Mon, Feb 10, 2025

LVV nis festën në Prishtinë, Kurti shpall fitoren në zgjedhje: Kurorëzim i një pune katër vjeçare në qeveri

  • PublishedFebruary 10, 2025

LVV nis festën në Prishtinë, Kurti shpall fitoren në zgjedhje: Kurorëzim i një pune katër vjeçare në qeveri

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një tubim në shesh të Prishtinës ka shpallur fitoren, duke u shprehur se rezultatet e nxjerrin fituese partinë e tij.

“Këto rezultate preliminare tregojnë një gjë të vërtetë, të qartë të saktë: kjo është që Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Bravo! Urime!”, tha ai.

Kurti falenderoi mbështetësit, ndërsa tha se ky rezultat ishte “si një kurorëzim i një pune njëmujore në fushatë, katër vjet në qeveri”.

Para simpatizantëve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë deklaroi se procesi zgjedhor ishte demokratik e paqësor, duke shtuar se i falënderon autoritetet për angazhimin.

“Procesi zgjedhor ka qenë ai i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, demokratik që s’ka pasë incidente. Edhe policinë edhe mekanizmat shtetërorë. Kështu ndodh pikërisht kur qeveria jonë është. Kur ekzekutivi jemi ne, nuk ka incidente dhe procesi demokratik është cilësor, i vërtetë, i lirë i ndershëm”.

Kurti ka thënë se asnjëherë s’është bërë më tepër luftë se ndaj kësaj qeverie, ndersa ndaj opozitës përdori termin “hajvan”.

“Kurrë s’është bërë më tepër luftë se ndaj kësaj qeverie. Me oligarkë që japin para pa hesap, e me opozitë që bëjnë marrëveshje edhe me dreqin kundër qeverisë sonë. Edhe prapë se prapë kanë humbur, kanë me mbet opozitë sepse nuk ia duan të mirën as shtetit e as popullit”, ka deklaruar Kurti.