Sat, Feb 8, 2025

“Ndërsa grekët na jepnin bukë me dorë në zemër, ne plaçkitnim njeri tjetrin”- Refleksionet e emigrantit shqiptar: Ishim produkt i ‘njeriut të ri’, siç bënim dikur, kur vidhnim edhe brekët në…

  • PublishedFebruary 8, 2025

“Ndërsa grekët na jepnin bukë me dorë në zemër, ne plaçkitnim njeri tjetrin”- Refleksionet e emigrantit shqiptar: Ishim produkt i ‘njeriut të ri’, siç bënim dikur, kur vidhnim edhe brekët në…

Në verën e vitit 1993, gjatë pushimeve verore, shkova dhe punova tre muaj si argat në Greqi. Ishte herë e parë dhe e fundit që e shkelja atë vend. Për hirë të së vërtetës, me një kushëri patëm provu edhe verën pararendëse, atë të 1992-it, po na kapi ushtria kufitare greke, në shoqërinë e të paktën njëqind shqiptarëve të tjerë të panjohur, sapo patëm kalu kufirin, natën. Na ndaloi në mesnatë përmes krismash automatiku në ajër e, sensacioni i automatikut që të kërcet tek veshi me flakërimin e plumbave në qiell, nuk ishte asfare i bukur. Të nesërmen e asaj dite, jo pa peripeci, na kthyen në Korçë.

Ndërsa ushëtimi i ‘93-shit, pati ma sukses. Qe i gjatë e, i lodhshëm, ndoshta ka zgjatë më shumë se 4-5 ditë e netë. Udhëtonim më së shumti natën…! Vetëm inkoshienca rinore e dëshpërimi masiv, që kishte pllakos ndër ne, mund ta shtynte njeriun drejt aventurave të tilla!

Nuk e di sa km. kemi bërë në këmbë, ndoshta dyqind, ndoshta treqind, por di se në fund kam përfundue në Selanik, me një ndërprerje të vetme rreth 20-30 km. rrugë me autobus. Në rrethinat e Selanikut, na ndihmoi një shok me u punësue për dy-tre muaj.

Udhëtonim më së shumti natën, që të mos binim në sy. Qemë rreth dy-trembëdhjete vetë, të gjithë shokë, o së paku të njohur. Më i madhi diku te njëzet vjetëshi, më i riu, ndoshta as gjashtëmbëdhjetë. Gjatë asaj aventure të pare emigrimi, janë së paku dy gjëra, që do mbaj mend e s’do i harroj kurrë, e asnjëra s’ka lidhje me grekun, por me veten tonë.

E para i përket një nate, ndërsa kalonim diku nëpër rrethinat e Kosturit, në një plantacion të vogël mollësh të punuar e mirëmbajtur për mrekulli, me një sistem vaditës me tuba e sprucatore të vegjël, rrënjë në rrënjë, ne, ose më mirë disa nga ne, nuk i shpëtuam dot tundimit në udhëtim e sipër, me prish me këmbë ato tuba e sistem vaditës. Vandalizem falas e, pa pikë përfitimi!

Grekët, gjatë udhëtimit, na jepnin bukë dhe ushqime me dorë në zemër (ishim thjeshtë lypsa, me plot kuptim e fjalës, të veshur keq, të lodhur e të palarë, apo zhulsa dhe kromë, siç do thoshte dikush nga ne), e ne ua shpërblenim në këtë mënyrë!

E dyta ka të bëjë me natën e fundit të udhëtimit, diku mbas qytetit të Verias, përgjatë hekurudhës, një grup shqiptarësh të i armatosur, madje deri në dhëmbë, kishin zënë pritë me plaçkit shqiptarët e tjerë, që udhëtonin pa ditë se ku, në kërkim të fatit, në atë tokë të huaj.

Aksioni i tyre do kishte pasë sukses, duke shfrytëzu natyrisht edhe faktorin befasi e, faktin që gati për të gjithë ne, ishte hera e parë që shkonim në Greqi e, s’njihnim as rrugët dhe as dinamikat e peripecitë e udhëtimit. Por ç’e do se, askush ndër ne, s’kishte para me vete! S’kishin ç’ka me plaçkit ato “patriotet” tanë “të dashur”.

Në fillim-vitet ’90-të, pra, shqiptarët që kishin dalë në kërkim të fatit, si arixhinjtë e, vetëm si arixhinjtë në Greqi, (ndjesë që po përdor këtë fjalë, por e bëj për lehtësi të kuptimit të ngjarjes), shpresonin që fati t’i ndihmonte me vandalizma e plaçkitje!

Sistemi i ri që ne e thërritem dhe e thërrasim mediokratikisht “demokraci”, në vitet ’91,’92,’93, nuk kishte pasë kurrnjë mundësi fizike, pikërisht për arsye kohe, as me formu, as me deformu moralin e shoqërisë dhe rinisë shqiptare. E pra për momentin, asnjë përgjegjësi! Asnjë përgjegjësi të vetme!

Gjithçka ishim ne asokohe, qemë produkt i formimit dhe mendësisë që kishim marrë nga periudha e diktaturës. E pikërisht atëhere, shumë shqiptarë u bindën se, jo vetëm Perëndimi i civilizuar, por, edhe të “urryerit” fqinjët tanë, grekë serbë, apo turq paçin qenë, gjendeshin shumëfish në avantazh kundrejt nesh!

Jo vetëm nga ekonomia, jo vetëm nga niveli i jetesës e zhvillimi, jo vetëm nga natyra, jo vetëm nga bukuria (herët e para “europianet”, na dukeshin tmerrësisht të pashëm e të bukur, tmerrësisht të mbajtur mirë), por çka është më e rëndësishme: nga kultura, nga mentaliteti e morali!

E, ishte pikërisht tek formimi i “njeriut të ri”, (produkt i komunizmit shqiptar), tek formimi i shoqërisë që ai regjim i para viteve ‘90-të, e pati dështimin e tij më “spektakolar”.

E s’kishte si të ndodhte ndryshe. Në kohën e diktaturës, kur ishim fëmijë, kujtoj mirë se meritat e individit, mateshin përgjithësisht, me aftësinë që kishte ai me vjedh! Me vjedh sa më shumë: vidhej qysh fëmijë në shkolla (ikte lapsi, fletorja, çanta, topi, trikoja po nuk ishe i vëmendshëm), vidhnin pastaj të rriturit: në kooperativa, në ferma bujqësore, në ndërmarrje shtetërore, (se private nuk kishte), në udhëtim, në trena në autobus. Vidheshin deri çorapet, bluzat, çarçafët e brekët e varura gardhiqeve, për t’u tharë pas larjes!

Vidhej gjithkund e gjithçka, e të gjithë ata që nuk vidhnin, nuk e bënin jo aq për moral dhe ndërgjegje, por vetëm nga frika. I varfri vidhte me dorën e tij, i pasuri, ose më saktë zyrtari, e kishte frigoriferin (një në njëmijë kishte frigorifer asokohe) plot, për meritat e ryshfeteve, që merrnin nga nevojtarët. Pra; sistem i bazuar mbi: dhunën, vjedhjen, nepotizmin, ryshfetin, ligësinë e tarafin!

Masat e rrepta ekstreme e primitive, që merrte shteti (kishte raste që për vjedhje të aplikohej edhe dënimi me vdekje, (me Kod Penal, kjo ndodhte kur shuma e vjedhur, kalonte mbi 2000 lekë të reja) nuk bënin kurrnjë efekt! Treguesi më i mirë, se mënyra e fundit me formue një shoqëri, janë dhuna dhe dajaku…!

Në fakt shoqëria, s’kishte nevojë të formohej, mjaftonte të ruhej e perfeksionohej ai formim, që me mund e sakrifica të mëdha ishte konsoliduar ndër shekuj, por jo! U deformua gjithçka! U shkatërrua kuptimi i të qenurit: CIVIL!

U shemb edhe ankorimi i fundit, ku shpëtonte morali civil e shoqëror: Feja! E bashkë me të, edhe mësimet: “mos i bëj tjetrit, çka s’dëshiron të të bëhet ty”, e; “mos vrit, mos vidh, mos rrej, mos dëshiro gjanë (pasurinë) e tjetrit”, etj., etj.

Një sistem i dhunshëm dhe i padrejtë, që në bërthamë, nuk mund të bënte gjë tjetër, vetëm se të gdhendte një shoqëri me moral e mendësi të dhunshme e, të padrejtë!

E, dami më i madh i atij sistemi, nuk ishte ndoshta për gjatë ekzistencës së tij, por do jetë përgjatë 10 vjeçarve, që do e pasojnë. Nga momenti që ka formuar një shoqëri të padenjë e, të pa-aftë me jetu në një botë të lirë e me norma e ligjësi demokratike.

Kështu pra, të gjithë ata që i delegojnë fajin sistemit demokratik, për dështimet që ka në Shqipëri e, që përgjithësisht më së shumti janë nostalgjikë të diktaturës:

-ose nuk kanë njohje mirëfilli, ose arsyetojnë në ligësi e keqbesim! Një sistem që funksionon në Danimarkë dhe Suedi, mund dhe duhet të funksionojë edhe në Shqipëri. Tjetër pastaj se shqiptari është shqiptar e, nuk është as danez e, as suedez!

“Tash që kemi formue Italinë, duhet me formue italianët”, – ka hy në histori kjo frazë e italianit të famshëm Massimo D’Azeglio, që para një shekulli e gjysëm. Kur Italia u bashkua gjeografikisht e fizikisht.

E përshtatur në kontekstin shqiptar të sotëm ose, të para 30 vitesh: “Demokracia erdhi, po shqiptari s’qe i gatshëm me bashkjetue me të”!

“Duhet me formue shqiptarët me jetu të lirë, jo me pasë nostalgji për diktaturën” – do thoshte D’Azeglio!

Në fillim vitet ’90-të, kush i ka pasë dy pare mend në krye, ka qenë i ndërgjegjshëm që rruga e Shqipërisë drejt demokratizimit, civilizimit e, prosperitetit, do të ishte e gjatë dhe e mundimshme, pikërisht prej diktaturës traumatike që patëm kalue e, deformimit e manipulimit gjenetik, që pati marr morali shoqëror përgjatë saj! Memorie.al