Sviatlana Tsikhanouskaya, si një nga aktivistet e cila ka luajtur një rol thelbësor në krijimin e një fronti të vërtetë opozitar kundër regjimit autoritar në Bjellorusi.
Ajo u prit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i dhuroi “Çelësin e Qytetit”, si simbol i të pasurit një derë dhe zemër të hapur në kryeqytetin shqiptar dhe bashkëpunimit me qeverinë shqiptare.
“‘Çelësi i Qytetit’ të Tiranës është një kujtesë se këtu do të gjeni një derë të hapur, një mendje të hapur dhe një zemër të hapur. Jam i bindur se të njëjtin bashkëpunim do ta gjeni edhe te kryeministri ynë, Edi Rama, i cili ka qenë një avokat shumë, shumë i rëndësishëm i Bjellorusisë, po ashtu edhe te kryetarja jonë e Kuvendit, te ministri ynë i Jashtëm, te e gjithë qeveria jonë.
Dua që ky çelës të jetë një kujtesë e përditshme se në këtë vend ju keni shumë miq, dashamirës dhe shumë aktivistë që duan ta mbështesin këtë kauzë, dhe ashtu si Shqipëria po jeton ditët e veta më të mira, një ditë dhe Bjellorusia të ndajë të njëjtën histori suksesi”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë premtoi po ashtu, mbështetjen e tij për studentët nga Bjellorusia, që duan të vijojnë studimet në kryeqytetin shqiptar.
“Për praktikat me studentët që vijnë nga Bjellorusia, që përfaqësojnë forcat modernizuese, dhe që duan të studiojnë në Tiranë, ne do të kujdesemi njësoj siç kemi bërë me motrat dhe vëllezërit tonë nga Ukraina”, tha ai.
Nga ana e saj, liderja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya u shpreh mirënjohëse për pritjen e rezervuar, si dhe mbështetjen e akorduar nga qeveria shqiptare ndaj kauzave opozitare me të cilat përballet vendi i saj.
“Jam tejet mirënjohëse që nderohem me “Çelësin e Qytetit” dhe shpreh gjithashtu mirënjohjen për qeverinë shqiptare për mbështetjen e Bjellorusisë në rrugëtimin tonë të vështirë. Ju i keni ndjerë realisht përjetimet tona sepse edhe ju keni kaluar të njëjtat eksperienca”, u shpreh Tsikhanouskaya.
Udhëheqësja e lëvizjes demokratike të Bjellorusisë, Svitlana Tsikhanouskaya vizitoi Tiranën në kuadër të Samitit “Pakti i Qyteteve të Lira”, i cili u mbajt për herë të parë në kryeqytetin shqiptar.