Korridori i Tetë dhe Iniciativa e Tri Deteve, pengesat në Ballkanin Perëndimor
PROF. DR. ARBEN MALAJ
Procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor imponon politika, strategji dhe projekte investuese për korridoret ekonomike, që lehtësojnë bashkëpunimin rajonal shkurtojnë barrierat dhe distancat, ulin kostot e zgjerimit dhe integrimit drejt tregjeve evropiane deri edhe globale. Ideja për Korridorin VIII filloi në vitin 1994, por për shkak të mungesës së fondeve dhe paqëndrueshmërisë politike, projekti u pengua për shumë vite. Në vitin 2018, qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë së Shqipërisë nënshkruan një deklaratë për fillimin e Korridorit VIII, i cili është një nga dhjetë korridoret panevropiane. Ka një lidhje integruese midis projektit të Korridorit VIII dhe Iniciativës së Tri Deteve. Korridori i VIII është një nga dhjetë korridoret e transportit panevropian, i cili fillon në Durrës dhe Vlorë kalon nëpër Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari dhe në portet e Varnës dhe Burgasit në Bullgari. Iniciativa e Tri Deteve (I3M) është një nismë e përbashkët e 12 shteteve të Bashkimit Evropian, të gjendet pranë detit Adriatik, Baltik dhe të Zi. Qëllimi i kësaj iniciative është lehtësimi i zhvillimit të Evropës Qendrore dhe Lindore. Projekte të përbashkëta infrastrukturore, siç janë autostradat, linjat hekurudhore, tubacionet e gazit dhe rrjetet elektrike, telekomunikacionit dhe fibrave optike do të sjellin efekte pozitive.
Një nga pengesat për vendet e Ballkanit Perëndimorë për t’u integruar më mirë me iniciativat rajonale është pamundësia për anëtarësimin e tyre në Iniciativën e Tri Deteve. Kjo, për shkak sepse ky projekt është një nismë e shteteve anëtare të BE-së që ndodhen pranë detit Adriatik, Baltik dhe Detit të Zi. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen në BE që të bëhen pjesë e kësaj iniciative. Serbia dhe Bosnja-Hercegovina kanë shprehur interes për t’u përfshirë në Iniciativën e Tri Deteve, edhe pse nuk janë ende pjesë e BE-së. Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi duhet të shprehin interesin për t’u bërë pjesë e kësaj iniciative. Në një takim ndërkombëtar në Shkup, në janar të këtij viti, kryetari i Dhomës së Biznesit (ish-ministri i Ekonomisë të MV) shfaqi dy pengesa kryesore për mosavancimin e korridorit VIII në Maqedoninë e Veriut, të cilat vlen të analizohen.
Pengesa e parë ishte fakti se MV nuk mund të ndërtojë korridoret evropiane më para të taksapaguesve maqedonas. Kjo, pasi kostoja është shumë e lartë dhe e papërballueshme për shkak të riskut të rritjes së ndjeshme të borxhit publik dhe kostos së tij. Ky këndvështrim shërben edhe për vendin tonë. Financimi i plotësimit dhe modernizmit të infrastrukturës sonë nuk duhet të bëhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Kjo, si kur investimet i bën qeveria nëpërmjet investimeve publike, si kur aplikohen Partneritete Publike Private, kostot financiare të së cilave janë akoma edhe më të rënda. Pengesa e dytë është me natyrë gjeopolitike për shkak të grindjeve të përhershme ballkanike. Bllokimi i përsëritur nga Bullgaria i Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit të plotë në BE ka ndikime bllokuese të projekteve panevropiane në rajonin tonë. Sepse ish-ministri i Ekonomisë i MV përdori argumente ekonomike duke thënë se pjesa e korridorit VIII në territorin bullgar është rreth tri herë më e gjatë se në territorin e MV. Ai argumentonte se për këtë projekt duhet të angazhohet financiarisht më shumë Bullgaria, sepse ajo është për fituesja kryesore si për gjatësinë përfituese të këtij projekti në territorin e saj, por edhe për aksesin më të madh që Bullgaria si vend anëtarë ka në fondet e BE-së të destinuara edhe për ndërtimin e korridoreve panevropiane.
Kjo pengesë gjeopolitike midis MV dhe Bullgarisë pengon efektivitetin e investimeve të vendeve të tjera. Shqipëria humbet shume nga përfitimet potenciale të Korridorit VIII për aq kohë sa pjesa e Korridorit të Tetë në Maqedoninë e Veriut mbetet e pandërtuar dhe pjesa dominuese e Korridorit të Tetë në territorin bullgar ecën ngadalë. Një propozim mund të jetë përfshirja e Ballkanit Perëndimor në investimet për projektet panevropiane sapo ato fitojnë statusin e vendit kandidat. Kjo, për shkak se partnerët tanë kryesorë me mbi 65 për qind të import/eksporteve janë vendet e BE-së. BE-ja përfiton nga zgjerimi i saj, pasi ajo nuk mund të ruajë apo të rrisë fuqinë e saj ekonomike pa thëllimin dhe zgjerimin e integrimit, ku Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë pjesa më pak e zhvilluar e saj. Ky hendek zhvillimi po çon në një emigrim masive të krahut të punës, por sidomos edhe të mirarsimuarve, sidomos në IT dhe mjekë si, nga vendet e BP-rë drejtë BE-së.
Ky fenomen po ul cilësinë e kapitalit human, ul ndikimin e tij si faktori dominues në cilësinë e rritjes ekonomike si edhe dëmton solidaritetin dhe kohezionin social. Kjo i bënë vendet e Ballkanit Perëndimor lehtësisht të prekur, sidomos nga konfliktet etnike dhe përplasjet gjeopolitike. Prandaj, çdo hap për reduktimin maksimal të burokracisë së panevojshme dhe uljen e kostove burokratike, të cilat përfshihen në koston e korrupsionit duhet të jetë në qendër të reformave strukturore. Korridori Tetë dhe Iniciativa e Tre Deteve mund të kenë vështirësi të mëdha për financime. Kjo, pasi vendet e BE-së kanë nivele shumë të larta të borxhit publik dhe kostos së tij. Këto vende po ndihmohen nga politikat lehtësuese të Bankës Qendrore Evropiane, e cila po i mban të ulëta normat e interesit, të cilat imponojnë norma të ulëta edhe për interesat e depozitave, që në disa raste janë edhe negative. Kjo ndodh kur niveli i inflacionit është mbi nivelin nominal të depozitave.
Kostot e ulëta të parasë gjithmonë “subvencionohen” edhe nga humbjet e depozituesve. Vështirësia e burimeve të financimit të korridoreve panevropiane do të jetë më e vështirë. Kjo edhe për shkak të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës dhe luftërave tregtare që po dominojnë politikat tregtare të Presidentit Trump. BE-ja po mban një peshë të rëndë të pasojave shumëdimensionale të kësaj lufte, duke u detyruar të rialokojnë prioritetet dhe fondet e saj nga ato me fokus zhvillimin dhe integrimin ekonomik, në përballimin e kostove të rënda financiare të konflikteve dhe luftërave.
Ndërsa çdo presion për t’i rritur shpenzimet për mbrojtjen mbi 2 për qind të PBB-së redukton aftësinë për uljen e borxhit dhe për burimet financuese për politika dhe projektet të zhvillimit ekonomik dhe social. Ndërsa propozimi i Presidentit Trump që vendet e NATO-s të mos shpenzojnë më pak se 5 për qind të PBB-së dëmton rëndë stabilitetin financiar të vendeve të BE, pasi rrit borxhin publik dhe koston e tij. Mosmarrëveshjet shtohen, bashkëpunimi dobësohet dhe fragmentohet. Duke pasur parasysh rreziqet dhe sfidat gjeopolitike, lehtësimi i lëvizjes së lirë të mallrave dhe shërbimeve për vendet e Ballkanit Perëndimor është një domosdoshmëri jetike për të tashmen dhe një urgjencë për të ardhmen./Gazeta Panorama