Sat, Feb 8, 2025

Detajet për biletat e derbit në “Arena e Demave”, Partizani ua kalon ultrasve

  • PublishedFebruary 8, 2025

Detajet për biletat e derbit në “Arena e Demave”, Partizani ua kalon ultrasve

Partizani ka hedhur dje në shitje biletat e derbit të nesërm në “Arenën e Demave” në orën 13:00. Për këtë sfidë pritet të ketë prani të shtuar të policisë.

Një biletë në tribunën përballë kushton 1000 lekë, ndërsa në atë kryesore, 2500 lekë. Tifozët bardheblu kanë në dispozicion vetëm 200 ulëse. Në njoftimin e publikuar është vënë re që Partizani nuk ka nxjerrë në shitje bileta “VIP”.

Tifozët “Ultras Guerrils” në rrjetet sociale kanë bërë me dije se biletat e vendësve në tribunën përballë i shet vetë tifogrupi, çka ngjan me një përpjekje që në sektorët për ta, të mos ketë tifozë të Tiranës.

Partizani synon që me shitjen e biletave të arkëtojë afro 45 milionë lekë të vjetra. Klubi i kuq ka bërë thirrje për të mos pasur trazira dhe përplasje brenda dhe jashtë stadiumit.

Biletat e sektorit mik (E1) dhe tribunës kryesore (A dhe B) i gjeni në pikën e shitjes në stadiumin “Selman Stërmasi” nga ora 10:00 deri në 18:00.


AlbaniaWeb.net