“Dua respekt për Milan-in”, Ibra flet për arbitrat dhe prezanton Felix
Milan do të tentojë kualifikimin në fazën Play Off të Champions League aty ku do të ketë përballë holandezët e Feyenoord. Blerjet e reja dhe fryma e re që ka përçuar tek grupi tekniku portugez Coincecao, duket se kanë ndryshuar situatën në favor të “Djallit”. Kualifikimi në gjysmëfinale të Kupës së Italisë dhe suksesi ndaj Empolit në kampionat, kanë shtuar urinë në kampin e kuqezinjve dhe një kualifikim më tej në Champions do të ishte ilaçi më i mirë për të shpresuar në një fund pozitiv të këtij sezoni.
E marta ndërkohë ishte edhe dita e prezantimit të portugezit Joao Felix tek Milan. Pranë tij në konferencë për shtyp ishte edhe Zlatan Ibrahimoviç, që nuk kishte se si të mos komentonte edhe fundjavën në Serie A e cila u prek nga shumë gabime arbitrale si dhe për rolin e tij si dirigjent tek kuqezinjtë:
“Unë kërkoj vetëm respekt për Milanin e për lojtarët. Mbeta i suprizuar nga reagimi jo shumë i fortë i lojtarëve tanë në faullin e rëndë nga Waker, i cili mund ta linte atë jashtë fushe ndoshta edhe 1 vit. Ne kemi ambicie të mëdha. Po mësohem me rolin e ri e po fitoj eksperiencë ditë pas dite”.
Ndërkohë Felix u ndje tepër i emocionuar teksa u prezantua si lojtari më i ri i kuqezinjve:
“Ishte një emocion i veçantë të vishja këtë fanellë, mbyllëm një javë pozitive me dy fitore. Idhulli im është Kaka. Nuk dua të krahasohem me të, por dua të bëj edhe unë histori me këtë klub si ai. Nëse Inter ka qenë i interesuar për mua? Po më ka thënë agjenti im, por unë e kisha bërë zgjedhjen time tashmë për të luajtur me Milanin”.