Paralajmëron kryeministri kanadez: Donald Trump e ka seriozisht aneksimin e territorit tonë
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka deklaruar të premten se fiksimi i presidentit amerikan Donald Trump për të kthyer Kanadanë në shtetin numër 51 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një “shqetësim real”, raporton The Guardian.
Në një takim me biznesmenë dhe udhëheqës të sindikatave në Toronto, Trudeau ka thënë se presidenti Trump po vazhdon të përbuzë sovranitetin e Kanadasë, duke përsëritur në vazhdimësi frazën e shtetit të 51 në rrjetet sociale.
“Ata janë shumë të vetëdijshëm për burimet tona, për atë që kemi dhe ata duan të jenë në gjendje të përfitojnë nga ato. Por Trump e ka në mendje se një nga mënyrat më të lehta për ta bërë këtë është aneksimi i vendit tonë”, ka deklaruar Trudeau.
Së fundmi, Kanadaja dhe SHBA-ja u përplasën rreth çështjes së tarifave pasi Trump vendosi 25 për qind taksë për importet kanadeze. Më pas e shtyu për 30 ditë zbatimin e saj.