“Dritë në fund të tunelit”, Broja “djeg” etapat e rikuperimit, ja kur pritet të rikthehet “bomberi” kuqezi
Fati i keq e detyroi Brojën të “parkojë” sërish në infermieri, por lajmi i mirë është fakti që “bomberi” kuqezi pritet të rikthehet në fushë më shpejt se sa parashikohej në fillim. Dëmtimi i tij në kyçin e këmbës vendosi në dyshim të fortë të ardhmen e tij pasi Everton dhe Chelsea u përfshinë në negociata ku në tavolinë ishte edhe opsioni për t’u rikthyer në Londër gjatë janarit. Për fat të mirë kjo lëvizje nuk u realizua pasi Broja do të qëndrojë tek Everton, të paktën deri në fund të këtij sezoni. Kjo do të thotë se mund të ketë shanse për të zbritur sërish në fushë, pasi te Chelsea do të ishte e pamundur me Maresca-n në stol.
Sipas mediave në ishull, faza e riaftësimit po shkon më mirë se sa parashikohej dhe sipas të gjithë gjasave sulmuesi kuqezi pritet të rikthehet në fushë në gjysmën e dytë të muajit mars.
Pavarësisht këtij fakti, Broja nuk pritet të jetë në dispozicion të Sylvinho-s për dy sfidat e para në kualifikueset e Botërorit kundër Anglisë dhe Andorrës pasi askush nuk dëshiron të rrezikojë sërish. Kujtojmë që Broja u largua nga Chelsea gjatë merkatos së verës për një huazim të thatë tek Everton deri në fund të këtij sezoni.
()