Tue, Feb 11, 2025

Toka me qira dhe gosti elektorale: Fushata në Fier dominohet nga akuzat

  • PublishedFebruary 10, 2025
Toka me qira dhe gosti elektorale: Fushata në Fier dominohet nga akuzat

Në fillim të janarit, Drejtoria e Artit dhe Kulturës në Bashkinë e Fierit çeli një tender me objekt “Festojmë me emigrantët fierakë në Greqi”. Aktiviteti përshkruhej si ‘koncert festiv’, për të cilin bashkia kërkonte të punësonte tre këngëtarë nga Fieri, një autobus transporti 30 vendësh dhe një koordinator.

I planifikuar të zhvillohej në Athinë në kohën kur partitë politike janë përfshirë në një garë të ethshme për votën e diasporës, koncerti u anulua.

“E anuluam sepse nuk kishim bërë njoftimin pesë ditë përpara në KQZ. Aktiviteti në Athinë u zhvillua, por pa bashkinë”, tha kryebashkiaku për BIRN.

Aktiviteti u denoncua nga opozita si përpjekje për përdorimin e parave publike për të joshur votën e emigrantëve. Tërheqja e bashkisë erdhi vetëm pas denoncimit.

Por për përfaqësuesit lokalë të opozitës në Bashkinë e Fierit, kjo nuk është përpjekja e vetme për tjetërsim të votës përmes përdorimit të fondeve publike apo shkeljes së ligjit elektoral.

Opozita denoncoi gjithashtu dhënien e mijëra metra katrorëve tokë me qira nga Këshilli Bashkiak i dominuar nga socialistët, me qëllim sipas tyre për të ndikuar në zgjedhjet e 11 majit.

“Është skandaloze mënyra se si merren vendimet në këtë Këshill. Po të japësh pasuritë publike me “sy mbyllur” pa një relacion shpjegues, qoftë edhe vetëm si procedurë, është kriminale”, tha këshilltari i Partisë Demokratike, për BIRN.

Kryebashkiaku Armando Subashi mohoi akuzat.

“Ne jemi në punë, bashkia do vazhdojë punën normalisht”, tha ai, duke pretenduar se procedurat për dhënien e tokës nuk ishin përfunduar dhe vendimi ishte vetëm në parim.

Toka me qira para zgjedhjeve

Katër projektvendime për dhënie me qera të pasurive publike u morën me shumicën e votave të këshilltarëve socialistë në mbledhjen e datë 30 janar të Këshillit Bashkiak në Fier. Tokat ndodhen në Asturkas, Libofshë, Sheq, Marinas, Topojë, Bregas, Frakull si dhe dy pasuri brenda në qytet.

Dhënia e tyre me qira u bë sipas opozitës pa transparencë dhe se as këshilltarët socialistë nuk e dinin se çfarë votuan. Asnjë prej vendimmarrjeve nuk ishte i shoqëruar me dokumentacion dhe këshillatarët votuan pa e ditur as sipërfaqjen e secilës prej pasurive publike që bashkia do të japë me qira. Në pikat respektive të rendit të ditës, përshkruhej vetëm vendodhja dhe numri kadastral i pasurive.

Këshilltarët e partive të tjera votuan kundër dhe thanë se do ankimojnë vendimet, që sipas tyre janë një përpjekje për të tjetërsuar votën përmes përdorimit të pasurisë publike.

“Ne do ta ankimojmë vendimin, fillimisht te prefekti e më pas do ndjekim shkallët e gjyqësorit. Ndërkohë do sinjalizojmë edhe KQZ për këtë vendimarrje”, tha , këshilltar i Partisë SocialDemokrate.

“Është marrë vendim për dhënien e pasurive publike, pa asnjë informacion për përfitimet që do të ketë komuniteti, subjektet që përfitojnë dhe për çfarë do shfrytëzohen këto toka”, shtoi ai.

Këshilltarët e partive në opozitë shtuan gjithashtu se në Këshill u votua pa pasur informacion. “Sigurisht që ka efekte elektorale një pasuri e tillë e dhënë në këtë moment para zgjedhjeve,” shtoi më tej Dapi.

Kryetarja e Këshillit Bashkiak, pranoi se nuk ishte në dijeni të  detajeve për dhënien e tokave me qira dhe këmbënguli se detyra e saj ishte vetëm të drejtojë mbledhjet.

“Nuk i di detajet, por di që janë tokë shtet dhe pa frut. Unë nuk kam detyrim të njoh detajet e projektvendimeve që kalojnë në Këshill, por vetëm të bëj detyrën  time si drejtuese e atij Këshilli ku të respektohet ligji për vendimmarrjen nga pikëpamja proceduriale”, tha Çuni.

Kryebashkiaku Subashi mohoi që vendimi të ketë lidhje me zgjedhjet dhe pretendoi se ishte vijim i punës së bashkisë. Ai tha se vendimi ishte marrë vetëm në parim dhe se procesi do të vijonte me shqyrtimin e ofertave. “Më tej do vazhdojmë me procesin e shqyrtimit të ofertave dhe tokat do t’i marrë ai që jep ofertën më të mirë”, tha Subashi.

Kjo vendimmarrje nuk është i vetmi rast që opozita pretendon se lidhet me zgjedhjet. Zyrtarë lokalë të opozitës kanë dënoncuar marrjen pjesë të administratës në aktivitetet e socialistëve, ndërsa po ashtu BIRN gjeti se punonjës të ndërmarrjeve të bashkisë morën pjesë në një gosti të shtruar nga Partia Socialiste me pensionistë.

Për kryebashkiakun Armando Subashi, përfshirja e administratës apo punonjësve të bashkisë në aktivitete zgjedhore është çështje orari. Sipas tij, askush nuk mund të ndalojë një nënpunës, qoftë zyrtar i lartë apo punonjës pastrimi, të marrë pjesë në fushatë pas orarit zyrtar të punës.

“Nëse akuzat që bëhen verifikojnë se këta punonjës janë në orar zyrtar, unë jam I gatshëm të marr masat sipas ligjit,” tha Subashi.

Por përfaqësues të opozitës pretendojnë se punonjësit e administratës janë nën presion për të qenë pjesë e aktiviteteve elektorale dhe këmbëgulin se mjaft prej tyre kërcënohen me vendin e punës.

“Unë di raste me emër dhe mbiemër që janë hequr nga puna duke u thënë: Nuk je me ne. Janë duke bërë fushatë shumë agresive. Tani me votën e diasporës po kërkojnë nga punonjësit e administratës të dhënat e të afërmve jashtë, e-mail dhe numër telefoni”, tha përfaqësuesi i Partisë së Lirisë, Arben Çuko.

Akuzat për punësime

Ndryshe nga , në Lushnje opozita ankohet për rritje fiktive të numrit të punonjësve në kompanitë në varësi të bashkisë. Përmes një kërkesë për informacion, BIRN mësoi se numri i punonjësve në bashkinë e Lushnjes u rrit me 37 vetë, nga 1033 në vitin 2023, në 1070 në vitin 2024.

Drejtoresha e Burimeve Njerëzore ne Bashkinë e Lushnjes,  Erisa Qalliu tha se kjo rritje e numrit te punonjësve është bërë si plotësim i nevojave qe kishin disa sektorë në Ndërmarrjen e Pasurisë Publike.

“Është për nevojat e ardhura nga drejtoritë përkatëse, psh  ka rritje te Sektori MZSH (nevojë e vazhdueshme nga zjarret) një nga bashkitë me numër më të lartë zjarresh”, pretendoi Qalliu.

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Koreshi thotë se ndërmarrjet vartëse apo shoqëritë anonime me aksioner kryesor bashkinë, po përdoren  për punësime elektorale. Sipas tij, kjo ndodh sepse shoqëri si ujësjellësi nuk japin llogari për punësimet duke qënë se operojnë si subjekt privat.

“Unë e kam deklaruar edhe nga foltorja e Kuvendit, në Lushnje janë punësuar në bashki persona që nuk janë fare në Shqipëri edhe marrin rrogën. Skandali shkon deri aty sa një vend pune të ndahet përgjysmë, sigurimet i merr një punonjës dhe pagën një tjetër”, tha Koreshi për BIRN.

Koreshi tha gjithashtu se duke qënë ndërmarrje shërbimesh, punësimi bëhet pa kritere arsimimi dhe profesionale, ndërsa kontratat në e punës janë me afate të shkurtra që nuk i kalojnë 6 muajt.

Bashkitë Divjakë dhe Rroskovec nuk iu përgjigjën kërkesës së BIRN për informacion mbi numrin e punonjësve dhe ndryshimet në këtë numër gjatë dy viteve të fundit.  Bashkitë e tjera të Qarkut të Fierit, që iu përgjigjën kërkesës për informacion pretenduan se numri i punonjësve në to nuk kishte ndryshuar.